Nesër fillon fushata zgjedhore për balotazh

Zgjedhjet lokale 2017 November 12, 2017 - 18:50

Fushata për balotazhin e 19 nëntorit nis nesër, dhe vazhdon deri të premten pas mesnate.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë në balotazh në 9 komuna, kurse PDK-ja në 10 tjera.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë në raundin në gjashtë komuna, kurse Deçanin dhe Junikun e kishte fituar pa balotazh, shkruan lajmi.net

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje balotazhin e ka siguruar në shtatë komuna.

AKR-ja është në balotazh në Mitrovicë, kurse Alternativa në Gjakovë.

Partitë tashmë kanë filluar edhe zyrtarizimin e koalicioneve, e ku ato më kryesoret po ndodhin në komunat e mëdha.

LEXO EDHE: Fjalor më i ashpër politik në garën për balotazh

Në Prishtinë u bënë bashkë VV-ja me AKR-në, dhe LDK-ja me AAK-në.

Kurse në Prizren Hasakuka i VV-së morri përkrahje nga Zafir Berisha, kurse Totaj i PDK-së siguroi mbështetjen e AAK-së dhe minoriteteve.

Koalicione ka pasur edhe në Mitrovicë, Vushtrri e Kamenicë.

Në Klinë, Kaçanik, Shtime shumica e partive janë bashkuar kundër kandidatëve të PDK-së, që udhëheqin tradicionalisht këto komuna.

Gara më interesante pritet të jetë në Prishtinë, ku Arban Abrashi dhe Shpend Ahmeti do të masin forcat për herën e dytë.

Kurse garë gjithashtu e ashpër do të jetë edhe në Prizren, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjakovë.

Përkundër fushatës, mundësia e koalicioneve nëdrmjet partive mbetet e hapur deri të premten pas mesnate.

Se kush me kë do të bashkohet tash e tutje, mbetet të shihet. 

Të rekomanduara