Muçiqi në Lugano

Sport April 29, 2016 - 16:50

E ardhmja e Alban Muçiqit mund të jetë kampionati zviceran. Portieri i FC Prishtinës është ftuar për t’u testuar në Lugano, prej të cilit klub kanë dalë disa yje të njohur. Muçiqi i motivuar do të shkojë te skuadra helvetike, të cilën shpreson ta bindë që t’i ofrojë kontratë

Derisa izolimit të futbollit kosovar po i vjen fundi dhe futbollistët e Superligës do të kenë mundësi më të mëdha e më të lehta për të depërtuar në klubet e huaja, Alban Muçiqit i ka ardhur tashmë një shans i mirë, në prag të anëtarësimit të Kosovës në UEFA, raporton "Zëri".

Klubi i njohur zviceran, Lugano, prej të cilit kanë dalë disa yje të njohura, përfshirë këtu edhe Valon Behramin, ia ka dhënë një shans portierit të FC Prishtinës për ta vazhduar karrierën në skuadrën e saj, përkatësisht në futbollin helvetik. Lugano e ka ftuar Muçiqin për t’u sfiduar para trajnerëve të saj, dhe nëse arrin t’i bindë portieri kosovar, sigurisht se edhe do t’i ofrohet një kontratë.

“Jam shumë i lumtur që më është dhënë mundësia të provohem për disa ditë në ekipin e Luganos. Për këtë dua të falënderoj edhe babin e Taulant e Granit Xhakës, Ragip Xhakën, i cili më ka ndihmuar shumë, e mbi të gjitha Xhevat Qorrajn, që po ashtu më ka ndihmuar shumë, por gjithsesi edhe falë angazhimit tim kemi arritur që të sigurojmë pjesëmarrjen në prova”, tha për “Zërin” portieri 20-vjeçar.

Muçiqi është i vetëdijshëm se nuk është e lehtë ta bindësh një klub si Lugano që të ofrojë kontratë, por gjithsesi ka shpresa për ta arritur këtë. 

“Të jesh në një ekip siç është Lugano, është një sfidë e madhe. Besoj fuqimisht se do të arrij të tregoj vlerat e mia në këtë ekip dhe të arrij t’i bindi drejtuesit e klubit me aftësitë të cilat i kam”, tha Muçiqi. Portieri prishtinas qe një kohë të gjatë është pjesë e Prishtinës, ku ka arritur t’i përballojë edhe konkurrencës, pasi është aktivizuar në goxha në disa ndeshje, duke e arsyetuar edhe besimin e trajnerëve.

Image

Në Lugano e pret Frederik Veseli

Alban Muçiqi është me fat, pasi gjatë qëndrimit në Zvicër te Lugano, ku do të udhëtojë të shtunën, do ta gjejë bashkëkombësin e tij, Frederik Veseli. Mbrojtësi kosovar i Shqipërisë tash e një kohë luan për ekipin i cili do ta testojë Muçiqin, ndërsa ky i fundit gëzohet që do ta takojë bashkëvendësin e tij.

“Kam pasur kontakte të vazhdueshme me Veselin, i cili luan në Lugano. Më ka premtuar se do të më ndihmojë shumë gjatë qëndrimit tim aty dhe besoj se ai do të jetë një ndihmesë e madhe për mua në kohën sa do të jem atje. Sigurisht, që për mua do të jetë edhe më e lehtë dhe do të jetë ndihmë e madhe prezenca e tij sa do të jem aty”, theksoi Muçiqi.

Portieri i ri thotë se është gati për sfidën që po e pret. “Besoj që jam tejet i përgatitur për këtë provë që do ta kem në Lugano. Kam pasur ngritje të lartë të formës gjatë këtyre muajve dhe besoj se do të arrij të bindë drejtuesit e klubit të Luganos. Në Zvicër do të qëndroj për pesë ditë dhe të shtunën do t’i bashkohem ekipit të Prishtinës, në stërvitje për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës në kampionatin e Kosovës, shpresoj se do të kthehem me lajme të mira”, përfundoi Muçiqi.

Nëse Muçiqi tregon kualitet, atëherë me Luganon mund të nënshkruajë kontratë gjatë afatit kalimtar të verës. /Zëri/

Image
Image