Infektuar: 1110
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Vite të mbrapshta!
Foto: Laura Hasani

Vite të mbrapshta!

Aktuale February 18, 2017 - 08:11

Për nëntë vjet mëvetësi Kosova nuk ka arritur ta zhvillojë ekonominë dhe ta zvogëlojë papunësinë, ka shkallë të lartë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe ka mbetur vendi i vetëm pa liberalizim të vizave për në Zonën Shengen, shkruan sot, gazeta Zeri.

Edhe pas nëntë vjetëve pavarësi Kosova ballafaqohet me zhvillim të ulët ekonomik dhe shkallë të lartë të papunësisë. Korrupsioni, si dhe krimi i organizuar për çdo vit e “njollosin” vendin në raportet ndërkombëtare, për pasojë të së cilës, duke përfshirë këtu edhe mosratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, po shtyhet liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian.

Ky është vlerësimi i njohësve ndërkombëtarë dhe vendorë për Kosovën nëntë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, duke shtuar se shteti më i ri në Evropë vazhdon të përballet me probleme të vjetra.
Kurse si suksese të këtyre nëntë vjetëve përmenden konsolidimi i institucioneve, zgjedhjet demokratike, përpjekjet për integrimin e minoriteteve, si dhe 113 njohjet ndërkombëtare.

 Lunacek: Kosova ka arsye për të festuar

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e këtij institucioni për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka thënë për “Zërin” se pas finalizimit të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim (vitin e kaluar) dhe vetëm disa hapa larg drejt rrugës së liberalizimit të vizave ka arsye të mira për ta festuar Ditën e Pavarësisë. Madje Lunacek ka thënë se në këtë ditë duhet të përkujtohet ish-presidenti Ibrahim Rugova, që, sipas saj, është një simbol i luftës jo të dhunshme.

Eurodeputetja Lunacek i ka inkurajuar të gjitha partitë politike që të vazhdojnë punën e tyre për Kosovën përmes sjelljeve konstruktive dhe frymës evropiane, ndërsa ka dënuar dhunën në Kuvend.

“Presidenti Rugova u tha qytetarëve të Kosovës shumë qartë: ‘Vizioni im është që vendi ynë duhet të integrohet në BE, për të transferuar një pjesë të pavarësisë sonë atje. Ajo është gjithashtu detyra jonë për të bërë atë, në qoftë se ne duam të përforcojmë tregtinë dhe të kemi një ekonomi të shëndoshë. Ky është vizioni që unë jam duke punuar dhe unë do të vazhdoj të punoj në të ardhmen’”, është shprehur Lunacek, duke thënë se  

në këtë kuptim për të perspektiva e Kosovës është e qartë: “pajtimi në rajon dhe integrimin në BE”.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian për Kosovën ka thënë se Kosova ka përmbushur pothuajse të gjitha standardet porse kanë mbetur edhe dy kritere të plotësohen. Prandaj Lunacek thotë se “topi” është në duart e Kosovës.

“Tani topi është në duart e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë. Ngërçi i tanishëm duhet të marrë fund. Dy kërkesat e mbetura mund dhe duhet të përmbushen nga Kosova së shpejti: ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi është një domosdoshmëri dhe sigurisht Qeveria e Kosovës duhet të paraqesë referencën e dytë: përparimin e mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, gjë që duhet të jetë i dukshëm. Korrupsioni është ende i përhapur, siç është rasti në vendet e tjera të rajonit”, ka potencuar Lunacek, duke thënë se të gjitha raportet e saj për Kosovën i bëjnë thirrje Qeverisë në Prishtinë për të marrë hapa konkretë për të luftuar në mënyrë më efikase korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe në radhët e veta.

Tri problemet e mëdha të Kosovës

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka folur edhe për tri problemet më të mëdha, më urgjente me të cilat duhet të merret Kosova.

