Vatikani frymoi shqip

Vatikani frymoi shqip

Aktuale shtator 05, 2016 - 08:05

Në një ceremoni që frymoi shqip, Papa Françesku,19 vjet pas vdekjes, e ka shenjtëruar të dielën Nënë Terezën duke e bërë nënën e shenjtë shqiptare. Kjo ndodhi vetëm pasi të lumes Nëna Terezë iu verifikuan dy mrekulli, të cilat edhe janë kushtet e shenjtërimit. Kanonizimin e nënës së madhe që i dha mirësi dhe paqe gjithë botës, e përcollën mijëra njerëz në sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan

E lumja Nënë Tereza e cila ia kishte dedikuar jetën e saj të varfërve, është shenjtëruar dje edhe zyrtarisht nga Papa Françesku në sheshin e “Shën Pjetrit” 19 vjet pas vdekjes së saj.

Mijëra duartrokitje shpërthyen edhe para se Papa Françesku të përfundonte shenjtërimin e Nënës Terezë në Vatikan.

Globalisht e njohur për shërbimin e saj ndaj të varfërve dhe të sëmurëve, Nëna Terezë është e njohur më së shumti për punën e saj në Kalkutë të Indisë. Vetë Papa Françesku e përshkroi fituesen e Çmimit Nobel për paqe, si një dëshmitare të afirmitetit të Zotit ndaj të varfërve dhe të sëmurëve.
“Sot po ju dorëzoj këtë figurë emblematike!

Ajo qoftë modeli juaj i shenjtërimit. Mendoj se do ta kemi disi të vështirë ta quajmë atë Shën Tereza, shenjtëria e saj është kaq pranë nesh. Aq e butë dhe e pasur saqë spontanisht ne do të vazhdojmë ta quajmë Nënë Tereza. Le të na ndihmojë kjo punëtore e palodhur të kuptojmë më thellë se kriteri i vetëm për veprim është dashuria pa shpërblim, liria nga çdo ideologji dhe të gjitha obligimet, që duhet t'u jepen të gjithëve pa dallim gjuhe, kulture, race apo besimi.

Nënë Tereza gjithmonë thoshte: "Ndoshta nuk flas gjuhën e tyre, por mund t'iu buzëqesh". Le ta përcjellim buzëqeshjen e saj në zemrat tona dhe t'ua japim atë atyre që takojmë në rrugëtimin tonë, veçanërisht atyre që vuajnë", tha Papa Françesku në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.

Më tej Papa në fjalimin e tij tha se Nënë Tereza ka qenë bujare, duke mundësuar pranimin për të gjithë dhe të mbrojtjes së jetës njerëzore.

“Vullnetarët nuk presin as falënderime, as mirënjohje. Secili prej nesh mund të thotë se sikurse Zoti erdhi të më takojë kur kisha nevojë, ashtu edhe unë po eci drejt Tij dhe dua t’u shkoj në ndihmë atyre që kanë nevojë, familjeve në krizë, të sëmurëve, të burgosurve, të dobëtëve, emigrantëve, minorenëve të braktisur, ashtu sikurse edhe të moshuarve”, deklaroi Papa Françesku duke shtuar: “Kudo qoftë një dorë që kërkon ndihmë, aty duhet të jetë prania jonë, dora e Kishës që mbështet dhe dhuron shpresë. Nënë Tereza ka qenë bujare, duke mundësuar pranimin për të gjithë dhe të mbrojtjes së jetës njerëzore. Ajo është përkulur mbi persona që ishin braktisur nëpër rrugë duke ua njohur dinjitetin që u ka dhënë Zoti. Të mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj”, tha Papa Françesku.

Ndërkohë, si për të shuar çdo dyshim dhe diskutim për prejardhjen e saj, lutja e parë në meshën e shenjtërimit të Nënës Terezë u bë në gjuhën shqipe.

Mrekullitë e të Shenjtës Terezë

Rregullat strikte të Vatikanit kërkojnë që për të arritur deri te shenjtërimit duhet të provohen dy mrekulli, mrekulli tashmë të provuara për Nënë Terezën, e cila u lumturua në vitin 2003, hapi i parë drejt shenjtërimit.

Asaj iu njoh shërimi i një gruaje nga India, e cila prej vitesh vuante nga një tumor akut në stomak. Që nga ajo kohë, Monica Besra, një grua e varfër, e cila jeton në një fshat të thellë të Indisë në kufi mes Bangladeshit, Nepalit dhe Butanit, u kthye në qendër të vëmendjes së gjithë opinionit publik, përfshirë këtu dhe debatet mes mjekëve dhe teologëve.

Ndërkohë në vitin e kaluar, më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, përkatësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, më 9 dhjetor 2008. Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të Nënës Terezë.

Thaçi: Populli ynë i dha botës një mrekulli

Delegacioni nga Kosova i cili mori pjesë në shenjtërimin e Nënës Terezë ishte jashtëzakonisht i madh. Presidenti, kryeministri, kryekuvendari, deputetë e madje edhe opozita ishin prezentë në Vatikan. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se populli shqiptar i dha botës një mrekulli.

“Populli ynë i dha botës një nënë të dashur për gjithë popujt. I dha një mrekulli, që me rrugën e saj fisnike ishte simbol i mirësisë dhe mishërim i vetive më të mira njerëzore. Sot, bashkë me shenjtërimin e Nënës Terezë u shenjtërua edhe prejardhja e saj shqiptare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërkohë, kryeministri Mustafa me anë të një postimi në rrjetin e tij social “Facebook” ka shkruar se shqiptarët tashmë kanë shenjtoren e tyre.

