Lekaj e LDK përplasen për Bechtel&Enka, Zeka ankohet për mungesën e laptopëve

Aktuale December 14, 2017 - 13:13

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës filloi me pyetjet parlamentare dhe deklarimet jashtë rendit të ditës.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe deputetët e LDK-së, janë përplasur rreth kërkesës së kompanisë Bechtel&Enka, për dhënien e 63 milionë eurove për shkak të shtyrjes së kontratës për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka ngritur çështjen e arritjes së marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova C, për të cilin ka thënë se ka qenë një proces jo transparent dhe e quajti skandaloz.

Deputeti Milaim Zeka ngriti çështjen e pensionistëve, bursave të studentëve, por shqetësimi më i madh për të u tha se është mungesa e laptopëve për deputet dhe telashet që kanë me printimin e dokumenteve e procesverbalet e seancave.

Ndërsa deputetja nga VV-ja, Albulena Haxhiu, pyeti kryeministrin për numrin e madh të zëvendësministrave.

E Haradinaj tha se nuk lavdërohet me këtë numër dhe shpreson që prej janarit me punën e tyre të arsyetojnë rrogën që marrin.

Ai shtoi që qeverisja e kaluar ka pasur diku rreth 76 zëvendësministra mirëpo nuk janë bërë publik.

Seanca është duke vazhduar dhe pikat e rendit të ditës janë; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ndërmarrjet Sociale; Shqyrtimi i Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016; Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016; Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksës vjetore për vitin 2018, njofton Klan Kosova.