Pasioni dhe dashuria për hendbollin në Kosovë po rritet

Sport November 14, 2018 - 14:06

Kanë kaluar tre vjet qëkur Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) është bërë anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF) me të drejta të plota në Kongresin e IHF-së në Sochi të Rusisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Që nga ajo kohë FHK-ja ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e vazhdueshëm të hendbollit në Kosovë, e cila kulmoi me organizimin e IHF Trophy – Zona e Evropës, ndërsa ndeshja me Gjermaninë në fazën kualifikuese për Euro 2020, që u zhvillua muajin e kaluar, ishte një tjetër arritje e madhe.

Image

Për këto IHF-ja ia ka kushtuar një shkrim të veçantë zhvillimit të hendbollit kosovar, duke e titulluar atë me:

“Pasioni dhe dashuria e Kosovës për hendboll vazhdon të rritet”, për të vazhduar shkrimi me lëvdata tjera për këtë sport në vendin tonë.

“Kosova tash është stabilizuar mjaft mirë në hendbollin evropian dhe botëror, duke u futur në hartën botërore falë organizimit të evenimenteve të rëndësishme siç ishte Kampionati Botëror i Shteteve në Zhvillim në vitin 2015, ku morën pjesë 16 përfaqësuese nga mbarë bota”, shkruan IHF-ja, që përmend edhe sukseset dhe titujt e Kosovës në IHF Trophy me juniorët dhe të rinjtë në tetor, evenimente që u mbajtën në tetor 2018, por edhe suksesin që e kishte arritur në vitin 2017 ekipi senior i femrave të Kosovës, që e kishte arritur fazën e dytë në kualifikimet për Kampionatin Evropian për herë të parë në histori.

Dhe, këtë sezon klube të ndryshme po shkojnë më tutje në garat e organizuara nga Federata Evropiane e Hendbollit, duke përfshirë këtu kompeticione, EHF Cup dhe Challenge Cup.

Në Kosovë momentalisht ekzistojnë 9 liga, ku marrin pjesë 25 klube femrash dhe 22 meshkujsh, ndërsa 60 ekipe të të rinjve dhe mbi 4.300 hendbollistë, janë fakt që menaxherja për marrëdhënie ndërkombëtare, Ronesa Ymeri, e përshkruan si shenjën më të madhe për të ardhmen e suksesshme të hendbollit të këtij vendi.

“Pasioni dhe dashuria për hendbollin vazhdon të rritet në Kosovë. Për një vend me histori të gjatë dhe të pasur në sport e ardhmja e hendbollit në Kosovë është mjaft e ndritshme”, ka thënë Ymeri.

“Hendbolli ka histori të vjetër dhe të pasur në Kosovë. Që nga themelimi i FHK-së në vitin 1953 ekipet kosovare, sportistët dhe zyrtarët e ndryshëm kanë marrë pjesë me sukses të madh në të gjitha nivelet e federatave jugosllave”, ka shtuar Ymeri.

Image

Këtë dhjetor FHK-ja do ta festojë 65-vjetorin e themelimit.

Nuk ishte një rrugëtim i lehtë, ndërsa hendbolli në Kosovë është dashur të luftojë për mbijetesë gjatë luftës në Jugosllavi në vitet e ’90-ta.

Ishte miqësorja ndaj Egjiptit U-19 në vitin 2002 shenja e fillimit të rrugëtimit të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar të hendbollit.

FHK-ja ka hasur në disa pengesa, por ia ka vlejtur pasi ajo u pranua me të drejta të kufizuara në EHF (2004) e në IHF (2007), ndërsa u bë anëtare me të drejta të plota në EHF më 2014-n dhe në IHF më 2015-n. /Zëri/