Prishtina, për festë në Holandë

Sport September 22, 2018 - 13:41
Lajmet e fundit nga sporti
Image

Prishtina ka shkuar për të festuar në Holandë. Bardhekaltrit sonte prej orës 20:00 do ta zhvillojnë ndeshjen kthyese si mysafirë të Donar Groningen në Ligën e Kampionëve në basketboll. Gjiganti kosovar të enjten mbrëma në Prishtinë përmes një paraqitjeje fantastike e fitoi ndeshjen e parë përballë holandezëve me epërsi të thellë, 84:64. Epërsia prej 20 pikësh nga ndeshja e parë konsiderohet kapital i madh për Prishtinën para ndeshjes kthyese të fazës së parë kualifikuese të këtij kompeticioni prestigjioz, shkruan Gazeta "Zëri".

Megjithatë, trajneri gjerman i ekipit kosovar thotë se ende nuk ka përfunduar asgjë, duke kërkuar nga basketbollistët e tij të qëndrojnë me këmbë në tokë. “Kundërshtari ka ekip të mirë. Ne e kemi kryer vetëm pjesën e parë dhe tash na pret pjesa e dytë në Holandë. Nuk ka marrë fund ende asgjë. Atje duhet të luajmë edhe më mirë se këtu”, deklaroi trajneri i prishtinasve, Matthias Zollner. Ai kërkon nga basketbollistët e tij të mos mashtrohen me epërsinë prej 20 pikëve të arritura në Prishtinë, sepse është edhe një ndeshje e tërë për t’u zhvilluar, ndërsa basketbolli di të sjellë edhe të papritura. “Nuk duhet të na mashtrojë epërsia nga loja e parë. Është e vërtetë se kemi një kapital, por nuk do të shkojmë në Holandë për ta ruajtur këtë rezultat dhe për të humbur me -19 pikë. Ne do të shkojmë atje për të fituar dhe për t’u kualifikuar si duhet”, ka theksuar trajneri Zollner.

Pa dyshim Dardan Berisha mbetet lideri dhe shpresa e madhe e Prishtinës në Holandë edhe pse në ndeshjen e parë i shënoi veç 5 pikë, por sonte pritet “një tjetër Berishë”.

Bardhekaltrit presin ndihmën e madhe edhe të lojtarëve të huaj, të cilët koontribuan shumë që të fitohet loja e parë. “Do ta kemi një lojë të vështirë në Holandë, por shpresojmë të dalim mirë edhe nga ajo sfidë”, u shpreh basketbollisti amerikan, Kyan Anderson.

Në anën tjetër, holandezët janë të vetëdijshëm se Prishtina me një këmbë ka kaluar në fazën e dytë. Por, si profesionistë që janë thonë se do të provojnë ta bëjnë mrekullinë për t’i shpëtuar eliminimit.