Sport

Wayne Rooney grumbullohet me Anglinë për ndeshjen e lamtumirës

Wayne Rooney grumbullohet me Anglinë për ndeshjen e lamtumirës
09 nëntor 2018 • 17 : 00

Detajet

Trajneri i kombëtares angleze mbrojti me forcë vendimin për të përfshirë në skuadrën e tij për herë të fundit sulmuesin Wayne Rooney, futbollistin legjendar që në këtë mënyrë do t’i japë lamtumirën përfaqësueses në mënyrë të denjë.

Gareth Southgate tregoi se u ndikua nga lamtumira e Lukas Podolski me Gjermaninë, për t’i dhënë një shans të merituar sulmuesit të DC United që të përshëndetet me tifozët ishullorë.

“Doja ta bënim këtë para Kupës së Botës, por Rooney nuk dëshironte që të tërhiqte vëmendjen e ekipit në atë kohë. Të gjithë lojtarët respektojnë kontributin e tij në kombëtare dhe mendoj se Wayne Rooney meriton një shans të tillë. Ai do të luajë vetëm në miqësoren ndaj SHBA-së. Në të kaluarën, Anglia nuk ka qenë shumë brilante në lamtumirën e legjendave”, tha trajneri Southgate.

Rikthimi i Rooney në kombëtaren e Anglisë do t’i japë 33-vjeçarit që militon me DC United, ndeshjen e 120 me përfaqësuesen, me aktivizimin e pritshëm në mbrëmjen e 15 nëntorit.

Rooney ka shënuar 53 gola për Anglinë dhe do të hyjë në fushë si zëvendësues në stadiumin Wembley në pjesën e dytë, diçka e cila pritet të shkaktojë ovacione në impiantin mitik të Londrës.

© zëri.info