Njëmbëdhjetëshi ideal i Botërorit

Sport July 18, 2018 - 10:44

Botërori i Rusisë përfundoi të dielën që shkoi dhe tash është koha ideale për t’i bërë llogaritë. Në bazë të paraqitjeve brilante me kombëtaret e tyre disa lojtarë u shquan më shumë se të tjerët. Jua sjellim ekipin më të mirë të “Rusia 2018”

Franca u shpall kampione e botës pasi e mposhti Kroacinë në finale të Botërorit të dielën me rezultat 4:2, shkruan sot gazeta Zëri.

Mirëpo, jo të gjithë lojtarët individualë francezë ishin më të mirët, pasi “Gjelat” fituan si ekip.

Prandaj, ne jua sjellim njëmbëdhjetëshin ideal të “Rusia 2018”, pozitë për pozitë.

Portier – Jordan Pickford, Anglia

Është paimagjinueshme ta mendosh se para fillimit të Kupës së Botës shumëkush dyshonte nëse Jordan Pickford do të ishte zgjedhja më e mirë për portën e Anglisë. Portieri i Evertonit e lartësoi reputacionin e tij në sfidën ndaj Kolumbisë para paraqitjes së shkëlqyeshme ndaj Suedisë, Kroacisë dhe Belgjikës, duke treguar se është një portier i klasit botëror.

Qendërmbrojtës – Raphael Varane, Franca

Raphael Varane tani është mbrojtës i kualitetit të lartë, që shumëkush e kishte parashikuar se do të bëhej para lëvizjes së tij drejt Real Madridit në vitin 2011. Ai ishte një shtyllë e mbrojtjes së Francës dhe ishte i jashtëzakonshëm në finalen e fituar 4:2 ndaj Kroacisë, por ndikimi i tij më së shumti u vërejt në çerekfinale, kur shënoi një gol vendimtar në sfidën ndaj Uruguait.

Qendërmbrojtës – Domagoj Vida, Kroacia

Momenti më i mirë për Domagoj Vidan erdhi kur shënoi golin që mendohej të jetë i fitores në vazhdimet ndaj Rusisë, e cila më pas e barazoi rezultatin dhe e çoi ndeshjen në penalti. Ai gjithashtu asistoi një gol në finale, ishte vendimtar në sfidën kur e mbajtën portën e paprekur ndaj Argjentinës së Lionel Messit dhe u bë pjesë e historisë së Kupës së Botës me një shtet të vogël si Kroacia.

Qendërmbrojtës – Diego Godin, Uruguai

Diego Godin e shfrytëzoi të gjithë përvojën e tij dhe e ndihmoi Uruguain që të shkonte deri në çerekfinale të Kupës së Botës. Ai ndoshta ende është duke e mallkuar veten pas atij rasti të humbur me Francën nga afërsia, por kjo nuk duhet t’ia ulë vlerat e mëdha që pati ai në ekipin amerikano-jugor.

Mesfushor i djathtë – Kevin De Bruyne, Belgjika

Është e pamundur që t’ia gjesh vendin e duhur Kevin De Bruynes, i cili shkëlqeu në të gjitha detyrat që i janë dhënë nga Roberto Martinez në “Rusia 2018”. Momenti më i paharrueshëm për De Bruynen erdhi kur shënoi golin vendimtar për të eliminuar Brazilin në çerekfinale. Por, roli i tij në fitoren e Belgjikës ndaj Japonisë në momentet e fundit, falë një kundërsulmi të frikshëm në sekondat e fundit të takimit, gjithashtu është një moment që nuk duhet të harrohet.

Mesfushor qendror – Luka Modric, Kroacia

Ylli i Kroacisë Luka Modric pati një aventurë të suksesshme në Kupën e Botës. Mesfushori i Real Madridit më në fund e arriti një sukses në një turne ndërkombëtar. Golat e tij në fazën e grupeve ndaj Argjentinës dhe Nigerisë u pasuan me disa paraqitje të jashtëzakonshme në fazën nokaut dhe ai me të vërtetë e meritoi “Topin e Artë” të këtij kompeticioni.

Mesfushor qendre – N’Golo Kante, Franca

 N’Golo Kante luajti 90 minuta në çdo ndeshje përveç finales, kur mesfushori francez u zëvendësua për shkak se nuk arrinte dot të ndalte mesfushorët kroatë. Por, ai nuk e meriton të mbahet mend vetëm për ndikimin e tij në finale. Futbollisti i Chelseat ishte një “motor” i vërtetë për çdo minutë që luajti në gjashtë ndeshje dhe po të mos ishte për finalen, ku luajti 50 minuta, ai do të ishte në garë për çmimin e lojtarit më të mirë.

Mesfushor i majtë – Ivan Perisic, Kroacia

Anësori i Kroacisë Ivan Perisic ishte simbol i punës së madhe drejt rrugëtimit të ekipit të tij në Kupën e Botës. Goli i tij dhe asistimi në gjysmëfinale kundër Anglisë u pasuan me një gol në finale, me të cilin e barazoi rezultatin në 1:1 për një kohë të shkurtër, por që në fund u shfuqizua pas fitores së Francës.

Sulmues – Kylian Mbappe, Franca

 E ardhmja e futbollit francez dhe ai që shihet si pasuesi i Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit si më i miri në këtë sport, Kylian Mbappe, shijoi një Kupë të Botës fantastike. I sapokurorëzuari me medaljen e artë të Kupës së Botës u zgjodh si “Lojtari më i Mirë i Ri” në këtë kompeticion dhe ishte në garë për çmimin e më të mirit gjithashtu. Pa dyshim, pesë javë të paharrueshme për sulmuesin e Paris Saint-Germain.

Sulmues – Eden Hazard, Belgjika

Sulmuesi më i mirë i Belgjikës në suksesin e saj më të madh në historinë e Kupës së Botës, Eden Hazard, shkëlqeu me tri gola dhe dy asistime dhe gjithashtu me një numër të pafund të driblimeve. Futbollisti i Chelseat ishte kthyer tashmë në futbollistin më të kërkuar në botë, por ekipet si Real Madridi vetëm sa janë magjepsur edhe më shumë nga paraqitjet e tij në Rusi.

Sulmues – Antoine Griezmann, Franca

Antoine Griezmann nuk e kishte ndikimin e njëjtë nga loja e hapur si në Kampionatin Evropian të vitit 2016, por ndikimi i tij fenomenal nga ndërprerjet nuk mund t’i hiqet. Ai shënoi tri gola dhe asistoi tre herë qysh në fazën e grupeve. Në finalen e Botërorit ylli i Atletico Madridit krijoi një gol dhe shënoi nga penaltia në një pjesë të parë, në të cilën dominonte Kroacia. Ai e meritoi medaljen e fituesit të Kupës së Botës për përpjekjet e tij. /Zëri/