“E para: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar siç u përmend më lart - për shembull, emërimet në punë, veçanërisht në administratë, duhet të jenë të bazuara në merita dhe tenderët duhet të bëhet në mënyrë transparente. E dyta: duke folur në aspektin ekonomik, investimi është i ulët, infrastruktura dhe shërbimet publike (p.sh. shëndetësia, edukimi) duhet të përmirësohen me shpejtësi. Më shumë vende pune duhet të krijohen për të rinjtë dhe gratë - papunësia e grave është një nga më të lartat në rajon. Kosova ka nevojë për të gjitha talentet e qytetarëve të saj, grave dhe burrave njësoj”, ka vlerësuar Lunacek. Ndërsa problemi i tretë, sipas saj, është hedhja e përgjegjësisë tek të tjerët. Ajo thotë se kosovarët duhet të marrinë përgjegjësinë për atë që po ndodh në Kosovë dhe se për problemet nuk duhet të fajësohet më "Serbia", "BE-ja", "ndërkombëtarët", "EULEX-i" ose ndonjë tjetër.

“Por sigurisht edhe BE-ja ka për të ofruar. PE-ja dhe unë i kemi bërë thirrje përsëri pesë shteteve ngurruese, të cilat janë anëtare të BE-së, të heqin dorë nga rezistenca e tyre dhe ta njohin Kosovën. Ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë do të ishte shumë më i fortë me të gjitha shtetet anëtare të BE-së duke vepruar të bashkuar. Raporti im i ardhshëm për Kosovën sigurisht se do të, ndër të tjera, përsëritë kërkesën për pesë vendet e pabindura dhe t'u bëjë thirrje atyre që më në fund të pranojë ekzistencën e Republikës dhe të njohin Kosovën pa vonesë”, ka shtuar Lunacek.

Megjithatë, ajo ka thënë se kjo rezolutë (si shumë të tjera në fushën e Punëve të Jashtme) nuk do të jetë detyruese për shtetet anëtare dhe se me vetëm disa përjashtime (si Britania e Madhe) të 23 vendet e tjera njohëse janë përkulur, duke shikuar dhe duke pritur, në vend të të qenit aktiv që të bëjnë trysni për njohje.

“Dhe me siguri se qëllimi im dhe i Bashkimit Evropian është që t’i ketë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në gjirin e vet, shpresojmë se në 10 vjetët e ardhshme edhe Kosova të jetë afër përmbushjes së legjislacionit të BE-së”, ka përfunduar Lunacek.

 Bugajski: Konsolidimi i institucioneve dhe njohjet, sukseset e Kosovës

Ndërsa, analisti Janusz Bugajski ka thënë për “Zërin” se në mesin e sukseseve të Kosovës në këto nëntë vjet janë: konsolidimi i institucioneve, njohjet dhe fillimi i anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Që nga Pavarësia Kosova ka arritur disa suksese. Ajo ka ndërtuar dhe ka konsoliduar institucionet e saj kombëtare, ka mbajtur një sërë zgjedhjesh demokratike, ka zhvilluar një opozitë të gjallë, është përpjekur të integrojë pakicat e veta etnike në strukturën e shtetit, fitoi njohje të gjerë ndërkombëtare dhe ka filluar procesin e integrimit në organizatat kryesore ndërkombëtare”, ka vlerësuar Bugajski.

Megjithatë, ai ka thënë se autoritetet kosovare nuk kanë bërë mjaftueshëm për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe mungesa e zhvillimit ekonomik. Sipas Bugajskit, Kosova duhet t’i zbatojë marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi, si dhe ta formojë ushtrinë.

“Në të njëjtën kohë, masat e autoriteteve të Kosovës kanë qenë të pamjaftueshme në luftimin e korrupsionit zyrtar dhe krimit të organizuar për të nxitur rritjen ekonomike dhe investimet e huaja dhe ta lidhin Kosovën me ekonominë globale. Hapat shtesë në zhvillimin e Kosovës duhet të përfshijnë finalizimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të saj me Malin e Zi dhe me Serbinë, duke krijuar forcat e veta të armatosura dhe duke kontribuuar në NATO, si ofruesi i domosdoshëm i sigurisë së Evropës”, ka përfunduar Bugajski.

 Thaçi krenohet me rregullimin e infrastrukturës

Kurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se gjatë kësaj periudhe është punuar shumë për përmirësimin e infrastrukturës.

