Revolucioni lokal

Aktuale November 21, 2017 - 07:47

Rezultati i zgjedhjeve të fundit vlerësohet si revolucion lokal, i cili do të nxisë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend. Nga këto zgjedhje më e lënduara ka dalë Partia Demokratike e Kosovës, përderisa partneri i saj i koalicionit qeveritar (AAK) vlerësohet si fitues i balotazhit. “Vetëvendosje” ka fituar dy komunat më të mëdha në vend, Prishtinën dhe Prizrenin, ndërsa LDK-ja ka “rrëmbyer” hisen më të madhe në nivel lokal, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Rezultati i rundit të dytë të zgjedhjeve lokale u ka treguar edhe një herë partive politike se bastionet nuk janë të sigurta. Ky rezultat ka qenë befasues jo vetëm për opinionin publik, por edhe për vetë partitë politike.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, të cilët thonë se tashmë nuk ka asnjë bastion të sigurt.

Megjithëkëtë ata vlerësojnë se rezultati i mirë i disa partive në këto zgjedhje mund t’i nxisë ato që të bëjnë përpjekje për organizim të zgjedhjeve nacionale, shkruan tutje "Zëri".

Me gjithë sukseset dhe dështimet shumica e partive politike shprehen të kënaqura me rezultatet e zgjedhjeve lokale.

Përderisa përfaqësuesit e LDK-së (partia që mori më së shumti komuna, tetë), shprehen të sigurt se një rezultat i tillë do t’u përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale, ata të PDK-së konsiderojnë se beteja në këtë garë ka qenë e pabarabartë (ani pse fitoi 5 komuna).

Fituesja e dytë e këtyre zgjedhjeve (AAK-ja, me 7 komuna) konsideron se ky rezultat dëshmon stabilitetin dhe rritjen e këtij subjekti, ndërsa ata të LVV-së, ndonëse mbeten të kënaqur me rezultatin, pas fitores në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë thonë se kishin synime më të mëdha.

Alija: Do të ketë përpjekje për zgjedhje parlamentare

Rasim Alija, nga organizata joqeveritare “Demokracia për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar për “Zërin” se zgjedhjet e fundit lokale kanë treguar se bastionet e partive më nuk janë të sigurta.

“Rezultatet e zgjedhjeve të qershorit dhe zhvillimet brenda subjekteve politike kanë dhëne indikacione që bastionet do të bien”, ka deklaruar ai.

Alija më tej ka konsideruar se pas këtij rezultati partitë që kanë fituar më shumë komuna do të bëjnë përpjekje që të shkohet drejt zgjedhjeve nacionale.

“Pas këtyre rezultateve në nivelin lokal subjektet politike do të bëjnë përpjekje që shumë shpejt të kemi zgjedhje të reja në nivelin qendror. Subjektet politike të cilat kanë fituar më së shumti komuna do të tentojnë ta shfrytëzojnë rezultatin, duke kalkuluar në rezultate të përafërta në rast zgjedhjesh të reja parlamentare”, është shprehur ai.

Ibrahimi: Nuk ka më bastione

Ndërkaq Ilir Ibrahimi, njohës i çështjeve politike, rezultatin e rundit të dytë të zgjedhjeve lokale e ka cilësuar si krejtësisht befasues.

“Rezultati edhe i këtij rundi të zgjedhjeve po vazhdon të befasojë dhe t’i bëjë zgjedhjet të paparashikueshme. Është ky një tregues se votuesi po e analizon shumë më tepër se kujt po ia jep besimin dhe ta tregojë një vetëdije më të lartë se që e kemi pasur deri më tani. Nuk ka më votë rajonale, klienteliste dhe të palëvizur”, ka deklaruar ai, duke shtuar se ky fakt do t’i shtyjë partitë politike të reformohen.

Ibrahimi më tej ka konsideruar se aktualisht nuk mund të thuhet se ndonjë subjekt ka më bastione.

“Pra nuk mund të themi më se ndonjëri subjekt politik ka ndonjë bastion ku mund të llogarisë në vota blanko. Ky është një zhvillim i mirë për politikën dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë kosovare”, ka shtuar ai.

