Kocijancic: Nuk është e vërtetë që Mogherini e ka lëshuar takimin me Haradinajn

Aktuale November 17, 2017 - 16:45

Maja Kocijanciq, zëdhënëse e Komisionit Europian, pohon se nuk është e vërtetë që Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini e ka lëshuar takimin e Këshillit të MSA-së, midis BE dhe Kosovës.

Siç ka thënë Kocijanciq për mediumin serb Insajder.net, përcjell Telegrafi, Mogherini ka qenë gjatë gjithë kohës brenda në takim.

“Përfaqësuesja e Lartë ishte atje gjatë gjithë kohës”, ka thënë Kocijanciq në një përgjigje me shkrim.

Ndërkaq në lidhje me pretendimet e disa mediave se konferenca për shtyp pas takimit ishte anuluar dhe se ajo u parapri nga një atmosferë e tensionuar, Kocijanciq ka përsëritur se “konferenca u anulua për shkak të rendit të ditës”.

Mediat serbe sot kanë shkruar se Mogherini, gjoja pasi e ka marrë personalisht kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për përfshirjen e SHBA-ve në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se për këtë arsye u largua nga takimi.