“Sa është ndërtuar shteti ynë? Janë ndërtuar qytetet, fshatrat, janë ndërtuar shkollat dhe arat e punës, janë shtruar rrugët dhe autostradat. Por, diçka ka mbetur pa ndryshuar. Kjo është dashuria jonë për shtëpinë tonë, për njëri-tjetrin. Mbi këtë dashuri për vendin tonë po punojmë të ndërtojmë të ardhmen tonë më të mirë për ne dhe për gjeneratat që do të vijnë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai po ashtu ka thënë se janë ndërtuar institucione demokratike, ndërsa si shembull të mirë ka përmendur Policisë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Kemi ndërtuar policinë më profesionale në rajon. Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës garojnë në stërvitjet më të vështira në botë dhe kthehen me medalje të artë. Kemi integruar të gjitha komunitet dhe punojmë çdo ditë që asnjë qytetar të mos ndihet i përjashtuar, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike, religjioze, gjininë apo orientimin seksual. Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë e madje kemi vënë marrëdhënie bashkëpunimi edhe me Serbinë”, ka shtuar Thaçi.

Në fund, kreu i shtetit ka folur edhe për 113 njohjet e Kosovës.

“Kosova sot është e njohur si shtet nga 82 për qind e vendeve të BE-së, 86 për qind e NATO-s, 56 për qind e OKB-së, 100 për qind e Forumit të Ishujve të Pacifikut, 61 për qind e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, 57 për qind e KARIKOM-it dhe 49 për qind e Unionit Afrikan”, ka deklaruar Thaçi.

Opozita: 9 vjet me shumë dështime

Në anën tjetër deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të donte që 9-vjetori i Pavarësisë ta gjejë Kosovën si një vend të fuqishëm sikur brenda, po ashtu edhe në arenën ndërkombëtare por, sipas saj, fatkeqësisht është e kundërta.

“Fatkeqësisht për shkak të politikave të dobëta e nënshtruese Kosova sot ballafaqohet me probleme të mëdha. Së pari me mungesë të zhvillimit ekonomik, mirëqenies, barazisë e drejtësisë dhe nivelin e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Së dyti, me mungese të shtrirjes së sovranitetit, pra ende 1/3 e territorit nuk kontrollohet nga institucionet tona, me ndërhyrjet e vazhdueshme të Serbisë përbrenda territorit të vendit tonë. Pra, Mitrovica në njërën anë e ndarë dhe mbarë Kosova e papunë, në varfëri e mjerim”, është shprehur Haxhiu.

Më tej ajo ka thënë se Qeveria aktuale është Qeveri e dështimeve dhe se merr shumë kohë t'i numërohen të gjitha dështimet, sikurse, sipas saj, të merr shumë kohë duke u menduar ta gjesh një sukses të saj.

“Si dështime mund të konsiderohen mungesa e ushtrisë dhe pamundësia për ta shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit, pra Mitrovica e ndarë, që janë pasoja direkte të një dialogu të padrejtë e të pabarabartë me Serbinë. Por, po ashtu mosrealizimi i premtimeve për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës që u premtuan gjatë fushatës e që ishin mbi 320.000 nga dy partitë. Sikurse edhe kapja e institucioneve në forma të ndryshme dhe shtrirja e klientelizmit në secilin institucion”, ka shtuar Haxhiu.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se dështimet e shtetit janë të shumta kurse sukseset janë të pakta.

“Gjatë kësaj periudhe, përveç individëve të caktuar, shumicës së popullsisë nuk i është ndryshuar jeta. Nuk ka zhvillim ekonomik, nuk janë hapur vende të reja të punës, nuk ka luftim të korrupsionit, nuk ka liberalizim të vizave e as formim të ushtrisë. Arsimi është në gjendje të rëndë, edhe shëndetësia është në gjendje të kolapsit. Dhe në këtë kohë nuk di se çka mund të veçohet si pozitive”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo më tej ka uruar që përvjetori i 10-të ta gjejë Kosovën në gjendje më të mirë në të gjitha fushat.