Krasniqi: Të gjithë deputetët e PAN-it e votojnë Ramushin

Krasniqi: Të gjithë deputetët e PAN-it e votojnë Ramushin

Aktuale korrik 15, 2017 - 13:30

Deputeti i koalicionit PAN, Memli Krasniqi, ka deklaruar për “Zërin” se të gjithë deputetët e këtij koalicioni do ta votojnë Ramush Haradinajn për kryeministër.

“Të gjithë deputetët e koalicionit tonë janë fuqishëm në mbështetje të mandatarit tonë dhe të platformës qeverisëse që do ta zbatojë Qeveria jonë në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Krasniqi për “Zërin”.

Ndërkaq, partitë tjera politike janë shprehur të bindur se nuk do të ketë asnjë deputet të tyre që do ta përkrahë kandidatin e PAN-it për kryeministër.

Shkodran Hoti nga lëvizja “Vetëvendosje” ka bërë të ditur se në LVV nuk ka mungesë uniteti për çështjen e votimit të Haradinajt për kryeministër. Ai përsëriti se nuk do të votojnë për atë që i është bashkuar, siç tha ai, klanit “Pronto”.

“Asnjëherë nuk ka pasur mungesë uniteti në mesin tonë, në çështje të këtilla. Gjithsesi që askush nga ne nuk e voton Haradinajn. Ne në vazhdimësi bëjmë thirrje që të kemi ndërrim të mendësisë së qeverisjes, gjë që bëhet duke e larguar nga pushteti klanin “Pronto”, të cilit Haradinaj iu hodh në krahë”, ka thënë Hoti për "Zërin".