Basketbolli në fund të pusit

Sport August 17, 2018 - 12:43
Lexo detajet
Image

Harrojeni kampionatin e kaluar, i cili është konsideruar si më i dobëti në basketbollin kosovar të pasluftës. Edhe më i dobët sesa ai pritet të jetë kampionati i ri, që do të fillojë vetëm pas pak kohësh, shkruan "Zëri". 

Paramendojeni, Superligës e madje edhe rangjeve të tjera më të ulëta do t’i mungojë njëra prej skuadrave më të mëdha në histori, Peja.

Kështu, basketbolli kosovar tashmë shkon në fund të pusit si pasojë e krizës së jashtëzakonshme që i ka kapluar klubet, funksionimit “shkel e shko” të tyre pa kurrfarë organizimi, por fajit nuk mund t’i ikën as vetë Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), e cila assesi nuk po arrin të bëjë politika për t’ia ndalur tatëpjetën sportit dikur më të popullarizuar në vendin tonë.

Vëmendja e FBK-së vazhdon të jetë e përqendruar kah të gjitha ekipet zingjirore të Përfaqësueses së Kosovës, me të cilat menaxhon ajo, ndërsa gjendjen e mjerueshme të kampionatit vendor qe një kohë të gjatë e arsyeton vetëm me pasivitetin e kryesive të klubeve dhe sikur harron se pa klube serioze nuk mund të ketë shpresë serioze as përfaqësuesja shtetërore.

Nga Peja basketbolli kosovar ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj, por lojtarët nga ajo anë nuk do të mundë të luajnë në basketbollin kosovar përmes klubit të tyre shkaku i borxheve të thella në të cilat është zhytur. Peja i ka kaluar të gjitha afatet dhe nuk ka arritur t’i shlyejë rreth 170 mijë euro borxh që i ka ndaj disa ish-basketbollistëve të saj dhe FIBA-s. Nga frika se mund të pësojë vetë nga FIBA, FBK-ja ka vendosur të mos e regjistrojë Pejën për edicionin e ri.

“Peja do të mbetet e pezulluar derisa të përmbushen të gjitha kushtet për pjesëmarrjen e saj në garat e FBK-së. Kështu, Peja suspendohet dhe çregjistrohet nga çdo veprimtari në FBK”, thuhet në njoftimin e FBK-së. FBK-ja nuk ka lejuar që të bëhet edhe vetë ajo viktimë e problemeve të Pejës. “Në letrën e dërguar nga Zyra Ligjore e FIBA-s më 10 prill 2018 te FBK-ja është bërë shumë e qartë se nëse FBK-ja nuk pozicionohet dhe nuk ndërmerr masa për çështjen e Pejës, atëherë FIBA do të jetë ajo që do të vendosë sanksione ndaj FBK-së”, arsyetohet shtëpia e basketbollit.

Pa borxhe nuk është as Bashkimi. Madje vetëm pak kohë pasi e fitoi titullin e kampionit Bashkimi lëshoi deklaratë përmes së cilës e vuri në pikëpyetje pjesëmarrjen në kampionatin e ri shkaku i borxheve dhe krizës financiare. Ndërkohë, nga një sezon fantastik në krizë të hatashme financiare ka përfunduar edhe Rahoveci. Situatë hiç më e mirë nuk është as te Trepça në Mitrovicë. Problemet e kanë kapluar edhe gjigantin më të madh, Sigal Prishtinën, për të cilën së fundmi u mësua se funksionon me dy xhirollogari bankare. E të mos flasim për klubet më të vogla. E gjendur në udhëkryq, FBK-ja nuk di çfarë të bëjë tjetër veçse të deklarojë “keqardhje”! /Zëri