“Isha shumë i nderuar që mora pjesë sot në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë. Jeta dhe vepra e jashtëzakonshme e Shën Terezës në shërbim të njerëzimit, u nderua nga qindra-mijëra njerëz të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Shqiptarët tashmë e kanë shenjtoren e tyre e cila do të vazhdojë të na prijë në përsosjen e vlerave shpirtërore, morale e humane. Bota mbarë ka simbolin e shenjtë të dashurisë, besimit, humanizmit, vetëmohimit”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se ndihet krenar që Shën Tereza shton radhën e shenjtorëve që populli shqiptar i dha botës.

“Jemi krenar që nga sot Shën Tereza shton radhën e shenjtorëve që populli shqiptar i dha botës, duke lartësuar misionin e paqes dhe dashurinë. Shën Tereza dhe trashëgimia e saj tashmë janë shenjtëruar! Misioni i saj buroi nga ndjenja më fisnike, e mbrojtur në lashtësinë e traditën e popullit tonë, solidarizim me të pafuqishmin, kujdes për të pambrojturin dhe dashuri për të përbuzurin. Nga sot, ne dhe gjithë bota i përkulemi jetës dhe veprës së saj në dobi të njerëzimit”, ka thënë Kadri Veseli.

Ymeri: Krenar me Nënën Terezë

Edhe opozita kosovare ka marrë pjesë në Vatikan në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë. Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka thënë se ishte nder pjesëmarrja në këtë ceremoni.

“Nëna Tereza u shenjtërua sot. Ajo personifikon dashurinë, përkushtimin, vetëmohimin e sakrificën; të gjitha këto në funksion të ndihmës ndaj të varfërve, të nëpërkëmburve, atyre që bota i harron, që nuk i sheh. Nëna jonë jo që nuk i harroi, por jetoi me ta. Dhe kështu i bëri të dukshëm, i ktheu në botë. E ne na bën krenar. Por edhe na detyron të shikojmë sikur ajo. Jeta e saj është mësim, që të pazëshmit i bën me zë, të uriturit me bukë, të nëpërkëmburit me dinjitet, të shkelurit me vullnet për të luftuar për barazi. Ishte nder të marrim pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës”, ka shkruar Ymeri.

Pjesëmarrës ishte edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj. Ai ka thënë se është i impresionuar me hapësirën dhe respektin e veçantë që vetë Papa Françesku i ka dhënë delegacionit të Kosovës dhe atij mbarë shqiptar.

"Kjo është ditë e madhe për mbarë kombin shqiptar, dhe të gjithë ata që e kanë përjetuar ndihmën e Nënë Terezës, tashmë Shën Tereza", ka thënë Lekaj.

I shpëtuar nga Nënë Tereza

Nënë Tereza u shua nga jeta më 5 shtator të vitit 1997, por vetëm fizikisht. Bota jeton edhe sot me kujtimin e saj. Ashtu rrëfen edhe Gautam Lewis, i cili e përshkruan Nënë Terezën si “shenjtorja që është nëna ime”.

Ai ishte një nga fëmijët e jetimores Shishu Bhavan të drejtuar nga Gonxhe Bojaxhiu, por që me ndihmën e saj, jeta e Gautam mori një rrjedhë tjetër.

“E kam të pamundur të harroj Nënë Terezën. Ajo më shtriu dorën dhe më dha mundësinë t’i ikja varfërisë dhe të jetoja një tjetër fat në Angli. Kam lindur në Kalkutë në vitin 1977, edhe pse nuk e di datën e saktë kur erdha në jetë, madje nuk di se cilët janë prindërit e mi të vërtetë. Ata më braktisën foshnje dhe më lanë në duart e murgeshave. Isha i sëmurë me poliomielit dhe njëherësh i paralizuar, ndoshta prandaj nuk më donte njeri. Deri këtu jeta ime ju duket e pafat, ndërsa unë personalisht e quaj veten njeri me shumë fat sepse Nënë Tereza mori përsipër të kujdesej për mua”, kujton sot Gautam Lewis.

Ai, vetëm 8 vjeç ishte i paralizuar dhe rrëfen se puna e motrave me të ishte dyfish e vështirë. “Unë isha thuajse i kërrusur nga sëmundja dhe Nënë Tereza më dukej shumë e gjatë, edhe pse në trup ishte tepër e imët. Por, hija e saj dukej si mburoja ime. Fliste ëmbël me një theks anglez. Kurrë nuk e kam parë të bërtiste”, thotë ai.

Kujtimet e Lewis në Kalkuta si fëmijë jetim ishin të tmerrshme, ai thotë se ishin ditë të errëta e të vetmuara. Në atë kohë madje, për një periudhe 6-mujore i ikën fjalët kur askush nuk interesohej për ta adoptuar.

Nënë Tereza i siguroi djalit një psikolog. Pas kësaj çeli një dritë në fund të tunelit. Gautam Lewis u adoptua në vitin 1985 dhe së bashku me nënën e tij Patricia u shpërngul në Angli ku mori trajtimin e duhur mjekësor dhe edukimin.

Sot, Lewis ka diplomë universitare për biznes, gëzon statusin e pilotit të kualifikuar dhe mbi të gjitha është themelues i një shkolle në Britaninë e Madhe për pilotët me aftësi të kufizuara.