Në luftë pa armë

Sport May 25, 2018 - 10:32

“Luftës” në mes FC Prishtinës dhe “Plisave” me Fadil Vokrrin i kanë hyrë edhe disa akterë të tjerë. Mirëpo, po del se shumë nga ta në këtë “luftë” shkuan pa “armë”. Një grup i ish-futbollistëve të gjeneratës së artë të Prishtinës i dolën në mbrojtje Vokrrit duke e sulmuar FC Prishtinën, por sëpata e tyre hasi në gozhdë. Ishin “Plisat” ata që ua ndalën hovin ish-futbollistëve të njohur të Prishtinës, duke i quajtur ata servilë të Vokrrit, me të cilin bashkërisht e “kanë vjelë” futbollin duke mos i dhënë asgjë nga vetja. Ata thanë se Prishtina e ka vetëm një legjendë: Burim Hatipin! Kurse Nexhmedin Bunjaku zbuloi se si janë punësuar në Federatën e Futbollit të Kosovës thuajse të gjithë ata që i dolën në mbrojtje kryetarit të FFK-së duke e sulmuar FC Prishtinën. Madje, ka nga ata që edhe familjarë u janë rehatuar në FFK, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Të shkosh në luftë pa armë! Kështu mund të thuhet për shumë akterë që i janë futur një “lufte” të cilën e nisi FC Prishtina me Fadil Vokrrin. Në fakt, “fërrkat” në mes klubit më të madh në vend dhe ish-futbollistit të famshëm të saj datojnë qysh para dhjetë vjetësh, por ditëve të fundit ato janë përshkallëzuar.

Gjithçka u prodhua nga derbi vendimtar për titull të kampionit ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, i cili nuk u lejua të organizohet në stadiumin e Prishtinës nga prishtinasit, të cilët u detyruan të luajnë në kushte të këqija në Pejë, me ç’rast pati edhe përleshje të ashpra në mes të tifozëve, shkruan sot, gazeta "Zëri".

FC Prishtina u ndie e tradhtuar nga Fadil Vokrri, për të cilin fillimisht kishte thënë se po pranon që ndeshja të luhet në Prishtinë. Dhe vetëm 24 orë më vonë bardhekaltrit thanë se Vokrri s’ka lënë “gur pa rrotulluar” për ta penguar zhvillimin e ndeshjes në kryeqytet.

“Ishte Vokrri që me presion të paparë e të padëgjuar duke mos fjetur tërë natën e mbase duke qëndruar te ‘Bata’ në Graçanicë nuk la birë pa thirrur e duke arritur qëllimin duke e penguar të zhvillohet ndeshja në stadiumin tonë. Dikur jetonte me ndihma në Francë e pastaj drejtori i klubit me 3.000 euro rrogë, sot fuqishëm e paturpësisht e luftoi klubin që e kaliti, klubin që e ktheu në vendlindje duke e amnistuar nga ngjarjet që opinioni kurrë nuk do t’ia harrojë gjatë viteve’90-ta”.

Kjo është vetëm njëra prej “goditjeve” të FC Prishtinës ndaj Vokrrit, mbase edhe më e rënda. Të tilla “bombardime” ndaj kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ditëve të fundit kanë kryer edhe “Plisat”. Tifozët prishtinas përveçqë e kërcënuan, ata e quajtën Vokrrin “Grobari”. “Grobari” quhet grupi i tifozëve të Partizanit të Beogradit, ku në vitet e ’80-ta Vokrri ishte transferuar nga Prishtina.

Në krejt këtë tollovi ishte përfshirë edhe Arianit Ahmeti, zëvendëssekretari i FFK-së, i cili vonë e ka marrë këtë detyrë. Ai e kishte quajtur “njeri të çmendur” presidentin e FC Prishtinës Remzi Ejupin, i cili tashmë është ndër donatorët më të vjetër në futbollin kosovar, mbase ndoshta edhe më i madhi. Por, prishtinasit u ishin kundërpërgjigjur keq Ahmetit, për të cilin thanë se është punësuar në FFK me intervenimin e Astrit Haraqisë, ndërsa ia zbuluan një foto nga vitet e ’90-ta kur Ahmeti po e bartte fanellën e Prishtinës me logon e sponsorit “Eurokoha”, pronar i së cilës është pikërisht Ejupi.

Image

Kur u mendua se situata po qetësohej në skenë dolën disa ish-futbollistë të famshëm të Prishtinës. Edhe pse tubimit të tyre u munguan shumë ish-futbollistë të famshëm, si Fadil Muriqi, Edmond Rugova, Kujtim Shala, Ardian Kozniku, Arbnor Morina, e shumë të tjerë, disa ish-futbollistë lëshuan deklaratë në emër të gjeneratës së artë, përmes së cilës i dolën në mbrojtje Vokrrit. Por, këtë e bënë duke e sulmuar ish-klubin e tyre dhe kryesinë e tanishme të FC Prishtinës.

