Firmino shpëton dy jetë!

Sport August 10, 2018 - 11:43

Roberto Firmino e ka shpëtuar jetën e dy fëmijëve brazilianë duke dhuruar 59 mijë funte si donacion për shërimin e vëllezërve, të cilët kishin probleme muskulore kurrizore. Sulmuesi i Liverpoolit ka mbetur i përulur dhe bujar, duke refuzuar të flasë për këtë donacion të tij. Familja braziliane me lot në sy e ka falënderuar Firminon dhe gruan e tij, Larissa Pereira

Roberto Firmino ua ka shpëtuar jetën dy foshnjave braziliane, pasi i ka dhënë donacion 59 mijë funte, afro 65 mijë euro për familjen në nevojë, që t’u jepte dy vëllezërve tretmanin për t’ua shpëtuar jetën, shkruan sot gazeta Zëri.

Dy vogëlushët, Joao e Miguel, të cilët vuanin nga atrofia muskulore kurrizore dhe dy prindërit po luftonin për të gjetur mjete të mjaftueshme në mediet sociale për ta paguar shërimin dhe tretmanin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata kishin nevojë ta rrisnin shifrën prej 827.032 funtesh të trajtimit për një vit, por u mungonin 59.132 funte.

Mirëpo Firmino dhe gruaja e tij Larissa Pereira u shfaqën dhe e dhuruan pjesën e nevojshme të shumës, shkruan e përditshmja braziliane “Globo”.

Prindërit Alex Jose de Amorim dhe Gracieli Schlemmer i kanë falënderuar Firminon dhe Pereiran, donacioni i të cilëve do t’ua mundësojë Joaos dhe Miguelit ta kenë tretmanin e nevojshëm.

“Larissa Pereira, gruaja e Roberto Firminos, na kontaktoi dhe e la zemrën time në paqe, duke thënë:

‘Ne do ta dhurojmë pjesën e mbetur të shumës’. Unë qava shumë, sepse po e prisnim këtë moment për një kohë të gjatë”, ka shkruar Schlemmer në rrjetet sociale.

Sulmuesi i Liverpoolit është treguar kokulur dhe e ka shfaqur bujarinë e tij, duke refuzuar të flasë rreth donacionit për familjen braziliane. Firmino u kthye në aksion me Liverpoolin javën e kaluar, ndërsa refuzoi t’u përgjigjej gazetarëve për donacionin e tij.

Sidoqoftë, gruaja e tij Pereira u është përgjigjur pyetjeve.

“Ne lëvizim kur dëgjojmë histori si kjo. Ne gjithashtu jemi prindër dhe imagjinojeni dhimbjen në të cilën ishte duke kaluar ajo familje. Roberto është një person sensacional, e ka këtë qëndrim të rrallë dhe i ndihmoi këta fëmijë. Gjëja më e bukur është se ai e bëri këtë pa dashur që t’i kthehet diçka nga kjo. Kjo gjë buron nga zemra. Ndoshta kjo do t’i inspirojë dhe do t’i prekë njerëzit e tjerë”, u shpreh ajo për “Globo”.

“Ka shumë njerëz të mirë, të cilët mendojnë për komshinjtë e tyre dhe që mund të ndihmojnë në njërën ose mënyrën tjetër. Është për të ardhur keq, e papranueshme, që vendi ynë nuk i siguron këto ilaçe, që nuk paguan për tretmanë të tillë për të shpëtuar jetë. Mjaft keq”, përfundoi bashkëshortja e Firminos.

Një pjesë e mirë e futbollistëve i kanë bërë milionat nga ky sport, por fatkeqësisht janë të paktë ata që mendojnë për t’u ndihmuar të tjerëve që kanë nevojë. /Zëri/