Opozita sot në Kuvend, pavarësisht vërejtjeve në Projektligjin për “Trepçën”

Opozita sot në Kuvend, pavarësisht vërejtjeve në Projektligjin për “Trepçën”

Aktuale tetor 07, 2016 - 11:33

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën plenare ku pikë e rendit të ditës do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Trepçën.

Ky Projektligj ditë më parë u procedua nga qeveria pavarësisht reagimeve të ministrave serbë.

Projektligji për gjigantin metalurgjik “Trepçën”, është paraparë të kalojë dy leximet në Kuvendin e Kosovës, me një procedurë të përshpejtuar, brenda pak ditësh.

Ndërkaq opozita e cilësoi këtë projektligj si “të mangët” sepse sipas tyre kanë lënë jashtë Kuvendin në procesin e hartimit të këtij projektligji.

Por, pavarësisht kritikave të tri partitë opozitare kanë thënë se do të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.

Shkodran Hoti nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Telegrafin se deputetët e Vetëvendosjes do të jenë në seancën e sotme të Kuvendit.

Ngjashëm do të veprojnë edhe deputetët e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës. Kështu të paktën ka thënë për Telegrafin shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj.

“Po do të marrim pjesë në seancë”, ka thënë shkurt Lekaj.

Edhe deputetët e partisë së tretë opozitare, Nisma për Kosovën do të jenë në seancën e sotme. Këtë e ka konfirmuar sekretari organizativ i këtij subjekti Bilall Sherifi.

“Po, Nisma gjithsesi do të merr pjesë në seancën e sotme”, ka thënë ai.

Projektligji për “Trepçën” ngjalli protesta në veriun e Kosovës, të minatorëve të komunitetit serb, që thanë se do të vazhdojnë të kërkojnë ndalimin e shqyrtimit të këtij ligji në Kuvend, me të cilin, siç thonë, “rrezikohet ekzistenca e tyre në Kosovë”.

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës do të nis në orën 15:00 ku përveç shqyrtimit të Projektligjit për Trepçën në rend dite ka edhe 12 pika të tjera.