Në Gjakovë vendoset për titull

Sport May 24, 2016 - 17:21

Ndeshja e parë e Play-Offit të Superligës së femrave Prishtina – Shqiponja, e cila u zhvillua e shtunën me fitore bindëse te skuadrës së kryeqytetit me rezultat 37:31, rezultati i jep shpresë prishtinaseve që nesër në Gjakovë të luftojnë për fitore apo rezultat të barabartë për t’u stolisur me titullin e Kampionit të Kosovës për edicionin 2015/16 pas dy viteve shterpë.

Mirëpo, skuadra ambicioze nga Gjakova, e cila ne gjysmëfinale bëri befasi duke mënjanuar nga garat Kastriotin e Ferizajt, skuadrën më të trofeshme në dy vitet e fundit në arenën kombëtare, në asnjë çast nuk janë dorëzuar por mëtojnë për fitore nesër në palestrën sportive ‘Shani Nushi” në Gjakovë, që pastaj në ndeshjen e tretë e cila zhvillohet në Prishtinë ta realizojnë ëndrrën e tyre tani e 17 vite, të stolisen me titullin e Kampiones.

Sidoqoftë, edhe përkundër mungesave në skuadër dhe rënies së cilësisë në përgjithësi pritet ballafaqim interesant ku përballë do të gjenden Bajramaj, Ibrahimi, Malaj, Knushi..., ndërsa në anën tjetër Sefedini, Fazlija, Berisha, Kelmendi..., ku secila skuadër i ka atutë e veta për fitore, por prishtinaset janë në përparësi të vogël ngase edhe rezultati i barabartë ju sjell titullin e Kampionit.