Ish ylli i AC Milanit që demantoi Serbinë për njohjen e Kosovës

Sport June 22, 2018 - 15:41
LAJMI I FUNDIT

Liberia sot e ka rikonfirmuar njohjen për Kosovën, duke demantuar edhe një herë shtetin e Serbisë dhe politikën atje se ky shtet e ka tërhequr njohjen.

Përmes një deklarate të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Liberi rikonfirmohet vendimi i 30 majit të vitit 2008 për njohjen e shtetit tonë.

“Kjo është komunikata zyrtare e Shtetit të Liberisë. E falënderoj Presidentin George Weah, shtetin dhe popullin Liberian. Sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk do të ndalen”, ka shkruar shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, shkruan lajmi.net.

E presidenti Weah është ish sulmuesi i AC Milanit, ylli i kësaj skuadre, George Weah, shkruan lajmi.net.

Weah ka luajtur për disa skuadra evropiane para se të bëhet yll në Milan. Ai karrierën në Evropë e ka nisur në Monaco ku ka luajtur nga viti 1988 deri në vitin 1992. Më pas ishte transferuar në PSG ku luajti deri në vitin 1995 ku më pas u transferua në Milan.

Për pesë vjet sa ishte në Milan ai zhvilloi 114 ndeshje dhe shënoi 46 gola, duke u shpallur futbollisti më i mirë në botë aso kohe (fitoi Topin e Artë në vitin 1995). Ai u bë futbollisti i parë afrikan që e fitoi këtë çmim.

Pas largimit nga AC Milan në vitin 2005, Weah luajti pak edhe në Chelsea, për ta mbyllur më pas karrierën si futbollist me Al Jaziran në vitin 2003.