Çështja e Luginës të bëhet prioritet në bisedimet me Serbinë

Aktuale January 28, 2017 - 10:02

Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkojnë të jenë pjesë e bisedimeve Kosovë - Serbi në Bruksel. Ata thonë se që nga fillimi i bisedimeve me Serbinë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e të Medvegjës nuk kanë përfituar asgjë. Madje këto bisedime kanë rënduar edhe më shumë gjendjen e shqiptarëve në atë pjesë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Që nga fillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, të cilat në vazhdimësi janë ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe janë mbajtur në Bruksel, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është anashkaluar nga të dyja shtetet. Madje Lugina ka mbetur e anashkaluar nga dy qendrat për hesape të veta.

Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës tani kanë kërkuar që çështja e shqiptarëve të atjeshëm të jetë një nga parakushtet e Kosovës për bisedime me Serbinë.

Sipas tyre, pa çështjen e Luginës në bisedime me Serbinë nuk mund të flitet për bisedime midis dy palëve të barabarta pasi që serbët në Kosovë fitojnë çdo gjë të mundshme, ndërsa shqiptarëve u shkelen të drejtat themelore.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë për “Zërin” se Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Sipas tij, nëse kjo gjë nuk mund të bëhet me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës atëherë së paku kjo çështje, e në veçanti çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Luginë, duhet të iniciohet në dialogun Kosovë - Serbi.

Për shqiptarët e Luginës si për serbët e veriut

“Në Bruksel po bisedohet për çështje statusore për të drejtat e serbëve në Kosovë. Për ta po krijohen të drejta me presedan e të cilat nuk i gëzojnë pakicat e tjera në Ballkan. Besoj, se duke krijuar pakica të privilegjuara në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që në anën tjetër pakica të tëra – në radhë të parë shqiptarët në Luginë të Preshevës - nuk po arrijnë t’i realizojnë të drejtat elementare, po krijohen situata të cilat në të ardhmen mund të jenë vatra krizash”, ka deklaruar Kamberi për “Zërin”.

Edhe Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës, ka thënë se pa çështjen e Luginës së Preshevës në këto bisedime nuk mund të flitet për bisedime midis dy palëve të barabarta.

“Përfshirja e Luginës në bisedime nënkupton se po bisedohet edhe për çështjet brenda Serbisë dhe jo vetëm për çështjet brenda Kosovës, siç është rasti që nga fillimi i dialogut të Brukselit. Çështja e Luginës duhet të jetë një nga parakushtet e Kosovës për bisedime me Serbinë”, ka deklaruar Kamberi për “Zërin”.

Përfaqësuesit e Luginës në vazhdimësi e kanë shprehur nevojën e përfshirjes së Luginës në këto bisedime. Kështu ka thënë për “Zërin” kryetari i Këshillit Nacional për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Jonuz Musliu.

“Ne vazhdimisht e kemi potencuar nevojën e përfshirjes së Luginës në procesin e bisedimeve Kosovë - Serbi, duke u nisur nga parimi se pa zgjidhjen e problemeve në këtë rajon, nuk ka rehati në Beograd dhe as në Prishtinë. Natyrisht se Lugina e Preshevës ka qenë dashur prej kohës të jetë pjesë e këtyre proceseve dialoguese, në mënyrë që problemet të mos përsëriten e për të mos na kthyer në pozicionet çfarë ishin para 17 vjetësh. Po të kishte qenë Lugina pjesë e bisedimeve Kosovë – Serbi, me siguri sot nuk do ta kishim këtë ngërç politik dhe kolaps ekonomik jo vetëm në Luginë, por edhe më gjerë”, ka deklaruar Musliu.

Të bisedohet për statusin dhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës

Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, të cilët njihen si pakicë në Serbi, po u mohohet çdo e drejtë elementare.

Sipas përfaqësuesve shqiptarë të Luginës, në Bruksel duhet të diskutohet për mohimin e të drejtave elementare të shqiptarëve siç janë: përdorimi i simboleve kombëtare, librave shqip, dygjuhësisë, arsimit, sigurisë, policisë, etj.

Jonuz Musliu thotë se tashmë e kanë në tavolinë një dokument prej shtatë pikash që duhet të zbatojnë mirëpo, siç tregon ai, nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Ai tregon se kërkesat e shqiptarëve janë: që të avancohet statusi politik i shqiptarëve të Luginës; të bëhet çmilitarizimi i rajonit dhe të bëhet kthimi i qëndrueshëm i të të zhvendosurve. Musliu po ashtu kërkon kompensim të dëmeve të luftës; integrimin proporcional të shqiptarëve në strukturat politike, ekonomike dhe civile në organet komunale dhe shtetërore; zbatimi në praktikë i dygjuhësisë dhe rregullimi me ligj i simboleve kombëtare; arsimi dhe edukimi sipas standardeve ndërkombëtare; decentralizimi në gjyqësi, polici, dogana, etj,; avancimi i policisë multietnike ...

Ai thotë se në realizimin e këtyre kërkesave duhet një gjithëpërfshirje e bashkësisë ndërkombëtare, si dhe përfshirjen e lidershipit nga Kosova e Shqipëria.

“Kuptohet, në realizimin e këtyre kërkesave është e domosdoshme kyçja e bashkësisë ndërkombëtare në formatin OSBE, Ambasada e SHBA-së, Ambasada e Britanisë së Madhe, Ambasada e Gjermanisë dhe ambasadat e tjera të akredituara në Beograd, pa përjashtuar edhe presionin politik të faktorëve relevantë shqiptarë të Tiranës dhe Prishtinës”, ka deklaruar Musliu.