Mbi 1.5 miliard euro të hyra vjetore nga diaspora

Aktuale April 15, 2017 - 08:17

Ministri i Diasporës, Valon Murati, gjatë një interviste për “Zërin” ka bërë të ditur se të hyrat vjetore nga diaspora në Kosovë kalojnë shifrën prej 1.5 miliard eurosh, duke përfshirë këtu 665 milionë euro remitanca, 676 milionë euro shpenzime të udhëtimit dhe 180 milionë euro investime direkte.

Vendet e rezervuara për diasporën në Kuvendin e Kosovës do të ishin zgjidhja më optimale për përfaqësimin e tyre në institucionet kosovare. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ministri për Diasporën në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati.

Megjithatë, sipas Muratit, kjo iniciativë do të duhet të presë për një kohë, për shkak të vështirësive në ndryshimet kushtetuese dhe vetos së pakicës serbe, gjë që u pa edhe në tentativën për krijimin e ushtrisë.

Ndërsa, duke folur për punën e Ministrisë së Diasporës në ndërtimin e infrastrukturës ligjore, por edhe për shtrimin e rrjetit të shtetit në mesin biznesmenëve kosovarë në diasporë ministri Murati ka thënë se Ministria ka ndihmuar në krijimin e 23 rrjeteve të bizneseve të diasporës, të cilat sot veprojnë të pavarura. 

Madje, sipas tij, kohët e fundit është bërë një punë e mirë edhe me lirimin e pronave të uzurpuara, e cila do të ndikojë në krijimin e një ambienti më të favorshëm për bizneset.

Kurse, duke folur për problemet që mërgimtarët kosovarë po kanë gjatë ardhjes në vendlindje, në veçanti në Serbi, ai ka thënë se Ministria në bashkëpunim me Zyrën dhe Policinë e Kosovës do t’u dalin në ndihmë sa herë që të jetë nevoja.

Zëri: Z. Murati, diaspora është parë deri më tani kryesisht vetëm si një burim për remitanca, si një burim që duhet shfrytëzuar dhe jo si partner. Çfarë do të bëni ju për ta ndryshuar këtë perceptim?

Murati: Në radhë të parë më duhet të pohoj se çfarëdo trajtimi i diasporës vetëm si burim i remitancave apo edhe vetëm si mundësi për të investuar në Kosovë është krejtësisht i gabuar dhe jo i drejtë. Për më tepër nuk përkon me realitetin. Diaspora është shumë më tepër sesa financa. Ajo sot mbi të gjitha është një resurs njerëzor i jashtëzakonshëm. Sot në diasporën tonë ne gjejmë akademikë, ekspertë të fushave të ndryshme, njerëz të kulturës e të artit, sportistë, studentë, biznesmenë, politikanë, njerëz publikë të respektuar të vendeve ku jetojnë. Duke qenë kaq e llojllojshme edhe ne po përpiqemi të vendosim raporte partneriteti me diasporën, duke identifikuar këto vlera të jashtëzakonshme. Në këtë drejtim qasja ime që nga fillimi ka qenë ai i vendosjes së një raporti partneriteti, i një partneriteti nga i cili do të përfitojmë të gjithë. Andaj me këtë logjikë edhe kemi punuar dhe jemi duke punuar si në fushën e arsimit, kulturës, biznesit, po ashtu edhe në atë për ofrimit të studentëve dhe ekspertëve nga diaspora me projekte të ndryshme afër Kosovës.

