Përparësi minimale e Shkëndijës, por e rëndësishme!

Sport July 26, 2018 - 14:29

Shkëndija e mposhti Sheriff Tiraspolin me rezultat minimal, 1:0 të martën mbrëma në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Goli i Besart Ibraimit ishte përcaktues në fitoren e ekipit tetovar, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjithsesi, ky triumf do të ketë vlerë të plotë vetëm nëse Kuqezinjtë arrijnë të kualifikohen në rundin e tretë, ku do t’i priste gjiganti austriak Red Bull Salzburg, i cili sezonin e kaluar shkoi deri në gjysmëfinale të Europa Leagues.

Trajneri Qatip Osmani e vlerëson lart triumfin minimal, ndërsa ndien keqardhje që nuk u shënua të paktën edhe ndonjë gol, posaçërisht në pjesën e parë ku u humbën disa raste të mira.

Sidoqoftë, ai e konsideron këtë si një fitore të rëndësishme për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Moldavi.

“Përgëzoj lojtarët për angazhimin e dhënë dhe për fitoren. Mendoj se Shkëndija sot mori përparësi edhe pse minimale, gjithsesi duhet të vlerësohet. Gjithsesi para ndeshjes së kthimit në Moldavi mendoj se shanset mbeten të njëjta, ndërsa ne do ta kemi një javë për t’u përgatitur për ndeshjen e dytë”, deklaroi trajneri Qatip Osmani.

“Na vjen keq që nuk shënuam edhe ndonjë gol, posaçërisht në pjesën e parë kur humbëm disa mundësi të mira. Në pjesën e dytë përcaktimi për të mos pranuar gol bëri që të tërhiqemi në pjesën tonë dhe frika për të mos pësuar gol e bëri të veten. Në fund me rëndësi është që e mbyllëm me përparësi të cilën do të mundohemi ta ruajmë në ndeshjen e kthimit”, tha Osmani.

Sipas tij, ideale për Shkëndijën në ndeshjen e kthimit do të ishte nëse shënon gol. Ai ka paralajmëruar edhe ndryshime të vogla në duelin e javës tjetër.

“I bëmë disa gabime, sidomos në pjesën e dytë, flas në aspektin kolektiv, pasi lamë shumë hapësira dhe rezultoi me gjuajtjet në portë që i pati kundërshtari. Ndonjë ndryshim të madh nuk do të ketë, por aty-këtu mund të lëvizim. Atje duhet të shënojmë gol”, ka përfunduar trajneri i suksesshëm shqiptar, i cili e ka shpallur Shkëndijën dy herë kampione të Maqedonisë.

Shkëndija e kishte kaluar rrethin e parë kualifikues pasi e eliminoi skuadrën uellsiane, The New Saints. /Zëri/