Mikullovci: Bllokadë deri në zgjedhjet lokale
Foto: Laura Hasani

Mikullovci: Bllokadë deri në zgjedhjet lokale

Aktuale gusht 11, 2017 - 08:36

Kryesuesi i seancës së Kuvendit, Adem Mikullovci, ka thënë se nuk do të ketë më takime konsultative mes partive, pavarësisht se koalicioni PAN ka kërkuar që një takim i tillë të mbahet të mërkurën e ardhshme, shkruan sot, gazeta Zeri.

Mikullovci në një intervistë për gazetën “Zëri” ka konsideruar se koalicioni PAN është duke e zvarritur qëllimisht procesin e krijimit të institucioneve. Kjo pasi që, sipas tij, PAN-i ose nuk i ka numrat, ose ka përçarje mes vetë koalicionit.

Sipas tij, një bllokadë e tillë mund të zgjasë deri në zgjedhjet lokale (të cilat do të mbahen më 22 tetor). Por, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që për shkak të mangësive të Kushtetutës një gjë e tillë të zgjasë deri në pafundësi.

Gjatë bisedës ai ka thënë se veprimet e PAN-it do ta dëmtojë tejet shumë shtetin e Kosovës. Mikullovci po ashtu është kundërpërgjigjur ndaj akuzave të PAN-it, sipas të cilave ai po e keqpërdor pozitën dhe po e thirr seancën kokë më vete.

Me këtë rast deputeti më i moshuar i Legjislaturës së Gjashtë ka thënë se një gjë e tillë është gënjeshtër e paskrupullt.

Veprimi i PAN-it e dëmton jashtëzakonisht Kosovën

Deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës ka konsideruar se vendimi i PAN-it që ta bojkotojë seancën e dëmton tej mase Republikën e Kosovës.

“Po e dëmtojnë Kosovën jashtëzakonisht shumë. Kanë bllokuar të gjitha resurset shtetërore. Janë njerëz të paskrupullt, qe 18 vjet janë duke vepruar në këtë mënyrë”, ka potencuar Mikullovci.

Ndërkohë është shprehur i bindur se edhe atyre së shpejti do t’u vijë fundi.

“Por le ta dinë nga Adem Mikullovci që çdo e keqe, dashur e padashur, e ka fundin e vet. Fundi u ka ardhur”, është shprehur ai më tej.

Mikullovci ka folur edhe për akuzat e PAN-it në drejtim të tij, që kinse ai po e keqpërdor pozitën e kryesuesit. Me këtë rast deputeti më i moshuar i Kuvendit ka thënë se një gjë e tillë është krejtësisht e pavërtetë. Madje ka bërë të ditur se asnjë seancë nuk është caktuar pa konsultim me të gjitha partitë.

“Nuk është e vërtetë aspak, urdhëroni shkoni, për çdo mbledhje e gjeni çdo nënshkrim të përfaqësuesve të tjerë të partive politike. Unë asnjë seancë nuk e kam caktuar pa u konsultuar me ta, me vetë PAN-in, me vetë Enverin”, ka shtuar ai.

Madje Mikullovci është shprehur i bindur se përfaqësuesit e PAN-it po gënjejnë në mënyrën më të keqe të mundshme lidhur me këtë çështje.

“Ata po rrejnë kështu, në mënyrë të paskrupullt”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, i pyetur nëse ai personalisht do ta votojë apo jo kandidatin e koalicionit PDK-AAK-Nisma për kryeparlamentar, Kadri Veselin, duke mos pohuar e as mohuar, ka thënë se vota e tij është e drejta e tij personale.

“Kë e votoj, kë s’e votoj ajo është e drejta ime”, ka potencuar Mikullovci.

Zvarritja e PAN-it, e qëllimshme

Kryesuesi i seancës konstituive ka thënë se nuk do të ketë më mbledhje konsultative për ta caktuar seancën.

“Konsultime më nuk ka”, ka deklaruar Mikullovci gjatë një bisede për “Zërin”.

Ai më tej ka konsideruar se koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) është duke e zvarritur qëllimisht zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe krijimin e institucioneve.

Kjo pasi PAN-i ose nuk i ka numrat, ose ka probleme serioze brenda vetë koalicionit.

“Ky është kalkulim, bllokim, zvarritje me qëllim derisa ose nuk i kanë numrat, ose kanë  mosmarrëveshje mes vete si koalicion”, ka shtuar ai.

Bllokada mund të zgjasë deri në zgjedhjet lokale

Më tutje 77-vjeçari ka konsideruar se një zvarritje e tillë mund të vazhdojë deri në zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen pas dy muajsh.

“Unë mendoj që punën do ta zvarrisin ndoshta deri në zgjedhjet lokale. Ky është mendimi im, ndoshta edhe i gabueshëm. Njëra ndër ato, ekziston mundësia që nuk i kanë edhe ata një ose dy numra sa u duhen. Ekziston mundësia që edhe vetë koalicionit mes vete u ka hyrë përçarja, s’po mund të merren vesh për të ardhmen në ndarjen e posteve”, ka shtuar ai gjatë bisedës.

Ndërkohë ka konsideruar se bllokada mund të zgjasë edhe më shumë. Kjo pasi që, siç ai është shprehur, Kushtetuta e Kosovës ka mangësi të shumta.

“Kushtetuta kishte mangësi të mëdha, s’e kam ditur. Unë nuk e di deri kur mund të zgjasë kjo punë kështu. Kjo mund të zgjasë me muaj, në pafundësi. Unë atëherë nuk jam jurist, nuk jam profesionist, nuk e njoh Kushtetutën aq mirë, kështu që nuk kam përgjigje”, ka nënvizuar ai.