P.sh. në grupin punues për tërheqjen e investimeve nga diaspora, që është pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik e i cili udhëhiqet nga unë, kemi përfshirë edhe përfaqësuesin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare dhe në vazhdimësi kërkojmë nga ky rrjet që të jetë aktiv në komentet për politikat qeveritare dhe praktikat administrative dhe të japë propozime konkrete për përmirësimin e tyre. Kemi realizuar projekte ku kemi afruar avokatët dhe juristët e diasporës me ata nga Kosova, ku kemi afruar të rinjtë dhe studentët me ata në Kosovë, por njëkohësisht i kemi përfshirë ata në internshipe në institucionet e Kosovës e tash po synojmë që atë ta realizojmë edhe në sektorin privat dhe atë të shoqërisë civile. Gjithashtu, Ministria e Diasporës përmes projektit të saj mbështet financiarisht sjelljen e ekspertëve të diasporës sonë në Kosovë për t’i ofruar njohuritë e tyre si për bizneset tona, ashtu edhe për organizatat e ndryshme joqeveritare. Ne tash jemi në fazën përfundimtare të futjes në një projekt shumë të rëndësishëm e që do të trajtojë pikërisht çështjen e remitancave. Kemi përgatitur projektin e granteve korresponduese në bujqësi dhe teknologji informative e që për qëllim ka që të përkrahen projekte në këto fusha e të cilat do të kombinonin 25.000 euro remitanca nga bashkatdhetari dhe 25.000 euro nga Qeveria në një projekt 50.000 eurosh në bujqësi apo 40.000 eurosh në teknologji informative (në këtë rast 20.000+20.000 euro). Tani jemi në fazën kritike kur duhet edhe miratimi final nga Qeveria në mënyrë që ky pilotprojekt të përfshihet edhe në buxhetin e këtij viti kur të bëhet rishikimi i tij në qershor e që realisht pastaj do të mundësonte fillimin e realizimit të tij.   

Mbi 1.5 miliard euro të hyra në vit nga diaspora

Zëri: Sa është shuma e mjeteve që vijnë nga diaspora dhe ku po shkojnë ato?

Murati: Nëse i referohemi shifrave të fundit të përpunuara nga BQK-ja dhe pas përdorimit të metodologjisë së re për të përcaktuar këto të hyra, për vitin 2015 remitancat janë 665 milionë euro, shpenzimet e udhëtimit të emigrantëve 676 milionë euro dhe investimet direkte 180 milionë euro. Bashkërisht në vitin 2015 llogaritet se në Kosovë nga diaspora kanë hyrë 1 miliard e 522 milionë euro. I njëjti trend pritet të mbahet edhe për vitin 2016 (deri në tetor 2016 ka qenë 1 miliard e 431 milionë euro). Kjo situatë jam i vetëdijshëm që nuk do të zgjasë përjetë, andaj ne do të duhej të ishim më të fokusuar në tërheqjen e investimeve dhe në përpjekjet që një pjesë të remitancave të kanalizojmë në investime, për të cilën gjë siç shpjegova më lart jemi duke punuar në projektin e granteve korrseponduese.

Largimi i uzurpatorëve nxit investimet

Zëri: Z. Ministër, investimet e mërgimtarëve në Kosovë së fundmi duket se janë në rënie. Çfarë ka bërë Qeveria që t’i përmirësojë kushtet për bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë të investojnë?

Murati: Pavarësisht pohimeve të ndryshme që jepen në mediet tona apo edhe përceptueshmërisë të hyrat nga diaspora duke përfshirë remitancat nuk kanë pasur deri më tani ndonjë trend rënie, por mund të themi se momentalisht trendi i të hyrave nga diaspora tregon rritje. Më shumë mund të jemi të pakënaqur me strukturën e investimeve nga diaspora në njërën anë dhe në anën tjetër me faktin se një numër i konsiderueshëm i mjeteve futen si remitanca, të cilat ndihmojnë mbijetesën socio-ekonomike, por janë kryesisht të dedikuara për konsum. Ajo që duhet të konstatohet dhe shpesh të injorohet është se edhe sot një pjesë e mirë e bizneseve të rëndësishme kanë ardhur si investime nga diaspora. Mendoj se deri më tani është bërë një punë e mirë në politikat fiskale, të cilat kanë ecur në drejtimin e ndihmës për ndërmarrësit vendorë. Kohët e fundit është duke u bërë një punë e mirë edhe me lirimin e pronave të uzurpuara, për të cilën gjë kam insistuar dhe vazhdoj të insistoj ende dhe e cila situatë duke qenë se ka prekur shumë ndërmarrës nga diaspora do të ndikojë në krijimin e një ambienti më të favorshëm për bizneset.

