I madh e i vogël në Mitrovicë, në përkrahje të Prishtinës

Sport July 17, 2018 - 16:38

FC Prishtina do ta zhvillojë të enjten ndeshjen më të rëndësishme të vitit, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit do të përballen me ekipin CS Fola Esch në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Europa Leagues.

Prishtinasit e nxorën një barazim solid në Luksemburg dhe tash do ta kenë rastin që në stadiumin “Adem Jashari” të fitojnë dhe të avancojnë në rrethin e dytë kualifikues, që do të ishte një e arritur historike për futbollin kosovar.

Me këtë rast klubi më i madh kosovar do ta kalonte “pengesën” e dytë evropiane brenda vetëm një sezoni.

Për ta arritur këtë prishtinasit janë fokusuar totalisht te loja.

Madje, ata kanë vendosur që lojtarët të mos flasin për mediet dhe ta kenë përqendrimin vetëm te fusha e gjelbër dhe te loja jetësore e tyre.

Për ta arritur kualifikimin e madh FC Prishtina ka nevojë për mbështetje.

Prandaj, ky klub u ka bërë thirrje tifozëve prishtinas, por edhe të qyteteve të tjera që të jenë prezentë në numër sa më të madh në stadiumin “Adem Jashari” të enjten, në ndeshjen që do të fillojë në orën 19:00.

Prishtinasit e kishin kaluar rrethin parakualifikues pasi e kishin eliminuar skuadrën FC Europa nga Gjibraltari.

Katërshja zvicerane drejton ndeshjen

Të hënën janë caktuar gjyqtarët e ndeshjes kthyese të rundit të parë të Europa Leagues ndërmjet Prishtinës dhe Fola të Luksemburgut.

Ndeshjen do ta gjykojë katërshja e gjyqtarëve nga Zvicra, të prirë nga Urs Schnyder, Jan Kobeli, Efe Kurnazca dhe Alain Bieri.

Ndërsa delegat i ndeshjes është danez Steen Michael Dahrup.

Ndeshja e parë është mbyllur pa gola, 0:0 dhe Prishtinën në rundin e dytë kundër Genkut e kualifikon vetëm fitorja, ndërsa çdo barazim tjetër, përveç 0:0 e që dërgon në vazhdime, e eliminon nga kualifikimet. /Zëri/