EHF-i përkëdhel Serbinë, i jep dënim sa për adet

Sport June 06, 2018 - 13:33

Federata Evropiane e Hendbollit e ka dënuar minimalisht Federatën Serbe të Hendbollit. Qeveria serbe ishte përzier në sport duke e anuluar turneun kualifikues për Kampionatin Botëror U20 te Femrat, që ishte paraparë të luhej në afërsi të Beogradit e ku pjesëmarrëse do të ishte edhe Kosova. EHF-i për këtë veprim i ka dënuar serbët me dy vjet mosorganizim të evenimenteve ndërkombëtare, por vetëm për të rinj. Po ashtu, Serbia do ta paguajë edhe një gjobë prej 15 mijë eurosh. Në Federatën e Hendbollit të Kosovës thonë se ky është një dënim përkëdhelës për Serbinë, e cila e meritonte një ndëshkim më të rëndë

Federata Evropiane e Hendbollit e ka thënë fjalën e saj për incidentin që kishte ndodhur në Serbi, ku ishte anuluar turneu kualifikues i Kampionatit Botëror U-20 për Femra shkaku i pjesëmarrjes së Kosovës, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjykata e EHF-it konsideron se politika është përzier në sport në këtë rast dhe e ka dhënë dënimin për palën serbe, e cila megjithatë është përkëdhelur pasi e ka marrë dënimin minimal.

“Gjykata konstatoi se në kundërshtim me argumentet e Federatës së Hendbollit të Serbisë, fakti se Ministria e Brendshme vendosi që ndeshjet të mos lejoheshin, nuk duhet të konsiderohet si rast i forcës madhore, por thjesht një element që duhet marrë në konsideratë kur të definohet lloji i dënimit të imponuar”, shkruan në njoftimin e EHF-it.

Sipas shtëpisë së hendbollit evropian, masat e sigurisë është dashur të merreshin me kohë dhe duhej shqyrtuar me kujdes organizimi i këtij turneu nga Federata Serbe e Hendbollit, e jo kjo e fundit të tërhiqet dhe të dorëzohet në momentet e fundit.

Për këtë kjo Federatë i ka marrë dënimet si vijojnë:

- Gjobë prej 15,000 eurosh, që mund të paguhet në një periudhë dyvjeçare;

- Suspendim nga organizimi i kompeticioneve të ekipeve kombëtare në kategoritë e reja në periudhë dyvjeçare;

- Rimbursimi i çdo shpenzimi eventual shtesë, duke përfshirë këtu kompensimin e dëmit të shkaktuar karshi EHF-it ose ekipeve tjera pjesëmarrëse.

Gjithashtu, EHF-i njofton se pala serbe mund të bëjë ankesë për këtë vendim në një periudhë prej shtatë ditësh.

Image

Gjinovci: Lehtësime për Serbinë, dënim përkëdhelës

Në Federatën e Hendbollit të Kosovës e kanë pritur mirë dënimin e Serbisë, por e pranojnë se kishin pritur sanksione më të ashpra nga ana e EHF-it për serbët, pasi ky ishte një rast i veçantë që duhej trajtuar ndryshe.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës thotë se serbët janë përkëdhelur paksa me dënimet që i kanë marrë. Sidoqoftë, ai është i vetëdijshëm se “afërsia” në mes palëve ka bërë që dënimi të ishte i lehtë.

“Natyrisht, është dashur që Serbia të dënohej më shumë, edhe pse ky është standardi. U janë bërë lehtësime serbëve me këtë dënim. Ky nuk do të jetë një mësim për serbët, por një mësim për Federatën Evropiane të Hendbollit që të mos ia japë më organizimin e turneve të tillë”, thotë fillimisht Gjinovci për “Zërin”.

“Edhe vetë Federata Serbe ka pritur që do të gjobitet nga 50 deri në 100 mijë euro. Për ta kjo është një përkëdhelje, një dënim përkëdhelës. Ky rast është më i rëndë, nuk është prej të zakonshmëve pasi turneu nuk është organizuar fare. Sidoqoftë, kjo është e pritshme kur dihen raportet në mes EHF-it dhe Serbisë. Kryetari i Komisionit të Garave të EHF-it është kryetar i Federatës Serbe të Hendbollit”, shton sekretari i FHK-së.

EHF-i ka vendosur që më të mos ketë përballje në mes të Kosovës dhe Serbisë në hendboll në asnjë konkurrencë, por nëse këto dy përfaqësuese përballen në fazën finale të ndonjë evenimenti, Gjinovci thotë se ekipi kosovar do të ballafaqohet pa problem me atë serb.

Kualifikimet për U-20 te femrat ishte paraparë të mbahej në Serbi nga 23 deri më 25 maj 2018.

Mirëpo gjithçka ishte anuluar nga qeveria serbe, e cila frikësohej se situata do të eskalonte pasi serbët ishin revoltuar për pjesëmarrjen e Kosovës.

Madje, huliganët i kishin thyer edhe xhamat e zyrave të Federatës Serbe të Hendbollit dhe kishin paralajmëruar se do ta rrethonin palestrën ku do të zhvilloheshin ndeshjet

Ekipi kosovar kishte dalë në parket, por jo edhe ai serb dhe me këtë rast ishte anuluar ky turne. /Zëri/