Në anën tjetër na duhet të punojmë ende shumë për të krijuar një ambient të sundimit të ligjit, e sidomos të funksionimit më efikas të gjykatave. Energjia elektrike për të cilën po punohet dhe fuqia punëtore e kualifikuar janë gjithashtu probleme që kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë për zgjidhje. Përndryshe, ne si Ministri qoftë përmes Departamentit për Investime, qoftë përmes grupit punues për tërheqjen e investimeve nga diaspora, por edhe qoftë përmes angazhimit tim personal kemi qenë në shërbim të vazhdueshëm qoftë të bizneseve, të cilat kanë pasur probleme të caktuara, po ashtu kemi shërbyer edhe si derë e parë e sigurt për të marrë informatat e para për mundësitë e investimeve. Që nga fillimi kam qenë shumë i angazhuar në konsolidimin e mekanizmave që do të merren me investitorët nga diaspora, andaj edhe në vazhdimësi kam bërë thirrje që për të gjitha ankesat mos te hezitojnë të na kontaktojnë e në anën tjetër të gjithë ata që synojnë të investojnë, gjithashtu të ndjekin rrugët zyrtare qoftë përmes Ministrisë së Diasporës apo dikastereve të tjera qeveritare, qoftë përmes rrjeteve të bizneseve të diasporës sepse kështu u iket të gjitha mundësive që dikush të manipulojë apo t’i keqpërdorë bizneset që duan të investojnë në Kosovë. 

Zëri: Duke parë se gjeneratat po ndërrohen, çfarë jeni duke bërë që gjeneratat e reja të bashkatdhetarëve t’i mbani të lidhura me Kosovën?

Murati: Është e vërtetë se mbajtja e lidhjeve me gjeneratat e dyta dhe të treta të bashkatdhetarëve paraqet sfidë të veçantë. Andaj ne i kemi kushtuar rëndësi arsimit shqip në diasporë duke e ndihmuar këtë mësim me të gjitha mundësitë tona, por edhe duke bërë përpjekje që ta shndërrojmë në temë të një rëndësie fundamentale për të dyja qeveritë, për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe atë të Republikës së Shqipërisë. Ne kemi një marrëveshje me Republikën e Shqipërisë për organizimin e mësimit shqip në diasporë, marrëveshje që po shpresojmë në mbledhjen e radhës do të plotësohet edhe me komponentin financiar. Ne tani, me potencialin tonë organizojmë 6 ekskursione për nxënësit nga diaspora, organizojmë kuizet e diturisë, olimpiadën sportive, kampin veror etj., të gjitha këto në funksion të mbajtjes së lidhjeve me atdheun. 

Përveç kësaj ne organizojmë edhe aktivitete kulturore si në diasporë, ashtu edhe në Kosovë. Vlen të përmenden Ditët e Kulturës Shqiptare, të cilat i organizojmë qe dy vjet dhe të cilat kanë bërë përpjekje të përçojnë një mesazh vlerash edhe tek vendet ku jeton diaspora jonë. Gjithashtu afër 200 aktivitete kulturore, muzikore, sportive së bashku me institucione të ndryshme i organizojmë gjatë verës në Kosovë kur bashkatdhetarët vijnë këtu, aktivitete të cilat i mbajmë nën moton “Ti je pjesë e atdheut”.  Unë jam i bindur se ne duhet edhe më tepër të angazhohemi dhe sidomos në fushën e ndihmës për arsimin shqip. Andaj nëse arrihet të nënshkruhet dhe të fillojë të realizohet pjesa financiare e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Shqipërisë ky do të ishte hapi i duhur drejt mbajtjes dhe fuqizimit të lidhjeve të gjeneratave të reja me atdheun. Nëse do të ketë hezitime në këtë drejtim, atëherë do të vështirësohet jashtëzakonisht shumë mbajtja e lidhjeve me diasporën, do të rrezikohet identiteti i saj kombëtar dhe do të krijohen kushtet që hapësirën e shkollës shqipe dhe identitetit kombëtar shqiptar ta zënë dukuri që mund të jenë jashtëzakonisht të dëmshme për diasporën dhe për Kosovën.

