Ethet e votave të fundit

Zgjedhjet lokale 2017 November 21, 2017 - 08:08

Numërimi i votave me kusht, i votave nga diaspora, si dhe i votave të personave me nevojave të veçanta po i mban nën “ethe” kandidatët për kryetarë të komunave, ku diferenca në vota është shumë e vogël.

Bëhet fjalë për Prishtinën, Prizrenin, Dragashin dhe Istogun, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në Prishtinë diferenca mes Shpend Ahmetit (LVV) dhe Arban Abrashit (LDK) është vetëm 307 vota, ndërsa në Prizren diferenca mes Mytaher Haskukës (LVV) dhe Shaqir Totës (PDK) është 330 vota.

LEXO EDHE: Revolucioni lokal

Në Istog Haki Rugova i LDK-së prin për 670 vota nga kundërkandidati i tij, Gani Dreshaj (AAK), ndërsa në Dragash vetëm 41 vota e bëjnë diferencën.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pas përmbylljes së procesit të votimit në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar puna sipas detyrimeve ligjore, shkruan tutje "Zëri".  

“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke u pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat sipas procedurave të parapara. Deri më tani materiali i ndjeshëm zgjedhor është pranuar nga pjesa më e madhe e këtyre komunave”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

LEXO EDHE: Kuvendi rifillon punën të enjten

Në njoftim theksohet se pas pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor është duke u bërë edhe skanimi i listës përfundimtare të votuesve, e cila është përdorur në vendvotime, si dhe do të bëhet skanimi i formularëve të rezultateve të krijuara në vendvotim.

“Pas kësaj, sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i publikojë në uebfaqe kopjet e skanuara të këtyre formularëve me qëllim që kandidatët dhe qytetarët të munden ta shohin rezultatin e secilit vendvotim”.

“Pas përfundimit të të gjitha procedurave Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do ta paraqesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një raport të detajuar lidhur me numrin e votave me kusht, të votave të personave me nevoja të veçanta dhe të votave përmes postës. Në QNR është duke u punuar me kapacitete të plota dhe KQZ-ja është e përkushtuar që brenda pak ditësh të fillojë me numërimin e këtyre votave për të proceduar më tej drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare të rundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune dhe nga rivotimi për kryetar të Komunës së Parteshit”, thuhet më tej në njoftim.

Baraliu: Festë e parakohshme e partive

Mazllum Baraliu, ish-shef i KQZ-së, thotë se partitë po bëjnë festë të parakohshme pasi rezultatet mund të ndryshojnë duke qenë se nuk janë numëruar të gjitha votat. 

Sipas tij, ka mundësi, edhe ajo euforia e tepruar e parakohshme e disa subjekteve politike është për t’u çuditur, sepse është e parakohshme.

“Mund të ndryshojë rezultati, varet se sa ka vota. Aty ku rezultati është i ekuilibruar në diferencë tepër të ngushtë dhe mund të ndryshojë, prandaj vetëm pasi të jepen rezultatet përfundimtare dhe zyrtare të KQZ-së, madje edhe ankesat kur të shqyrtohen në PZAP, në KQZ e eventualisht në Gjykatë, vetëm atëherë mund të konsiderohet që dikush përfundimisht e ka fituar apo humbur një komunë”, thotë ai.

Demhasaj: Rezultati mund të ndryshojë

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë për gazetën “Zëri” se katër komuna janë në rrezik që t’u ndryshohet rezultati pas numërimit të të gjitha votave. Sipas tij, Prishtina, Prizreni, Dragashi e Istogu kanë bërë festë të parakohshme, pasi rezultatet mund të ndryshojnë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në secilën nga këto katër komuna ku rezultati është i ngushtë, Prishtina, Prizreni, Dragashi dhe Istogu, gjasat matematikore janë që të ndryshohet rezultati, sepse nuk kërkohet një numër i madh i votave që ta ndryshojë diferencën që është në këto komuna. Mbetet të shihet pasi që nuk dihet edhe mosha e njerëzve që të dihet përafërsisht se nga mund të shkojnë këto vota, por gjasat janë të mëdha që të ndryshojë rezultati”, ka thënë Demhasaj. 

Edhe Dimal Basha, njohës i çështjeve politike, konsideron që gjasat janë të mëdha që në Prishtinë dhe në Prizren të përmbyset rezultati nga numërimi i votave me kusht, i votave të diasporës dhe personave me nevoja të veçanta.

“Unë besoj se kandidatët në Prizren dhe në Prishtinë do të qëndrojnë nën ethe, sepse rezultati i ngushtë nuk garanton fitues deri në numërimin e të gjitha votave me kusht, votave me postë dhe njëkohësisht votave të personave me nevoja të veçanta. Shkurt, me gjithë avantazhin e dy kandidatëve të LVV-së, numri i këtyre votave është mjaftueshëm i madh saqë teoria e gjasave për t’i përmbysur të dy këto rezultate gëzon një probabilitet të madh”, ka thënë ai. 

 

Të rekomanduara