Thaçi: Ushtria do të bëhet, s’pyetet Serbia

Aktuale March 17, 2017 - 08:05

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të transformohet në ushtri dhe asgjë e askush nuk do ta ndalë këtë proces dhe për këtë nuk do të pyetet as Serbia. Këto janë fjalët që presidenti Hashim Thaçi i ka ripërsëritur edhe një herë gjatë një takimi me mediet serbe dje në Çagllavicë, në të cilin ka shtjelluar imtësisht nismat e fundit.

Thaçi ka thënë se me projektligjin e ri FSK-ja merr mision dhe detyra që e bëjnë atë një ushtri moderne, profesionale, multietnike dhe të gatshme për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Duke u ndërlidhur me kundërshtimet e Beogradit për themelimin e ushtrisë së Kosovës, Thaçi ka thënë se dialogu me Serbinë që po zhvillohet në Bruksel ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve, por nuk do të përfshijë edhe çështjet e interesave që i takojnë shtetit të Kosovës. “Vuçiq mund të bëjë fushatë në Serbi edhe t’i fitojë zgjedhjet, por ushtria e Kosovës do të themelohet”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Sipas presidentit, aspiratën për transformimin e FSK-së në ushtri Kosova e ka bërë të njohur për të gjithë qe një kohë të gjatë. “Këtë aspiratë tonën e kanë përkrahur edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Por mbi të gjitha, aspiratën për ta pasur ushtrinë tonë e kanë mbështetur, në fakt e kanë kërkuar, të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie etnike, fetare apo politike”, ka thënë ai.

Rrethanat në Ballkan bëjnë që Kosova të ketë nevojë për ushtri

Sipas presidentit Thaçi, transformimin e FSK-së e bëjnë të nevojshëm edhe zhvillimet në rajon dhe nevoja që Kosova t’i forcojë mekanizmat mbrojtës të vendit.

“Ngurrimi i Bashkimit Evropian që ta afrojë Kosovën, si dhe tërë Ballkanin Perëndimor, i ka hapur rrugë ndikimeve të tjera në rajonin e Ballkanit”, ka thënë ai duke shtuar, “këtu e kam fjalën për çdo politikë apo ideologji radikale, ekstremiste, nacionaliste, që kërkon ta destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor për interesa dhe për përfitime të veta dhe në dëm tonin dhe të ardhmërisë sonë”, ka thënë presidenti Thaçi. Ai ka thënë se këto ndikime të tjera janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Prandaj, sipas tij, ishte urgjente që menjëherë posa FSK-ja arriti nivelin e duhur të profesionalizmit, të ndërmerren hapat që e avancojnë misionin dhe detyrat e FSK-së. “Kjo bëhet për t’i ngritur kapacitetet tona që të mbrohemi nga kërcënimet aktuale dhe të ardhshme për Kosovën dhe për tërë rajonin tonë”, ka thënë presidenti. Thaçi ka ripërsëritur edhe një herë se Kosova do të ruajë me çdo kusht partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht partneritetin dhe miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ky partneritet është ndërtuar mbi interesat e përbashkëta për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, mbi vlera e parime të njëjta që ndajmë me SHBA-në dhe me BE-në. Për shkak të kësaj FSK-ja asnjëherë nuk do të veprojë pa u koordinuar me KFOR-in dhe NATO-n sepse qëllimin dhe misionin e kemi të njëjtë”, ka thënë ai.

Serbia, burim i nacionalizmit si kërcënim për rajonin

Presidenti ka folur edhe për dialogun me Serbinë. Ai ka treguar se Kosova ka kërkuar që ky proces të marrë kualitet të ri që do ta kthejë në proces për pajtim, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë. “Megjithatë, Serbia ndaj Kosovës ruan të njëjtat politika që kanë shkaktuar luftë”, ka thënë presidenti Thaçi. “Pra, Serbia ende nuk është një partner konstruktiv, qoftë në Kosovë, qoftë në rajon, por është burim i nacionalizmit që përjetohet si kërcënim për tërë rajonin”, ka shtuar ai. Ai ka përmendur edhe pengesat të cilat shteti serb ia ka bërë Kosovës deri më sot. “Serbia vazhdon ta pengojë shtetin e Kosovës në çdo hap, vazhdon ta pengojë konsolidimin e Kosovës madje edhe kur kjo është në dëm të tërë rajonit, paqes, sigurisë dhe pajtimit në tërë rajonin tonë”, ka thënë ai.

Lista Serbe të kthehet në Kuvend, Asociacioni do të bëhet

Në fjalimin e tij presidenti Thaçi ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ai po ashtu u ka bërë thirrje edhe një herë përfaqësuesve politikë të qytetarëve serbë të Kosovës që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës. “Interesat e qytetarëve që u kanë dhënë votën më së miri mbrohen duke marrë pjesë në punën e institucioneve e jo duke i bojkotuar ato”, ka thënë presidenti Thaçi. Ai ka thënë se ndoshta është interes i Serbisë që t’i mbajë jashtë institucioneve të Kosovës përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, por kjo definitivisht nuk është në interes të vet qytetarëve serbë në Kosovë.

“Na presin vendime të rëndësishme për të gjithë ne, jo vetëm ky për FSK-në, por edhe vendime të tjera strategjike, si ai për Asociacionin, Demarkacionin e të tjerë”, ka thënë ai duke shtuar: “autoritetet e Kosovës janë përcaktuar për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë kornizat ligjore brenda të të cilave do të ndërtohet ky Asociacion”, ka thënë ai.
Krejt në fund ai i ka bërë thirrje edhe një herë Listës Serbe që të kthehet në Kuvend. “Ne dëshirojmë që edhe kjo iniciativë të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përfshijë ata që do të përfitojnë nga Asociacioni. Prandaj edhe një herë i ftoj liderët politikë të serbëve të Kosovës që sa më parë të kthehen në institucione dhe të vazhdojmë bashkëpunimin në frymën e dialogut dhe mirëkuptimit që kemi ndërtuar tërë këto vite”, ka përfunduar ai.