Zëri: Sa i jepet rëndësi dhe hapësirë diasporës kosovare në vendlindje. Deri më tani mërgimtarët janë ankuar qoftë edhe për vështirësitë e nxjerrjes së dokumenteve?

Murati: Ne i trajtojmë me shumë kujdes dhe me vëmendje vërejtjet e bashkatdhetarëve tanë në të gjitha fushat. Si rezultat ne kemi arritur që të mobilizohemi si institucione gjatë ardhjes së tyre, sidomos në periudhën e verës. Ne punojmë afër me komunat dhe institucionet e tjera që ato të jenë sa më të mobilizuara sidomos gjatë kësaj periudhe. Mund të konstatoj se me të gjitha vështirësitë shërbimet komunale kanë pësuar rritje viteve të fundit dhe gjatë periudhës së verës shumica e tyre caktojnë edhe orare shtesë për t’iu përgjigjur kërkesave të bashkatdhetarëve. Në anën tjetër ne në Ministri çdo ankesë që marrim nga bashkatdhetarët për çështje të tilla e trajtojmë me institucionet përkatëse dhe bëjmë përpjekje që për çdo rast të japim një përgjigje apo zgjidhje të merituar.

Janë regjistruar 380 mijë pjesëtarë të diasporës

Zëri: A keni një shifër të saktë se sa kosovarë janë në diasporë dhe cili është raporti që Ministria juaj e ka vënë me ta?

Murati: Ne nuk kemi një shifër të saktë dhe sigurisht që një shifër e tillë është vështirë të konstatohet. Sidoqoftë, ne deri më tani kemi regjistruar diku afër 380.000 pjesëtarë të diasporës në procesin e regjistrimit, të cilin jemi duke e realizuar. Ne shumë shpejt do të dalim me të dhëna më të plota nga ky proces e i cili do të trajtojë edhe anë të tjera statistikore të dobishme për njohjen më të mirë të diasporës. Ne e kemi përfunduar regjistrimin fizik dhe tani ky proces do të vazhdojë përmes regjistrimit online, andaj edhe fokusimi ynë në të ardhmen do të jetë në regjistrimin online.

Zëri: A duhet të ketë vende të rezervuara për diasporën në Kuvend?

Murati: Unë mendoj se vendet e rezervuara për diasporën në Kuvendin e Kosovës do të ishte zgjidhja më optimale për përfaqësimin e diasporës në institucionet e Kosovës. Sidoqoftë, unë e kam bërë me dije në vazhdimësi se kjo nuk është një rrugë e lehtë sepse për këtë rregullim ligjor nevojiten ndryshimet kushtetuese. Ndërsa ndryshimi i Kushtetutës po shihet edhe në rastin e procesit të krijimit të ushtrisë se sa vështirë është i realizueshëm, për shkak të përdorimit të drejtës së vetos së deputetëve të pakicave, përkatësisht të atyre që përfaqësojnë komunitetin serb. Kështu që pavarësisht asaj, unë jam përpjekur që ta shtyj këtë si koncept në një plan afatshkurtër, është vështirë i realizueshëm. Kjo nuk duhet të na ndalojë që ne ta trajtojmë këtë seriozisht dhe kur të krijohen rrethanat e favorshme edhe ta realizojmë.

Zëri: U premtua vitin e kaluar se diaspora nuk do të plaçkitet në kufi me polica të sigurimit. Këtë vit vazhdon situata e njëjtë, madje nuk është bërë e mundur pagesa e tyre online, duke mos krijuar kolona të gjata në kufi?

