Super-Marjo

Sport November 09, 2018 - 11:46
Image

6 paraqitje, 4 gola të shënuara dhe një asistim. Ky është fillimi i rilindjes së Marjo Morinës, i cili nga viti 2010 deri në vitin 2017 i kishte regjistruar 131 paraqitje në Superioren e Shqipërisë, por pastaj karriera e tij kishte nisur ta marrë tatëpjetën. Mirëpo shpëtimin po e gjen tani në Superligën e Kosovës, ku po shndërrohet në një “Super-Marjo”. 26-vjeçari është bërë një meritor i madh në ngritjen e FC Prishtinës në vendin e parë. Skuadrës dhe tifozëve ua bën me dije se ky është veç fillimi i rilindjes së tij, shkruan sot, gazeta "Zëri".

FC Prishtina të mërkurën e mori kryesimin e Superligës së futbollit falë fitores prej 1:0 që e shënoi si mysafire e Feronikelit. Dhe heroi i këtij triumfi tejet të madh ishte Marjo Morina. Por, kush është Morina?! Sot është 26-vjeçar.

Vetëm para pak muajsh i është bashkuar FC Prishtinës. Kur erdhi në Kosovë opinioni nuk dinte shumë për të. Por në Shqipëri, prej nga ka ardhur, është shumë i njohur, madje një kohë ishte ndër më të njohurit në futbollin shqiptar. Sidomos në periudhën 2010–2017.

Në kategorinë Superiore të Shqipërisë i kishte regjistruar 131 paraqitje. Ishte një sulmues tepër i rrezikshëm. Realizues i 26 golave. Vlerësohej jashtëzakonisht shumë. Ai ka luajtur për klubet më të mëdha shqiptare, si për Skënderbeun, Flamurtarin e Vlorës, Kukësin, Kamzën, Besën e Kavajës dhe së fundi ishte lojtar i Tiranës.

Mirëpo, në ndërkohë karriera e tij kishte nisur ta marrë tatëpjetën. Për fatin e keq të tij kishte rënë prej Superiores në Kategorinë e Parë të Shqipërisë. Aty po e kërkonte rilindjen me 14 gola të shënuara në 37 ndeshje të zhvilluara.

Gjithnjë ishte një lojtar i pëlqyer te trajneri Mirel Josa, i cili qysh më moti e pati marrë drejtimin e FC Prishtinës. Josës i vinte keq që karriera e një lojtari të madh kishte marrë tatëpjetën. Por, gjithnjë po besonte se ai mund të kthehet në nivelin e lartë. Besonte se në këtë drejtim do të mundë t’i ndihmonte transferimi në Superligën kosovare. Përkatësisht në skuadrën e tij, e cila gjithashtu kishte nevojë edhe për një sulmues, ku kishte mbetur keq nga transferimi i Ahmed Januzit në Llap. Dhe Morina e kishte pranuar ftesën e Josës, me të cilin kishin kaluar shumë mirë në futbollin shqiptar.

Ndërsa fakti që po e kërkonte klubi më i madh kosovar ishte edhe një tjetër arsye e madhe për kalimin e tij nga Shqipëria në FC Prishtinë. Dhe brenda një periudhe të shkurtër kjo “lëvizje” ka filluar t’i kënaqë të gjitha palët – FC Prishtinën, Josën dhe vetë Morinën. Ky i fundit vërtet po rilind. Gradualisht po bëhet shumë i rëndësishëm për FC Prishtinën në rrugën e saj drejt titullit të kampionit. Ai tashmë i ka regjistruar gjashtë paraqitje. Dhe përnjëherë është bërë golashënuesi më i mirë i FC Prishtinës.

E ka arritur kuotën e 4 golave, sa i ka shënuar edhe Basid Khalid. Po ashtu ka kontribuuar edhe me një asistim. Ndërsa loja e tij po duartrokitet. Po i ndryshon edhe identiteti. Nga një Marjo Morina në një Super-Marjo! “Jam shumë i kënaqur. Çdo gjë po shkon perfekt nga java në javë. Unë po luaj, po shënoj gola. Ekipi po fiton dhe po luan shkëlqyeshëm. Shpresoj të vazhdojmë kështu”, thotë Morina në bisedë me “Zërin”.

Ndërsa, të këqijat që ia përcollën karrierën nuk dëshiron t’i kujtojë. Preferon ta shijojë të tashmen dhe të shikojë nga e ardhmja. Gjithçka tjetër të keqe ia lë së kaluarës. “Çdo futbollist e do më të mirën për vete. Unë i kam pasur problemet e mia që kanë ndikuar negativisht. Por cilësitë e mia asnjëherë nuk ishin në dyshim. Nuk kam dyshuar as unë. Kam ardhur në Prishtinë ku e kam gjetur një klub tejet të mirë, një atmosferë të shkëlqyeshme”, thotë ai.

Morina thekson se në FC Prishtinë nuk ka ardhur sa për të rilindur dhe për të ikur menjëherë. “Nuk kam ardhur për t’u këndellur dhe për të ikur nga këtu. Kam ardhur të luaj, t’i ndihmoj skuadrës në mënyrë që ta fitojmë titullin e kampionit dhe të dalim në Evropë”, shprehet ai.

I pyetur nëse e ka pritur një ecuri të mirë të tij në Superligën kosovare me FC Prishtinën kur erdhi nga Shqipëria, Morina jep përgjigje të kartë. “E prisja këtë ecuri timen dhe të ekipit, prandaj kam ardhur këtu. Më kanë folur edhe Debatik Curri e Armend Dallku, pastaj stafi i trajnerëve nga Tirana. E dija si është klubi dhe atmosfera e brendshme, andaj kam ardhur me dëshirë të madhe. Kam pasur opsione edhe ekipe tjera kosovare, por Prishtina është klubi më i madh dhe më i trofeshëm këtu, andaj me kënaqësi të madhe i jam bashkuar”, thekson ai. Diçka e veçantë që po i lë përshtypje të madhe në FC Prishtinë është grupi i tifozëve “Plisat”, të cilëve ua jep një premtim përmes “Zërit”.

“Maksimumi im? Maksimumi asnjëherë s’ka fund. Shpresoj që ‘Plisat’ të vazhdojnë të na mbështesin, kurse ne të vazhdojmë me fitore. ‘Plisat’ dhe skuadra kanë arsye të presin akoma më shumë nga unë”, nënvizon Morina.

Morina – Josa lavdërojnë njëri-tjetrin

Derisa po e shijon në maksimum të qenit lojtar i klubit më të madh kosovar, FC Prishtinës, Marjo Morinën e kënaq edhe fakti që trajner në Superligën kosovare e ka Mirel Josën, me të cilin pati punuar edhe në Shqipëri.

Ai ndihet me fat që punon në urdhrat e një trajneri të madh, siç është Mirel Josa – më i trofeshmi në futbollin shqiptar. “Josën dhe stafin e tij e njoh më moti, kam punuar me të edhe te Skënderbeu. Nuk ka nevojë të flitet për të sepse dihet çfarë trajneri është, një trajner i trofeve. Shpresoj të vazhdojë me trofe edhe në Kosovë”, thekson Morina, i cili ka filluar ta kënaqë Mirel Josën në FC Prishtinë në një kampionat shumë sfidues për karrierën e tij si një trajner i madh.

“Marjo Morina po e bën punën e vet, sepse për atë punë e kemi marrë. Po këndellet, thoni ju, por ai është një futbollist me kapacitet, por më tepër nga ai do të shohim me rritjen e gjendjes fizike të tij”, është shprehur Josa. /Zëri/