Hisja shqiptare në Botëror: 5 shqipe në Rusi

Sport June 05, 2018 - 13:02
Kosova e as Shqipëria nuk do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror me ekipet e tyre përfaqësuese, megjithatë shqiptarët do ta kenë hisen e tyre në “Rusia 2018”. Do të jenë pesë futbollistë shqiptarë që “do të shkelin” në evenimentin më të rëndësishëm të futbollit botëror, i cili fillon pas pak ditësh. Adnan Januzaj u ftua të hënën nga Belgjika, duke iu bashkuar Valon Behramit, Blerim Xhemailit, Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, të cilët do ta përfaqësojnë Zvicrën. Jashtë Botërorit kanë mbetur Admir Mehmedi, Shkodran Mustafi dhe Riza Durmishi

Kosova dhe Shqipëria nuk arritën ta presin nga një biletë për Kampionatin Botëror.

Mirëpo, populli shqiptar si edhe herëve tjera do ta ketë hisen e tij në evenimentin më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Do të jenë pesë shqipe që do të luajnë në “Rusia 2018”, shkruan sot gazeta Zëri.

Edhe pse do t’i përfaqësojnë vendet tjera, ata do të jenë ndërkohë ambasadorë të shqiptarëve në Botëror, i cili do të fillojë pas më pak se 10 ditësh.

Januzaj, prapë në Botëror

Adnan Januzaj është treguar futbollisti më injorant dhe më përbuzës i popullit shqiptar, në aspektin sportiv.

Ai fillimisht kishte bërë lojëra me Kombëtaren shqiptare, ndërsa kapakun ia vuri me Përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën luajti si macja me miun, për ta zgjedhur në fund Belgjikën.

Ky vendim i tij kishte zgjuar zhgënjim dhe mllef të madh te shqiptarët.

Megjithatë, futbollisti i atëhershëm i Manchester Unitedit në këmbim të zgjedhjes së Belgjikë, ishte ftuar nga kjo Përfaqësuese në Botërorin 2014.

Më pas Januzaj pati rënie në karrierë duke u huazuar në Sunderland e Borussia Dortmund dhe mbeti pa “Evropianin 2016”.

Megjithatë, forma e mirë që po e shfaq në Spanjë me Real Sociedadin ka bërë që trajneri Roberto Martinez ta përfshijë atë në listën definitive prej 23 futbollistëve të ftuar për në Rusi.

“Ai është një talent i madh, mjaft i rrezikshëm në një kundër një. Lojtarët mund ta sjellin freskinë e tyre, posaçërisht në një kundër një. Adnani më ka impresionuar dhe ka bërë përparim në muajt e fundit. Pres shumë nga ai”, është shprehur trajneri Martinez.

Konkurrenca në mesfushën e Belgjikës është e frikshme, por Januzaj do ta kërkojë ndonjë minutë në këmbët e tij.

Zvicra me katër shqiptarë

Pa dyshim, Zvicra do të jetë Përfaqësuesja me më së shumti futbollistë shqiptarë, si zakonisht.

Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka do të jenë katër shqiptarë që do ta përfaqësojnë ekipin helvetik në Botëror, ndërsa fatin e tyre nuk do ta ketë edhe Admir Mehmedi, i cili duhet ta përcjellë evenimentin “Rusia 2018” vetëm si shikues për shkak të një lëndimi që e pësoi.

Kurse Pajtim Kasami, Shani Tarashaj e Florent Hadërgjonaj, që kanë luajtur ndërkohë për Zvicrën, nuk janë ftuar nga trajneri Vladimir Petkoviç.

Mustafi e Durmishi, jashtë Botërorit

Në Botërorin e Rusisë pritej të merrnin pjesë më shumë shqiptarë. Sidoqoftë, në fund numri u kufizua në pesë.

Kjo nënkupton se të tjerët nuk janë ftuar për arsye të ndryshme.

Derisa Admir Mehmedi ishte “viktimë” e një lëndimi dhe mbeti jashtë listës së Zvicrës, jashtë Botërorit mbetën edhe dy futbollistë shqiptarë.

Shkodran Mustafi ishte shpallur kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014, ndërsa e kishte përfaqësuar këtë vend edhe në “Evropianin 2016”.

Mirëpo, përzgjedhësi Joachim Loew nuk e ftoi atë edhe në “Botërorin 2018” për shkak të konkurrencës së fortë dhe formës jostabile të lojtarit tek Arsenali.

Krahas tij, jashtë mbeti edhe Riza Durmishi të cilin nuk e ftoi trajneri i Danimarkës, Age Gareide.

Paraqitjet e mbrojtësit të krahut me ekipin spanjoll Betis nuk e bindën trajnerin danez.

31% e ekipit të Zvicrës me të huaj

Në “Botërorin 2018” do të marrin pjesë futbollistë të shumtë që janë lindur diku tjetër, por që e përfaqësojnë një vend tjetër.

Derisa kësaj liste i prin Maroku me 61,5 për qind, Zvicra gjendet në vendin e katërt me 31 për qind të lojtarëve që e përfaqësojnë, por që janë lindur diku tjetër.

Helvetikët përfaqësohen nga katër shqiptarët, Behrami, Xhemaili, Shaqiri e Xhaka, të cilët kanë ndikuar dukshëm që përqindja e zviceranëve të rritet. /Zëri/