S’ka karrierë pa rreziqe

Sport October 20, 2018 - 11:34

Jean Michael Seri ka pasur një rrugëtim mjaft të trazuar gjatë karrierës së tij. Seri e kishte nisur karrierën e tij në vendlindje, kurse famën më të madhe e arriti në Francë me Nicen. Vitin e kaluar ai ishte shumë afër kalimit në Barcelonë, ndërsa këtë vit u transferua te Fulhami. Ai thotë se është e vështirë ta ndërtosh karrierën pa ndërmarrë rreziqe

Jean Michael Seri është rritur duke u mësuar me krahasimet dhe kur ato kanë shkuar në drejtim të tij kanë qenë gjithmonë thuajse në formë komplimenti. Kur ai ishte i ri trajnerët ia kishin vënë nofkën “Galla” për shkak të Marcelo Gallardos, mesfushorit argjentinas i cili e kishte lënë River Platen për Monacon dhe e kishte treguar veten e tij në ligën franceze.

Më vonë Seri ishte vetë ai që shkëlqeu në Francë me Nicen, stili i tij krahasohej me Marco Verratin. Krahasimi më lajkatues pa dyshim që ishte ai kur flitej për ngjashmëritë mes tij dhe ish-mesfushorit të Barcelonës Xavi. Këto kujtime ia kthejnë buzëqeshjen fytyrës së Serit. Krahasimet janë një shpërblim për guximin e tij. “Si lojtar nëse nuk dëshironi të provoni gjëra me topin, ju kurrë nuk do ta përmbushni potencialin e plotë. Ju duhet të bëni gjëra dhe të ndërmerrni rreziqe, jo gjëra që e vendosin në rrezik ekipin tuaj, por pasime që do të befasojnë kundërshtarin tuaj. Përndryshe, ju thjesht jeni të zakonshëm. Nuk është gjithmonë vetëm një pasim i thjeshtë. Ndonjëherë ka të bëjë me guximin. Qyshkur kam qenë i ri, unë gjithmonë e kam pasur atë dëshirë, të shikoj para dhe të testoj veten. Është një lloj qëndrim i imi”, shprehet Seri.

Ky pozitivitet e ka reflektuar rrugëtimin e tij, që prej lojës në rrugët e lagjes së tij e deri te ndeshja kundër Arsenalit me Fulhamit më 7 tetor përmes disa aventurave në Portugali dhe në Francë. Këto ditë 27-vjeçarin e thërrasin thjesht “Mica” në “Craven Cottage”, ku transferimi 25 milionë funtesh i londinezëve është duke munduar të krijojë reputacionin e tij në Premierligë.

Ardhja deri në këtë pikë e Serit përveç vitit të kaluar te Nice, ka pasur të bëjë vetëm me progres. Në “Yopougon”, lagjja më e njohur në Abidjan, ai e filloi karrierën e tij futbollistike.

“Ata na inkurajonin që të luanin zbathur në baltë të pjekur për të mësuar sesi të kontrollojmë topin, ta ndiejmë atë dhe për të pasur teknikë të mirë” shprehet ai për jetën në kryeqytetin e Bregut të Fildishtë. “Është mënyra më e mirë. Përmirësimi vjen edhe duke luajtur me këpucë, por unë pa dyshim që i shoh përfitimet tani. Si një lojtar i vogël, unë duhej të gjeja mënyra për të luajtur me djelmoshat e mëdhenj. Nuk kishte të bënte me forcën. Kishte të bënte me të qenit inteligjent. Unë duhej ta lexoja lojën më shpejt, duke lëvizur topin shpejt për t’i fituar duelet”, thotë mesfushori i Fulhamit.

Klubi Africa Sports d'Abidjan ia mundësoi atij debutimin me ekipin e parë në moshën 16-vjeçare para se Seri të shkonte te rivali i tyre Asec Mimosas për të luajtur në Ligën e Kampionëve të Afrikës. “Ato janë dy klubet më të mëdha në Bregun e Fildishtë, kështu që ajo nuk ishte një gjë e mirë. Do të thoshte që kishte presion tek unë te I’Asec, por ishte një hap para”, shprehet ai.

Ai shkëlqeu në klubin më të suksesshëm në Bregun e Fildishtë, ku vëllezërit Toure dhe Salomon Kaloi ishin promovuar dhe ishte zgjedhur lojtari më i mirë në ligë në vitin 2012. Prej momentit që ai u zgjodh në ekipin kombëtar për herë të parë, klubet evropiane ishin joshur nga talenti i tij.

