Ja kush përfiton nga rritja e pagave që u bë sot

Aktuale December 20, 2017 - 22:00

Sot u shënua 100 ditëshi i qeverisjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. 

Ndërkohë në po të njëjtën ditë Qeveria ka miratuar edhe draft-raportin e punës 100 ditorë, që iu dorëzua presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Kadri Veseli, deputetëve si dhe qytetarëve.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u mor një vendim për rritjen e pagave për disa prej punonjësve në pozita të ndryshme të kësaj qeverie.

Siç mëson Indeksonline, ata  të cilët do të përfitojnë nga kjo rritje e pagave janë punonjësit e stafit politik, Zyra Ligjore, Zyra për Informim si dhe Sekretariati koordinues.

Gjithashtu sipas burimeve të Indeksonline pagat janë paraparë të rriten për të gjithë ata që kanë punuar përgjatë kësaj kohe jashtë orarit, pra më shumë se orari 8 orësh apo pesë ditë në javë.

Por në të njëjtën kohë duhet cekur se kjo rritje e pagave është vetëm nivelizim i pagave që kanë në Kuvendin e Kosovës.

Pra pagat që tani e tutje do të merren nga këta shërbyes janë të nivelizuara me ato në Parlamentin e Kosovës, ku paga thuhet të jetë dy herë më e lartë se në Qeveri.

E në rritjen e këtyre pagave nuk kanë hyrë të gjitha departamentet, pasi rritja e këtyre pagave bëhet kryesisht në departamentet që punojnë më gjatë se tetë orë në ditë.

E kryeministri Hardianj gjatë ditës është shprehur se rritja e pagave po bëhet pasi ka shpërpushje në paga që lidhen me të dhe stafin.

Qeveria gjithashtu sot ka miratuar Planin vjetor të Qeverisë për vitin 2018, për të dëshmuar kapacitetin e Qeverisë për të arritur objektivat e caktuara. /Indeksonline/