Kamerat e sigurisë i kanë kapur problematikët

Sport August 15, 2018 - 15:41

Stadiumi i posarinovuar dhe i modernizuar me një investim prej 9 milionë eurosh ka shpëtuar nga rreziku i pësimit të dëmtimeve qysh në ndeshjen e parë që e priti, atë të së hënës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, për Superkupën e Kosovës.

Siç dihet, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), si organizatore ka dështuar t’i parandalojë tifozët që të fusin dhe të përdorin mjete piroteknike në stadium, shkruan sot gazeta Zëri.

Me dhjetëra flakadanë janë ndezur nga “Intelektualët” e Dritës dhe janë hedhur në fushë, në një pjesë ku është vendosur bari artificial dhe si i tillë ka rrezikuar të digjet.

Por flakadanë të ndezur janë parë edhe në tribunë, duke i rrezikuar karriget.

Sidoqoftë, FFK-ja thotë se stadiumi ka shpëtuar pa e  pësuar asnjë dëmtim infrastrukturor.

“Asnjë karrige nuk është thyer ose nuk është dëmtuar. Asnjë dëmtim nuk ka ndodhur sepse kemi dalë në stadium për ta parë gjendjen e tij pas ndeshjes”, tha FFK-ja për “Zërin”, duke konfirmuar se personat që kanë shkaktuar probleme në stadium mund të identifikohen dhe të përballen me Ligjin për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe të Dukurive Negative në Sport.

“Mund t’ju konfirmojmë se përmes sistemit të kamerave të sigurisë mund të lokalizohen ose të identifikohen personat që kanë ndezur mjete piroteknike në stadium, por ne nuk kemi mundësi sepse këto janë punë të institucioneve tjera”, theksoi shtëpia e futbollit.

Derisa tifozët gjilanas kanë ndezur mjete piroteknike në stadium, tifozët e Prishtinës kanë reaguar me fishkëllima kundër tyre dhe thërrisnin Policinë t’i nxirrnin jashtë gjilanasit nga frika se mund t’ua dëmtonin stadiumin e qytetit të tyre.

Reagimi i ashpër dhe nervozizmi te pjesa tjetër e publikut nga sjelljet e gjilanasve ishte mjaft i dukshëm.

UEFA do të vendosë për stadium pas pak ditësh

Federata e Futbollit e Kosovës beson se UEFA do ta licencojë stadiumin e rinovuar dhe të modernizuar “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Është pritur një lajm i mirë një ditë pas lojës, por ky lajm pritet të vije më vonë në Kosovë prej UEFA-s.

“Ne jemi takuar edhe pas ndeshjes me inspektorët e UEFA-s. E kemi diskutuar dhe e kemi analizuar rrjedhjen e ndeshjes, organizimin, mbi të gjitha gjendjen e stadiumit sepse ndeshja e Superkupës ishte testuese për licencim”, thekson FFK-ja.

“Deri më tani nuk e kemi marrë ndonjë vendim të UEFA-s për stadium, por me optimizëm e presim vendimin në ditët e ardhshme”, tregoi FFK-ja. /Zëri/