Një provë një javore te Porto ia siguroi atij një kontratë të shkurtër për t’u stërvitur me lojtarë si James Rodriguez dhe Joao Moutinho në ekipin e parë, por duke luajtur vetëm për ekipin e dytë. Klubi fqinj Paços de Ferreira, që sapo kishte përfunduar në vendin e tretë në ligë, ia ofroi atij mundësinë që të luante me ekipin e parë dhe Seri shkëlqeu në mesfushë nën drejtimin e Paulo Fonsecas.

“Porto ka qenë një lloj edukimi për mua, por Fonseca më mësoi sesi ta ndieja futbollin, si të jetoja dhe si të merrja frymë në të. Ju do ta dinit se çfarë do të bënit në fushë para se topi të arrinte. Unë isha në zemër të skuadrës, duke prekur shumë shpesh topin. Fonseca është duke treguar kualitetin e tij tani me Shakhtar Donetskun. Unë duhet ta falënderoj shumë atë”, thotë 27-vjeçari.

Nice pagoi një shifër shumë të leverdishme prej 500,000 funtesh për ta transferuar në Francë, ku Claude Puel do ta ndërtonte skuadrën e tij rreth Serit. Nice përfundoi në vendin e katërt dhe të tretë në dy vjetët e parë në tij në Francë dhe pastaj erdhën krahasimet me Xavin. Seri, boshti i ekipit, e admironte Xavin. Derisa Borussia Dortmundi dhe Marseille e kërkonin lojtarin, ai pothuajse nënshkroi me Barcelonën. Kjo mundësi i është ofruar atij në verën e vitit 2017, kur katalonjasit përgatitën një ofertë për të aktivizuar klauzolën e tij prej 35.4 milionë funtesh në kontratën e tij. Një delegacion nga klubi spanjoll e shikoi humbjen e Nices 2:0 ndaj Napolit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Ai tha se transferimi i tij po shkonte drejt rrugës së duhur. Por, në ditën tjetër marrëveshja u anulua me klubet që nuk e gjetën akordin. Ndërkohë në anën tjetër, Paulinho erdhi nga futbolli kinez për të mbuluar zbrazëtinë në mesfushën e Barcelonës.

Zhgënjimi ishte i qartë. Seri ishte lënë jashtë ndeshjes ndaj Amiensit për shkak të zhgënjimit. “Ndikoi tek unë. Gjithçka përfundoi për shkak të parave. Por, çfarë mund të bësh? Jeta vazhdon. Ndoshta ishte vullneti i Zotit. Unë jam i krishterë, unë besoj dhe derisa Zoti më dha mundësinë për të shkuar në Portugali, ndoshta ishte fati im që të vija këtu, në Angli para Spanjës. Unë u ktheva në ekip për ndeshjen ndaj Monacos në ligë dhe ne donim të bënim një paraqitje të madhe për të treguar se sa i fortë isha unë dhe sesi e kisha kthyer faqen tjetër. Ne fituam 4:0 me ndihmën e bashkëlojtarëve të mi. Unë tregova se nuk do të ma ndryshonte drejtimin. Sezoni i fundit me Nicen ishte zhgënjyes, kështu që ndjeva se ishte koha e duhur për t’u larguar. Fulham sikur Nice e shiti veten tek unë për shkak të mënyrës së të luajturit futboll dhe filozofisë së trajnerit, ambicies së tyre dhe mënyrës sime për t’u përshtatur.  Është një klub që më dha gjithçka, kështu që unë duhet t’ia shpaguaj”, thotë Seri.

Përshtypjet e para kanë qenë të mira. Ekipet e mëdha si Chelsea e deri te kundërshtari i fundit Arsenali kanë kaluar me vështirësi, por Fulhami ndihet në formën e duhur. Ai është rehatuar në qytet me familjen e tij, ka shkëlqyer duke shënuar një gol shumë të bukur nga distanca me vetëm goditjen e tij të dytë në futbollin anglez për të ndihmuar skuadrën e sapokthyer në elitë.

“Njerëzit flasin për Premierligën, për intensitetin e saj dhe për fizikun që kërkohet. Nëse nuk jeni të gatshëm, ju do të dështoni. Është një kampionat i cili kërkon përpjekje dhe sakrificë në jetën e përditshme, kështu që nuk mund t’i lini standardet anash. Çdo stërvitje është si një ndeshje. Mbijetesa është objektivi ynë, të qëndrojmë në Premierligë, kur lojtarët rriten dhe përmirësohen”, u shpreh mesfushori, i cili është një futbollist që ndan vlerat e tij me klubin e Fulhamit./ZËRI