Shikojnë përpara!

Sport July 21, 2018 - 12:09

FC Prishtina u eliminua të enjten mbrëma nga Europa League pasi humbi në penallti nga CS Fola Esch në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues.

Bardhekaltrit janë të dëshpëruar tej mase. Mirëpo, ata thonë se po dalin me kokën lart nga ky eveniment, ku morën pjesë për herë të dytë rresht. Prishtinasit zotohen se do të punojnë shumë në mënyrë që vitin tjetër të jenë më të fuqishëm në pjesëmarrjen e tyre në garat evropian, shkruan gazeta "Zeri". 

“Jemi shumë, shumë të zhgënjyer. Mendoj që e kemi bërë një paraqitje mjaft të mirë, sepse ashtu siç ishim marrë vesh kemi luajtur shumë mirë në ‘bllok’. Sidomos 90 minuta, kur kundërshtarit nuk i kemi dhënë asnjë rast. Normalisht, në vazhdime kundërshtari kishte pak një iniciativë të vogël mund të them, mirëpo ne kishim mundësi që ta godisnim kundërshtarin gjatë kohës së rregullt dhe të mos e shtynim deri në penallti. Penalltitë janë lotari, por pavarësisht kësaj ne kishim mundësi dhe falë portierit tonë Bekaj na u dha rasti”, ka thënë pas lojës kapiteni Armend Dallku.

“Unë mendoj që edhe në penallti duhet të jemi më shumë të koncentruar pavarësisht se edhe këta lojtarë që i gjuajtën penalltitë janë lojtarë të rinj dhe normalisht që mund të ketë luajtur rol presioni e shumë gjëra të tjera. Pavarësisht të gjitha këtyre ne duhet të jemi kokëlartë e të vazhdojmë më tutje, sepse ky do të jetë një mësim për ne që në të ardhmen të jemi më këmbëngulës, sepse këtë ekip duhet ta kalonim, sepse diferencat nuk ishin të mëdha, ishim aty të barabartë, mirëpo siç e thashë ne është dashur që gjatë 90 minutave ta mbyllnim ndeshjen”, vazhdoi qendërmbrojtësi kosovar.

Portieri Visar Bekaj ishte hero i prishtinasve, por kjo nuk mjaftoi që ekipi të kalojë në rrethin e dytë kualifikues. Edhe ai kërkon që të harrohet shpejt kjo lojë dhe të shikohet përpara.

“Çfarë të bëjmë!? Besoj se ne luajtëm mirë, por nuk i shfrytëzuam disa raste që na u dhanë gjatë 90 minutave dhe kjo pastaj na kushtoi. Penalltitë krejt e dimë që janë fat. Duhet vazhduar përpara, s’kemi çfarë të bëjmë, megjithëse ndoshta kemi mundur të paraqitemi edhe më mirë, ky nuk është fundi i botës, dikush fiton e dikush humb. Tani duhet ta tregojmë veten, sepse i fortë je vetëm kur e tregon veten nga rënia, sikurse kjo sot. Jemi shumë të mërzitur, por shpresoj të këndellemi sa më shpejt, sepse na presin sfida të tjera”, është shprehur portieri prishtinas.

Edhe trajneri Mirel Josa ka mbetur i dëshpëruar nga eliminimi, por ka thënë se tash e tutje do të fokusohet te sezoni i ri, ku prishtinasit synojnë të jenë të suksesshëm dhe të kthehen përsëri në Evropë. /ZERI