Reali në kërkim të emrave të mëdhenj

Sport July 21, 2018 - 08:58
Florentino Perez u ka premtuar tifozëve që do të bëjë transferime të mëdha gjatë këtij afati kalimtar

Real Madridi pritet të bëjë transferime të bujshme gjatë kësaj vere. Largimi i Cristiano Ronaldos pa dyshim që i ka befasuar të gjithë dhe do të lërë një zbrazëti të madhe te madrilenët. Presidenti i gjigantit spanjoll Florentino Perez u ka premtuar tifozëve që do të bëjë transferime të mëdha gjatë këtij afati kalimtar, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Real Madridi do të ketë një fytyrë krejt tjetër në edicionin e ardhshëm. Pas largimit të trajnerit Zinedine Zidane në maj dhe yllit të ekipit Cristiano Ronaldo në javën e kaluar, kjo do të jetë një periudhë tranzicioni për madrilenët. Pasi drejtoi “Los Blancos” në tre triumfe radhazi në Ligën e Kampionëve, Zidane njoftoi largimin në maj dhe francezi është zëvendësuar nga ish-përzgjedhësi i Spanjës Julen Loptegui, i cili u shkarkua nga ai rol pak ditë pasi njoftoi nënshkrimin me madrilenët. Lopetegui tashmë ka bërë nënshkrimin e tij të parë, duke transferuar mbrojtësin Alvaro Odrizola nga Real Sociedadi për rreth 40 milionë euro. Në prezantimin e këtij futbollisti presidenti i Real Madridit Florentino Perez premtoi se do t’i sjellë edhe disa lojtarë të mëdhenj gjatë kësaj vere. Gjetja e një zëvendësuesi për Cristiano Ronaldon pa dyshim që do të jetë detyra më e vështirë. Prestigjiozja “Goal.com” sjell disa prej objektivave të Real Madridit gjatë këtij afati të mbetur kalimtar.

Neymar – Paris Saint-Germain

Neymari ka qenë një objektiv prej kohësh i Florentino Perezit, i cili ishte munduar dy herë ta sjellë brazilianin në Madrid. Hera e parë ishte në vitin 2005, kur i riu kishte pasur prova te Real Madridit si pjesë e marrëveshjes së Robinhos në Santos, por ai preferoi që të kthehet në shtëpi në vend që t’u bashkohet madrilenëve. Në rastin e dytë Perez humbi garën ndaj Barcelonës, që nënshkroi me Neymarin në vitin 2013. Sidoqoftë, transferimi i tij te parisienët në verën e kaluar hapi edhe një mundësi për shansin e tretë që ai të nënshkruajë me Neymarin, edhe pse publikisht madrilenët e kanë mohuar se do të transferojnë brazilianin, 26-vjeçari është njëri prej objektivave kryesorë për të zëvendësuar Ronaldon.

Kylian Mbappe – Paris Saint-Germain

Mbappe është një tjetër objektiv i madh së bashku me Neymarin. Real Madridi publikisht ka mohuar se do të nënshkruajë me francezin e ri, i cili ishte pjesë e suksesit të Francës në Kupën e Botës. 19-vjeçari ishte i arritshëm në verën e kaluar, por nënshkroi me Paris Saint-Germainin, derisa Real Madridi nuk ishte në gjendje të sillte adoleshentin nga Monaco. Sidoqoftë, pas një viti Ronaldo është jashtë “Santiago Bernabeut” dhe një zëvendësues është i nevojshëm. Gjigandi spanjoll pavarësisht mohimeve është i interesuar për të riun.

LEXO EDHE: “Reali arrin akordin për Hazard” Një transferim rekord!

Eden Hazard – Chelsea

Hazard mund të jetë alternativa ideale për Neymarin dhe Mbappen, që duken marrëveshje të vështira për Real Madridin këtë verë. Sulmuesi belg pranoi se mund të largohet pas gjashtë edicioneve të kaluara te Chelsea. “Ju të gjithë e dini se ku dua të luaj”, kishte thënë ai. Ky ishte një paralajmërim i qartë se ai e sheh veten te Real Madridi nëse largohet nga Chelsea. Tani në moshën 27-vjeçare duket se është koha e duhur për lëvizjen. Sidoqoftë, klubi londinez nuk do ta lejojë largimin e lojtarit të tij me një çmim të lirë, sidomos pas shkëlqimit në Kupën e Botës.

Harry Kane – Tottenham

Kane e përfundoi Kupën e Botës si golashënuesi më i mirë falë 6 golave të realizuar dhe sulmuesi i Tottenhamit ka qenë nën vëzhgimin e Real Madridit prej disa kohësh. Me Karim Benzeman, i cili është sulmuesi i vetëm qendror dhe me Ronaldon në Juventus “Los Blancos” kanë nevojë për një lojtar që do të sjellë gola dhe një numër nëntë. Sidoqoftë, Kane sapo ka nënshkruar kontratë afatgjate me Tottenhamin dhe 24-vjeçari ka shprehur dëshirën e tij për të fituar tituj me klubin londinez në stadiumin e ri, që do të inaugurohet në shtator. Vështirë që ai do të lëvizë gjatë kësaj vere.

Robert Lewandowski – Bayern Munich

Real Madridi e ka ndjekur Lewandowskin prej disa vitesh dhe polaku mund të jetë një opsion i mundshëm për madrilenët në këtë verë. Por, përsëri një lëvizje e tillë nuk do të jetë e lehtë, sepse Bayern Munichu nuk dëshiron ta shesë. Lewa do të jetë 30-vjeçar në gusht dhe mosha e tij mund ta frenojë Real Madridin, edhe pse nuk ka shumë sulmues klasi në treg gjatë këtyre ditëve, ai ende mbetet në konsideratë.

Thibaut Courtosi – Chelsea

Real Madridi është i vendosur që të sjellë një portier gjatë kësaj vere si një lloj përforcimi ndaj zgjedhjes së tyre të parë Keylor Navas, por do të nënshkruajë vetëm nëse lojtari i duhur është i kapshëm dhe kjo duket se është e mundshme me Courtosin. Belgu është i interesuar për një rikthim në Madrid, ku kishte luajtur me Atletico Madridin për disa sezone, sepse gruaja dhe fëmijët e tij ende jetojnë në kryeqytetin spanjoll. Courtois është vetëm 26-vjeçar dhe gjithashtu ka kontratë me Chelsean deri në 2019-n. Vlera e tij nuk pritet të jetë e lartë dhe vlerësohet rreth 40 milionë euro. Sipas gjithë kësaj kuptohet se ku mund të jetë një transferim shumë i mundshëm për madrilenët.

Thiago Alcantara – Bayern Munich

Trajneri i ri i Real Madridit Julen Lopetegui është adhurues i madh i Alcantaras, pasi që kishte punuar me të gjatë kohës si përzgjedhës i Spanjës. Real Madridi është duke vëzhguar ish-futbollistin e Barcelonës. Thiago, që është 27-vjeçar, kërkohet gjithashtu edhe nga Barcelona. Me Luka Modricin, Toni Kroosin, Casemiron, Iscon, Dani Ceballosin, Lucas Vazquezin dhe Marco Asensin në Madrid dhe me Lopoteguin, që pritet të luajë me formacionin 4-3-3, një lëvizje e Thiagos nuk është prioritet, por madrilenët mund të shtojnë interesimin nëse ai vendos të largohet nga Bayern Munich.