Krasniqi: Jemi të hapur për bashkëpunim, në balotazh nisemi nga zeroja

Zgjedhjet lokale 2017 November 01, 2017 - 21:55

Kandidati i LDK-së për kryetar të Obiliqit, Mehmet Krasniqi ka thënë se rezultati nga raundi i parë i zgjedhjeve për kryetar, ku Xhafer Gashi i AAK-së prinë me mbi 48 për qind krijon perceptim të gabueshëm.

“Konsiderojmë se fuqia reale e kundërshtarit tonë është vota popullore me rreth 31 për qind”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

“Kur kihet parasysh që janë katër subjekte që nuk kanë arrit të futen në balotazh, atëherë rezultati mund të jetë i përafërt”.

LEXO EDHE: Gashi: Ndjej keqardhje që për pak duhet të dalim edhe një herë në zgjedhje

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim. Kur të futemi në balotazh nisemi nga zeroja”, ka shtuar Krasniqi në Magazina Lokale.

Uji dhe kanalizimi

Krasniqi ka thënë se sa i takon ndërtimit të kanalizimit dhe ujësjellësit komuna ka bërë disa lëvizje para.

“Shumica e tyre është kryer në mandatin tonë 2009-2013. Ne kemi analizat tona ku thonë se mbi 90 për qind e punëve për këtë çështje janë kryer”.

“E njëjta edhe sa i përket ujësjellësit që është ndërtuar në masën mbi 95 për qind. 55-60 kilometra rrjet kanalizimi dhe ujësjellësi janë kryer në mandatin tonë, kurse në këtë mandat janë 15-16 kilometra”.

“Furnizimi me ujë është relativisht i mirë, vështirësi ka në zonat rurale sidomos gjatë verës”, ka shtuar ai.

Rrugët dhe parkingjet:

Krasniqi ka thënë po ashtu se pjesa më e madhe e rrugëve të asfaltuara janë të përfunduara dhe se  ato janë kryer në mandatin 2009-2013 kur ai ka qenë kryetar.

“Nuk them se këtë mandat nuk është punuar, por në krahasim me ne është dukshëm më pak. Balta është hequr në komunën tonë në mandatin tonë”.

“Në mandatin e fundit nuk është bërë asnjë parking, kurse ne i kemi bërë dy në mandatin tonë. Ka nevoja akoma për trotuare, janë bërë disa. Për parqet një gjë shumë e rëndësishme”.

“Një menaxhim i mirë do të duhej të mirëmbante parqet dhe projektet ekzistuese dhe nuk ka kuptim të thuhet se do të ndërtohen të rejat, kur ato që janë nuk janë mirëmbajtur”.

Gashi ka thënë se shpenzimet që janë bërë për asfaltimin e rrugëve kanë qenë të mëdha.

“Në historinë e Obiliqit nuk mbahen mend projekte më të shtrenjta të asfaltimit të rrugëve. 130-140 mijë euro një kilometër asfalt ka kushtuar dhe ka raste kur në 2-3 muajt e parë është prishur asfalti me gjithë ato mjete të shpenzuara”, ka thënë Krasniqi ndër të tjera.

Të rekomanduara