Madje sipas tij rezultati ka qenë befasues edhe për vetë partitë politike në Kosovë.

“Nga rezultatet preliminare del se fituesja më e madhe është AAK-ja, ndërkaq humbësja më e madhe, PDK-ja. Në disa komuna si Prishtina, Prizreni, Rahoveci dhe Dragashi kemi një rezultat aq të ngushtë saqë do të kërkohet një vëmendje dhe përkushtim i madh nga organet relevante që vota qytetare të respektohet në maksimum”, ka theksuar ai.

Kurteshi: Kemi pritur t’i marrim 4-5 komuna

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi, ka thënë se LVV-ja si subjekt ka pritur fitore më të madhe, porse megjithëkëtë është e kënaqur me rezultatin.

“Kemi pritur t’i marrim realisht katër ose pesë komuna, por edhe kjo që e kemi arritur është një rezultat shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se i kemi marrë dy komunat më të mëdha në vend, Prishtinën dhe Prizrenin, që janë edhe qendra administrative e kulturore shumë të rëndësishme për Kosovën. Po ashtu e kemi marrë njërën prej komunave të Anamoravës. Kjo është një rritje në krahasim me para 4 vjetëve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Kurteshi më tej ka thënë se LVV-ja duhet ta analizojë situatën dhe t’i zbulojë shkaqet se pse nuk është arritur rezultati i synuar.

Haziri: Në zgjedhjet nacionale LDK-ja do të krijojë diferencë më të madhe

Nga ana tjetër nënkryetari i LDK-së, njëherësh fitues në Komunën e Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se pos rezultatit, ku kjo parti doli e para, pret që t’i fitojnë edhe dy komuna të tjera pas përfundimit të numërimit të votave.

“Vota politike është për kuvende dhe 22 tetori ka treguar që LDK-ja është partia më e madhe. Ne presim rezultatin final edhe në Prishtinë, edhe në Dragash, sepse votat me kusht do të jenë përcaktuese, por LDK-ja është tregim i kthimit të madh politik si parti e parë”, ka nënvizuar ai për “Zërin”.

Ndërkohë është shprehur i bindur se LDK-ja do të dalë e para edhe në zgjedhjet e ardhshme nacionale, ashtu siç doli në ato lokale (me tetë komuna).

“Definitivisht në zgjedhjet e ardhshme nacionale LDK-ja do të krijojë diferencë edhe më të madhe politike karshi partisë së dytë. LDK-ja është ngritur në këmbë, LDK-në më s’mund ta ndalë askush”, ka shtuar Haziri.

Isufi: Në këtë garë AAK-ja tregoi se është parti stabile

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve lokale ka treguar se ky subjekt është stabil.

“Në këtë nivel komunash për balotazh AAK-ja ka treguar se është parti stabile, e cila shkon në vazhdimësi në rritje për shkak të aktivizimit të potencialit të anëtarësisë dhe sidomos të performancës së kandidatëve për kryetarë”, ka deklaruar ai.

Isufi më tej është shprehur i vendosur se rezultati i AAK-së në këto zgjedhje (ku fitoi 7 komuna) do të përsëritet edhe në të ardhmen.

Haliti: Beteja ka qenë e pabarabartë

Por deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka konsideruar se beteja për zgjedhjet lokale nuk ka qenë fare e barabartë.

“Secila parti ka bërë betejën e vet politike për t’i fituar zgjedhjet, për të fituar në komunat ku ka konkurruar. PDK-ja ka pasur planet e veta dhe mendimin e vet që të fitojë më shumë komuna, sidoqoftë beteja ka qenë e pabarabartë për faktin se pothuajse të gjitha partitë që kanë garuar kanë qenë të bashkuara në njërin ose në tjetrin format kundër Partisë Demokratike”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Haliti më tej ka thënë se një situatë e tillë do të analizohet, kurse është shprehur optimist se i njëjti rezultat nuk do të përsëritet në zgjedhjet e tjera.

“Unë nuk e besoj që ky rezultat mund të përsëritet prapë, por ajo që mua më intereson është njëfarë beteje e cila nuk i ngjan luftës politike që zhvillohet nëpër vende normale”, ka theksuar ai.