Këto parti bashkuan forcat për të dielën e ardhshme

Zgjedhjet lokale 2017 November 12, 2017 - 20:32

Qysh prej daljes në publik të rezultateve të Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit, partitë, kandidatët e të cilëve kanë shkuar në balotazh, kanë filluar bisedimet me partitë e tjera që nuk kanë arritur të shkojnë balotazh.

Janë gjithsej 19 komuna, të cilat do të zgjedhin kryetarin e tyre përmes balotazhit.

Secila parti e madhe, përfshirë PDK-në, LDK-në, Vetëvendosjen, AAK-në, AKR-në, NISMA-n dhe Lista Serbe kanë mbetur në garën e balotazhit. Edhe partia e re, Alternativa, është balotazh në Gjakovë.

Deri më tani, shumë nga partitë e balotazhit kanë zhvilluar takime e bisedime me partitë e tjera të vogla por pak koalicione janë arritur.

Komunat të cilat kanë arritur marrëveshje për koalicione politike janë vetëm ajo e Vushtrrisë dhe komuna e Kamenicës. Në këto dy qytete tashmë është bërë publike që ka koalicione mes partive për raundin e dytë zgjedhor të 19 nëntorit.

PDK dhe AAK kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion për raundin e dytë të zgjedhjeve në komunën e Vushtrrisë.

LEXO EDHE: Nesër fillon fushata zgjedhore për balotazh

PDK në komunën e Vushtrrisë mori gjithsej 8 mijë e 635 vota, ose 30.77 %, ndërsa AAK mori gjithsej 2 mijë e 169 vota ose 7.73 %.

Lutfi Bilalli nga AAK me këtë marrëveshje po i del në ndihmë Ferit Idrizit të PDK-së në garën kundër Xhafer Tahirit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Koalicion mes partive është bërë edhe në komunën e Kamenicës, mes tri partive: LVV-së, AAK-së dhe AKR-së, kundër LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje në Kamenicë ka publikuar edhe draft-marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Në ‘marrëveshjen politike’ thuhet se VV do të udhëheq me 60 % të drejtorive, AAK do ta ketë nënkryetarin e Komunës dhe 30 % të drejtorive komunale, kurse AKR kryesuesin e Kuvendit dhe 10 % të drejtorive.

Po ashtu, marrëveshje për koalicion kanë bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje me partinë Aleanca Kosova e Re, këto dy parti kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për balotazh në Prishtinë.

Pacolli dhe Ahmeti në një konferencë për media pohuan se janë marrë vesh për bashkëpunim në garën për Prishtinën kundër kandidatit të LDK’së, Arban Abrashi.

Ndërsa këtë të diel, të paktën deri më tani, ndodhën katër koalicione për garën e balotazhit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shtrëngoi duart me kreun e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Mahir Yakcilar.

Veseli po kërkon mbështetje nga kjo parti për garën e balotazhin që do të mbahet më 19 nëntor (këtë të diel), për kryetar të Prizrenit, qyteti i dytë më i madh në Republikën e Kosovës.

Në garën e këtij qyteti janë kandidati i PDK-së Shaqir Totaj dhe ai i Vetëvendosjes Mytaher Haskuka.

Koalicioni tjetër që ndodhi në këtë të diel ishte ai AKR-së dhe Partisë së Drejtësisë në Mitrovicë.

Kandidati i AKR-së Agim Bahtiri dhe përfaqësuesi i Parisë së Drejtësisë Vesel Neziri nënshkruan marrëveshje për ta mbështetur kandidaturën e Bahtirit për garën e balotazhin në këtë qytet.

Bahtiri është në garë me kandidaten e PDK-së Valdete Idrizi.

Përderisa AKR po kërkon ndihmë në Mitrovicë, po kjo parti po i jep mbështetje një partie në një qytet tjetër.

Është koalicioni mes AKR-së dhe LDK-së në qytetin e Ferizajt. Këto dy parti synojnë që ta fitojnë garën përballë kandidatit të PDK-së, Agim Aliu.

Gjatë një takimi Sfarça së bashku me kryesuesin e degës së AKR-së në Ferizaj, Labinot Tahiri, nënshkruan marrëveshjen për të cilën kishin rënë dakord për zgjedhjet lokale.

Ndërsa Labinot Tahiri nga AKR-ja ka thënë se, cilido që i fiton zgjedhjet lokale, do t’i shërbejë qytetarëve.

“Pavarësisht a fiton Sfarça, apo ndokush, tjetër unë do ta hjeki borën gjithë dimrin, sepse më intereson interesi i gjithë qytetarëve, dhe në këtë takim e falënderoj Lidhjen Demokratike të Kosovës që i ka bërë ftesë për koalicion Aleancës Kosova e Re”, ka ndër tjera Tahiri.

Po ashtu, sot është nënshkruar marrëveshja e koalicionit në mes kryetarit të AKR-së dega në Klinë, Avni Gashi, kryetarit të BD të PSHDK-së Tush Kolaj me kryetarin e degës së PDK-së në Klinë Sokol Bashota për ta mbështetur këtë të fundit në garën për kryetar komune në rundin e balotazhit. /Insajderi

Të rekomanduara