Tahiri: Ministria e Drejtësisë po përmbushë obligimet për agjendën evropiane

Aktuale November 10, 2017 - 14:40

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se dinamika me të cilën institucionet e Kosovës i janë qasur proceseve të integrimit në Bashkimin Evropian është shumë premtuese.

Në këtë pikë, ai ka përmendur edhe punën që po bën Ministria e Drejtësisë, në përmbushjen e obligimeve për agjendën evropiane.

“Ministria që unë drejtoj, ka përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane. Dy projekt-ligje dhe një koncept dokument, janë finalizuar dhe në periudhën vijuese presin miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kam bindje të plotë se edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës do të tregojnë përkushtimin e tyre në këtë rrugë dhe t’i miratojnë këto projekt-ligje të rëndësishme që forcojnë integritetin e institucioneve dhe fuqizojnë sundimin e ligjit”, ka thënë ai gjatë tryezës së organizuar nga Balkans Policy Research Group.

“ëdo ditë e më shumë, Republika e Kosovës është duke u treguar e aftë për të qenë partner serioz me Bashkimin Evropian”, theksoi Tahiri./Zeri/.