Dialogu nuk po i normalizon raportet

Dialogu nuk po i normalizon raportet

Aktuale November 20, 2016 - 07:52

Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka ndikuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Opozita dhe analistët thonë se ky proces i ka ndihmuar Serbisë për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa në disa raste e ka zbehur shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës

Dialogu i Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i njohur ndryshe edhe si dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit vlerësohet se nuk ka ndikuar në normalizimin marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve. Përderisa përfaqësuesit e Qeverisë thonë se janë duke u zbatuar 30 nga 33 marrëveshjet e arritura, subjektet opozitare dhe analistët politikë në vend thonë se shumica e marrëveshjeve nuk janë duke u zbatuar. Ata madje kanë thënë se shumë marrëveshje kanë qenë të dëmshme për Kosovën, pasi sipas tyre e zbehin sovranitetin e shtetit.
Ministrja për dialog, Edita Tahiri e ka vlerësuar si të suksesshëm dialogun e Prishtinë-Beograd, kurse ka thënë se vetëm tri marrëveshje nuk janë duke u zbatuar.
”Janë gjithsej 33 marrëveshje. Prej tyre 30 janë duke u zbatuar nga dyja palët edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Ato që ende nuk po zbatohen janë ajo e Telekomit... pastaj është ajo për Asociacionin dhe Marrëveshja për Energjinë. Këto janë marrëveshje që duhen të zbatohen. Për energjinë dhe kodin Serbia është përgjegjëse për ta zbatuar, ndërsa për Asociacionin ne jemi përgjegjës dhe ne kemi thënë që në momentin që ITU zyrtarisht më 15 dhjetor ia jep kodin Kosovës dhe shpallin në buletinin e vet zyrtarë, ne do të fillojmë përgatitjet për zbatimin e Asociacionit”, ka deklaruar ajo.

Marrëveshjet po e zbehin shtetësinë e Kosovës

Në anën tjetër, koordinatorja për Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje, Teutë Rrusta ka thënë se fillimisht duhet të potencohet fakti që negociatat me Serbinë janë të padrejta, të pabarabarta dhe si të tilla, sipas saj, kanë prodhuar vetëm marrëveshje e koncesione të dëmshme për Kosovën. Ajo ka thënë se këto marrëveshje kanë cenuar sovranitetin e Kosovës dhe nuk kanë sjellë as integrim të serbëve e as normalizim të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë. Madje, sipas saj nuk janë duke u zbatuar 30 nga 33 marrëveshjet e arritura.
“Sa i përket marrëveshjeve të arritura, është e pavërtetë që nga 33 marrëveshje të arritura, po zbatohen 30 nga to. Zbatimi është i njëanshëm sepse Serbia në fund të fundit nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ndihet përgjegjëse karshi saj, prandaj edhe nuk i respekton marrëveshjet, përveçse kur i konvenojnë ose pjesën që i konvenon. Këtë na e pranojnë edhe vetë zyrtarët e Qeverisë, madje edhe vetë udhëheqësit e dialogut dhe fatkeqësia më e madhe këtu është se në vend të ndërprerjes së negociatave dhe kushtëzimit, vazhdohet me koncesione të reja edhe më të dëmshme”, është shprehur Rrusta.
Anëtarja e “Vetëvendosjes” më tej ka thënë se pothuajse secila nga këto marrëveshje është e dëmshme dhe se në forma të ndryshme e zbehin shtetësinë e Kosovës, e dobësojnë Kosovën si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe ndërkombëtar.
“Kemi rastin e "fusnotës", e cila ishte qartë heqje dorë nga Republika dhe marrëveshje e cila e pengon zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur, sovran e demokratik. E së fundmi e kemi "Zajednicën", e cila është marrëveshje jashtëzakonisht e dëmshme, e cila përfundimisht do ta instalonte Serbinë brenda Kosovës dhe do të hapte rrugë për ndarjen përfundimtare të saj. Për fat të mirë, falë rezistencës sonë, kjo marrëveshje është pamundësuar, rrjedhimisht u pamundësua edhe bosnjëzimi i Kosovës”, ka përfunduar Rrusta.

Nuk u përmirësuan raportet Kosovë - Serbi

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, Pal Lekaj ka thënë se dialogu nuk ka ndikuar aspak në përmirësimin e raporteve në mes dy vendeve.
“Procesi i dialogut e ka shpenzuar shumë energjinë e brendshme të Kosovës. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur e shohim se sa kemi përparuar në rregullimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve dhe në raport me BE-në? Aspak! Nuk kemi ecur më tutje në proceset integruese. Serbia ende sillet si padron i Kosovës dhe nuk ka zbatim të mirëfilltë të asnjë prej marrëveshjeve të arritura”, ka potencuar Lekaj.
Më tej deputeti i AAK-së ka thënë se kjo parti nuk e ka kritikuar dialogun si proces por mënyrën e të bërit dialog, ndërsa ka numëruar disa nga marrëveshjet që sipas tij janë të dëmshme.
“Marrëveshja për targat, Marrëveshja për diplomat, Marrëveshja për kodin telefonik, Marrëveshja për asociacionin, Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, pranimi që Kosova të bartë fusnotën, e shumë të tjera, të gjitha e kanë suspenduar në një farë mënyre sovranitetin e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka pranuar që Kosovën ta qeverisë deri diku 1244-shi edhe më tutje”, ka deklaruar Lekaj duke thënë se kjo është e pafalshme dhe se ky dialog në këtë format duhet të ndërpritet sa më parë dhe të bëhet një agjendë e re për të. Lekaj ka thënë se duhet të ndodhë edhe njohja reciproke, ose në të kundërtën nuk duhet të bisedohet kot edhe më tutje me Serbinë. Ndërkohë, profesori universitar, Blerim Burjani ka vlerësuar se shumica absolute e marrëveshjeve nuk janë zbatuar. Madje, sipas tij, dialogu i Brukselit nuk ka dhënë rezultatet e pritura.
“Nuk besoj që janë duke u zbatuar 30 marrëveshje, në bazë të informatave dhe analizave që janë bërë ekziston një gjendje e mjerë, pasi përmenden vetëm katër marrëveshje, kurse një pjesë e tyre as që kanë filluar të zbatohen. Ky format nuk ka sjellë një rezultat ta pritur... mendoj që dialogu më shumë i ka ndihmuar Serbisë për të ecur përpara drejt anëtarësimit në BE, sesa që ka ndikuar në përmirësimin e raporteve në mes të këtyre dy shteteve”, ka vlerësuar Burjani.