Dosja e Shefave XX: Ndikimi i Grabovcit në shëndetësi, dhe inati ndaj Ilir Tolaj (Video)

Aktuale August 26, 2016 - 10:07

Katër biseda të reja telefonike të Adem Grabovcit që sjell Insajderi në pjesën e XX-të të Dosjes së Shefave, zbulojnë servilizmin e një doktori për t’i shërbyer shefit kurdo dhe në çdo kohë. Bisedat dëshmojnë ndikimin e Grabovcit edhe në shëndetësi, e institucione tjera. Ai, zgjedh njerëzit e vetë për ta mundur Ilir Tolajn, një ish-sekretar të Ministrisë së Shëndetësisë. Grabovci thoshte se puna ka hyrë me inati dhe duhet të kryhet bindshëm.

Një doktor i ishte betuar Adem Grabovcit, që do t’i kryente të gjitha obligimet që ia ngarkonte ai.

Doktori, i paidentifikuar ishte caktuar nga Grabovci si kryesues i një komisioni për zgjedhjen e një zyrtari të lartë shtetëror.

Grabovci, kërkonte që njeriu i tij të fitonte bindshëm sepse siç thoshte ai, “puna është me inati me Ilir Tolajn”.

Në një bisedë telefonike mes Grabovcit dhe këtij doktori, dëshmohet se ai kishte qenë edhe në komisione tjera. Por, në një rast, ministri e kishte hequr për shkak të konfliktit.

Kësaj radhe, zotohej se nëse Grabovci e vendoste në krye të komisionit, atëherë do të kryente punë. Ky doktor, kishte kërkuar që pos Ilhami Gashit, ta kishte në komision edhe Arben Çitakun, i cili aktualisht është sekretar në Ministrinë e Ambientit.