Murati: Fillimisht konsideroj që termi “plaçkitet”, pavarësisht faktit që është shumë i popullarizuar, është term shumë i vrazhdë. Më e drejtë do të ishte të thuhet se kjo është një padrejtësi që i shkaktohet Kosovës dhe më pas edhe bashkatdhetarëve që vijnë në Kosovë, por edhe qytetarëve të Kosovës që dalin jashtë dhe bizneseve. Të gjithë ata që e njohin fushën e sigurimeve të automjeteve e dinë që çdo automjet duhet të jetë i mbuluar me sigurim në çdo territor apo shtet nëpër të cilin qarkullon, sepse në rast aksidenti, të aksidentuarëve duhet t’u kompensohen dëmet. Duke qenë se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, nuk mund të jetë as anëtare e Këshillit Evropian të Byrove, që njihet si Kartoni i Gjelbër. Rrjedhimisht, sigurimi që paguhet në shtetet që janë pjesë e Kartonit të Gjelbër, nuk është i vlefshëm edhe në Kosovë. Kjo jo për shkak se nuk dëshiron Kosova, por për shkak se kompanitë e sigurimit në vendet e BE-së nuk e marrin përsipër mbulimin e dëmeve të shkaktuara në territorin e Kosovës. Pra, praktikisht, Kosova është lënë jashtë zonës së mbulimit të këtij Kartoni.

Duke qenë situata e tillë, pra shumë komplekse dhe që varet edhe nga politika ndërkombëtare, personalisht nuk kam bërë asnjëherë një premtim se nuk  do të ketë pagesa të sigurimeve kufitare. Në anën tjetër, jam angazhuar që nga fillimi i mandatit tim dhe jam duke e bërë këtë edhe tani që të gjendet ndonjë zgjidhje e përkohshme derisa të krijohet mundësia për t’u anëtarësuar në Kartonin e Gjelbër. Si rezultat edhe i punës që kam bërë unë dhe Ministria e në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, nga viti 2015 kemi përgjysmim të tarifës së sigurimit kufitar. Gjithashtu që nga viti i kaluar kam insistuar që si një mekanizëm lehtësues të mundësohet pagesa online e tarifave të sigurimit kufitar. Për këtë çështje jam në kontakt të vazhdueshëm me BKS-në dhe kohët e fundit kjo çështje ka ngecur edhe për shkak të vështirësive të realizimit teknik të këtij projekti në raportet Polici e Kosovës dhe BKS.

Po shpresoj që sa më shpejt të zgjidhen këto vështirësi teknike në mënyrë që së paku të krijohen kushtet për pagesën online. Megjithatë, sa i përket radhëve të gjata të pritjes dua të bëj një sqarim dhe ta përsëris një njoftim të cilin ne e bëjmë vazhdimisht. Pagesa e sigurimeve kufitare është një faktor që ndikon në zgjatjen e pritjes, por nuk është i vetmi. Fluksi i madh i bashkatdhetarëve, i cili përqendrohet kryesisht në pikat kufitare Merdare e Dheu i Bardhë dhe procedurat e rregullta e të domosdoshme të kontrollimit të dokumentacionit janë faktorët e tjerë që ndikojnë shumë në këtë drejtim. Prandaj, me këtë rast dua të bëj thirrje edhe përmes mediumit tuaj që bashkatdhetarët tanë t’i shfrytëzojnë edhe pikat e tjera kufitare në të cilat nuk ka pritje fare. Në funksion të kësaj, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme është tabela me informacione për gjendjen në të gjitha pikat kufitare, e cila freskohet vazhdimisht me të dhënat e fundit. Gjithashtu nga ky vit do të fillojë edhe ndërtimi i terminaleve të reja doganore në Merdare, por edhe në disa pika të reja e të cilat duke qenë se do t’i rrisin kapacitet hyrëse dhe dalëse në të ardhmen gjithashtu do t’i lehtësojnë dhe do t’i zvogëlojnë pritjet në kufi.