Shkëndija eliminohet nga Championsi, vazhdon në Europa League

Sport August 14, 2018 - 22:08
Lexoni më shumë detaje

Shkëndija është eliminuar nga Liga e Kampionëve, shkruan Zeri.info.

Kuqezinjtë megjithatë kanë dalë me kokën lart nga kompeticionin më i rëndësishëm evropian i futbollit, ku në përgjithësi patë paraqitje solide në gjashtë ndeshje të zhvilluara, ku i pësuan dy humbje.

Disfata 0:3 javën e kaluar në Austri nga Red Bull Salzburgu ishte fatale për ekipin e Qatip Osmanit.

Dhe, tetovarët e tentuan përmbysjen sonte në Shkup, por nuk ia dolën.

Ata humbën 0:1 pasi mysafirët befasuan duke shënuar në minutën e fundit të takimit me anë të Andre Ramalho Silva.

Shkëndija pati raste, por nuk arriti të fitonte pasi përballë kishte një skuadër të fuqishme, e cila sezonin e kaluar kishte shkuar deri në gjysmëfinale të Europa Leagues.

Kjo ishte hera e dytë në histori që Shkëndija mori pjesë në Ligën e Kampionëve.

Kuqezinjtë i patën disa eksperienca të shkëlqyeshme në Europa League viteve të fundit, ndërsa titulli i kampionit në Maqedoni, po ashtu i dyti në histori, i dërgoi ata në Champions, ku po ashtu deri tash e bënë historinë.

Fillimisht, në rrethin e parë kualifikues e eliminuan pa problem ekipin uellsian, The New Saints, ndërsa në rrethin e dytë e eliminuan ekipin e njohur moldav, Sheriff.

Sidoqoftë, eliminimi nga Championsi nuk do ta largojë përfundimisht ekipin tetovar nga garat evropiane. Shkëndija do ta vazhdojë eksperiencën evropiane në Europa League, ku do të luajë në fazën e “Play-Offit”, për herë të parë në histori të saj.

Kuqezinjtë do të përballen me fituesin e duelit ndërmjet ekipit irlandez, Cork City dhe Rosenborgut të Norvegjisë.

Gjithsesi, Shkëndija synon të kualifikohet në fazën e grupeve të Europa Leagues, të cilën deri tash e ka shijuar vetëm një klub shqiptar – Skënderbeu. /Zëri/