Mirel Josa 'ngacmohet' në Tiranë

Sport August 07, 2018 - 11:30

Pesë tituj të kampionit dhe dy Superkupa në Shqipëri e po ashtu një Kupë dhe titulli i nënkampionit në sezonin e parë të tij në Kosovë e bëjnë Mirel Josën njërin ndër trajnerët më të suksesshëm shqiptarë.

Por, karriera e suksesshme e trajnerit të FC Prishtinës e ka edhe një njollë të zezë.

Para se të vinte në Kosovë ai kishte përjetuar “tragjedi” në Shqipëri, ku kishte rënë nga Superioria me Tiranën, e cila përballej me telashe nga më të ndryshmet.

Josa është kthyer në stadiumin “Selman Stermasi” të Tiranës të dielën, ku me ekipin e tij FC Prishtinën e mposhti ish-skuadrën Tiranën me rezultat 1:3

 Ndonëse ishte vetëm një ndeshje miqësore përgatitore për të dyja skuadrat në prag të fillimit të edicionit të ri si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, ky takim ishte emocionues për Josën, i cili krahas trofeve nuk e harron as fatkeqësinë që e kishte përjetuar me klubin më të famshëm shqiptar – rënien nga Superioria.

Dita e rënies në Ligën e Parë të Shqipërisë me Tiranën ishte më e keqja në karrierën e Josës, i cili nuk e harron dot atë që i kishte ndodhur. Madje pas ndeshjes miqësore ai është “ngacmuar” nga gazetarët, të cilët ia kujtuan ndodhinë më të keqe të karrierës së bujshme të tij.

“Ajo është dita më e zezë për mua si trajner te Tirana. Por, nuk kthehet më asgjë mbrapsht. Duhet të merren përgjegjësitë dhe ato nuk merren me ngritjen nga Kategoria e Parë në Superiore. Përgjegjësitë e mia i mbaj, aq sa më takojnë. Është njollë që do të jetë shumë zor ta heq nga memoria ime”, ka thënë Josa pas ndeshjes Tirana – Prishtina.

Ambienti i stadiumit të njohur shqiptar ka kthyer emocione te trajneri i tanishëm i gjigantit kosovar.

“Shumë ndjesi emocionale të kthehesha në këtë stadium. Ishte hera ime e parë që rikthehesha në stadiumin “Selman Stermasi” që pas stërvitjes së fundit përpara finales së Kupës së Shqipërisë, që fituam ndaj Skënderbeut. Por, pak rëndësi ka tani. Nëse flas për ndeshjen, ishte thjesht një test miqësor, ku u provuan shumë lojtarë, ku bëmë disa ndërrime dhe ku sigurisht nuk u vumë në vështirësi për asnjë moment”, është shprehur Josa, për të cilin sezoni i ardhshëm në Kosovë konsiderohet si shansi i fundit për ta fituar titullin e kampionit me FC Prishtinën, e cila dha shenja pozitive si me lojë, ashtu edhe me rezultat në miqësoren me Tiranën. /Zëri/