Drita e kërkon mrekullinë ndaj Malmos sonte në Champions

Sport July 10, 2018 - 12:32

Drita ëndërron ta vazhdojë eksperiencën evropiane. Kampioni i Kosovës synon ta befasojë sonte Malmon në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Gjilanasit janë të vetëdijshëm se përpara e kanë një klub të njohur dhe të fuqishëm evropian, por shtojnë se në futbollin e sotëm gjithçka është e mundshme. Ata do të mundohen të dalin sa më mirë nga ndeshja e sontme në Mitrovicë, për ta kërkuar më pas mrekullinë pas një jave në Suedi

Drita do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në Evropë me ndeshjen e sontme, që do ta zhvillojë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Kampioni i Kosovës do ta presë klubin e njohur suedez Malmo në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, shkruan sot gazeta Zëri.

Bardhekaltrit e kaluan rrethin parakualifikues pasi e fituan grupin në të cilin gjendeshin, ndërsa tash ata i pret një punë shumë më e vështirë pasi përpara do ta kenë klubin që kohë pas kohe luan në fazën e grupeve të Championsit.

Isufi: Secili ekip i ka shanset e veta

Pavarësisht faktit se do të luajnë me klubin e njohur evropian, gjilanasit do t’ia bëjnë hyzmetin për të dalë sa më mirë në sfidën e dyfishtë me Malmon.

Trajneri Bekim Isufi thotë se në futbollin e sotëm nuk i dihet asnjëherë.

Ai e ka analizuar lojën e kundërshtarit, të cilin e respekton shumë dhe pret nga djelmoshat e tij që ta tregojnë veten njëjtë siç bënë në turnin paraprak.

“E dimë rëndësinë e ndeshjes, e dini se sa vite është dashur të kemi ndeshje historike. Pas dy ndeshjeve që i patëm në Gjibraltar, i kemi bërë të gjitha përgatitjet e mundshme, aq sa kemi pasur mundësi. Do të luajmë kundër një kundërshtari që e dini të gjithë se për çfarë ekipi bëhet fjalë”, ka thënë fillimisht trajneri gjilanas në konferencë për shtyp.

“Kemi pasur më shumë kohë për t’u përgatitur për lojën ndaj Malmos. I kemi bërë përgatitjet e duhura, të cilat kemi menduar që na nevojiten. E kemi bërë analizën e kundërshtarit. Kemi respekt për kundërshtarin, nuk diskutohet se përvoja dhe niveli i futbollit flet për Malmon dhe ky është ekip favorit. Por, ne nuk do të hyjmë të dorëzuar, do të mundohemi ta bëjmë maksimumin. E kam besimin te këta lojtarë që do ta japin më të mirën. Presioni i vetëm yni është që të shfaqemi mirë dhe nuk dyshoj për këtë”, vazhdoi Isufi.

Ai beson se gjilanasit mund të përmirësohen edhe më shumë dhe t’i shfrytëzojnë rastet që nuk i konkretizuan në ndeshjet e kaluara.

Sepse, shton ai, ndaj një kundërshtari të fuqishëm si Malmo vijnë rastet më rrallë dhe ato pak raste duhen shfrytëzuar nga lojtarët e tij.

Ai ndihet i lumtur që Drita do ta ketë përkrahjen edhe nga tifozët dhe shton se është kënaqësi që pas disa vitesh do të mbushet përplot stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, gjë e cila do të jetë motiv për lojtarët, të cilët do ta japin më të mirën nga vetja.

“Jemi krenarë që po e prezantojmë futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme. Është vetëm viti i dytë yni ky që luajmë në Evropë. Është shumë e rëndësishme që Drita dhe Prishtina të kualifikohen në fazën e dytë. Shpresoj që vitin tjetër në Evropë të garojnë tri ekipe kosovare”, nënvizoi Isufi.

Sipas tij, do të ishte ideale nëse Drita shënon në ndeshjen e parë.

Ai e ka përmendur Botërorin 2018 si shembullin më të mirë që secili ekip ka shans.

Isufi në fund shpreson që Drita ta ketë ditën më të mirë të saj dhe ta nxjerrë një rezultat të mirë.

Shabani: Besoj se do të nxjerrim rezultat pozitiv

Xhevdet Shabani është futbollisti më i mirë i Dritës. Mesfushori ofanziv shprehet optimist para sfidës së sontme me ekipin suedez. Sipas tij, të dyja ekipet kanë gjasa të shkojnë më tutje në Champions.

“Është një ndeshje historike, të cilën e kemi pritur një kohë të gjatë. Do ta japim maksimumin për të dalë sa më mirë nga kjo ndeshje. Besoj se do ta nxjerrim një rezultat pozitiv”, tha ai.

“Gjasat do të jenë 50 me 50. Na pret një lojë mjaft e vështirë, do ta japim 100-përqindëshin dhe shpresoj se do t’ia dalim mbanë”, nënvizoi ai.

Limani: Tifozët, motiv shtesë për ne

Kapiteni Ardian Limani mendon se prezenca e tifozëve gjilanas në ndeshje me Malmon do të jetë motiv shtesë për të dhe shokët e skuadrës në fushë.

Ai premton se Drita do ta japë maksimumin për t’i shpërblyer “Intelektualët” me lojë të mirë sonte.

“Është një fat i mirë për ne, të gjithë do ta lënë anash lojën e Botërorit për të ardhur në stadium. Prezenca e tifozëve tanë do të jetë motiv shtesë për ne, shpresoj të jenë në numër sa më të madh. Shpresojmë t’i shpërblejmë ata dhe ata të na japin përkrahje gjatë lojës. Kjo do të ishte shumë më e lehtë për ne”, u shpreh mbrojtësi i gjilanasve.

Ndeshja ndërmjet Dritës dhe Malmos do të zhvillohet sonte në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, duke filluar nga ora 20:45.

Liga e Kampionëve

Rrethi i parë kualifikues

E martë

20:45 Drita – Malmo