“Jemi posaçërisht të indinjuar me akuzat që ish-klubi ynë Prishtina po i bën në drejtim të kapitenit dhe ikonës së Prishtinës, por edhe të futbollit tonë, Fadil Vokrrit. Është e pakuptimtë që kryesia aktuale e klubit, që në fakt nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe me klubin e dikurshëm, për çdo dështim të tyrin e dorën në zemër ato dështime po janë të shpeshta e të shumta, provojnë ta manipulojnë opinionin dhe çdoherë si fajtor kujdestar gjejnë ish-kapitenin tonë Vokrrin, njeriun me të cilin krenoheshim jo vetëm ne por e tërë Kosova e më gjerë”, thuhej në deklaratën e tyre, në të cilën shihej tentativa për ta zbutur qëndrimin e opinionit prishtinas ndaj Vokrrit dhe për ta nxitur karshi kryesisë aktuale të klubit. Ky grup i ish-futbollistëve e ka pyetur kryesinë e FC Prishtinës se pse asnjë nga ish-futbollistët e gjeneratës së artë nuk është në FC Prishtinë, ndonëse e kaluara tregon të kundërtën: Gati të gjithë atyre u ishte dhënë rasti për të punuar në FC Prishtinën e udhëhequr nga kjo kryesi.

“Plisat” e Bunjaku: Po flasin servilët dhe të punësuarit në FFK

Deklarata, përmes së cilës u mbrojt Fadil Vokrri duke u sulmuar FC Prishtina, është lexuar nga Ajet Shosholli në emër të grupit të përbërë nga Muharrem Sahiti, Isa Sadriu, Ramiz Krasniqi, Erdogan Celina, Ramadan Cimili, Sahit Kelmendi, Shefqet Sinani, Jusuf Tortoshi e Agim Cana, ndërsa kanë munguar disa nga yjet tjerë të mëdha, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Por, kush janë këta që e mbrojtën Vokrrin dhe e sulmuan FC Prishtinën?

Image

Kredibilitetin e tyre e kanë zbehur shumë “Plisat” dhe njëri prej njohësve më të mirë të futbollit kosovar Nexhmedin Bunjaku, i cili e “di fije e për pe” se si funksionon futbolli në Kosovë.

“Të gjithë jeni të punësuar në Federatë, të gjithë keni afera për mospunë dhe si fëmijëve të bashkëkombësve tanë u merrni para për 1-2 dy herë të veshë fanellën e reprezentacionit që e keni privatizuar”, thuhet në reagim e “Plisave”.

Kurse ish-futbollisti dhe gjyqtari në kohën e okupimit Bunjaku e ka treguar më në detaje “Backgraundin” e atyre që e mbrojtën Vokrrin duke e sulmuar FC Prishtinën.

“Legjendat që i paskan dalë në përkrahje Fadil Vokrrit: Ajet Shosholli - kryetar i Shoqatës së Trajnerëve, kryetar i Këshillit Profesional të FFK-së, drejtor te Trepça dhe djalin e ka të punësuar në FFK. Ramadan Cimili - selektor në futsall. Ramiz Krasniqi - selektor i U-19. Sahit Kelmendi - Komisioni Disiplinor në FFK. Muharrem Sahiti - trajner në Përfaqësuesen A të Kosovës. Isa Sadriu – trajner në Vushtrri, trajner në Reprezentacionin U-15. Agim Cana - kryetar i Vëllaznimit”, ka theksuar Bunjaku.

Puna shkon larg: “Plisat” kontestojnë legjendat e klubit, e vlerësojnë vetëm Burim Hatipin

“Plisat” kanë reaguar ashpër ndaj një ish-grupi të futbollistëve të gjeneratës së artë, ndaj të cilëve nuk kursyen asgjë. Tifozët prishtinas e shfrytëzuan rastin “për ta sulmuar” sërish edhe Vokrrin, të cilin qe një kohë po e akuzojnë se po ia punon të keqen para shpine FC Prishtinës.

“Ne gjenerata e ‘Plisave’ që futbollin e ndjekim nga fundi i viteve ’80-ta:Kemi dëgjuar shumë për gjeneratën e ashtuquajtur të artë, por nuk i kemi parë duke luajtur. Po, na kanë treguar prindërit tanë për emra të mëdhenj të politikës që e kanë udhëhequr klubin. Po, kemi dëgjuar që paratë e fundit të ‘Elektrokosovës’, ‘Fazitës’, ‘Amortizatorëve’,... Bankës së atëhershme Qendrore ua kanë dhënë gjeneratës ‘së artë’. Kemi dëgjuar që idolli i gjeneratës së prindërve tanë e ka lënë Prishtinën për Partizanin e Beogradit. Kemi dëgjuar që ky idoll së bashku me milicinë e armikut, shokut tjetër të vet të gjeneratës ‘së artë’ i ka marrë banesën në natë të Bajramit. Kemi dëgjuar që kurrë asnjë cent nuk e ka dhënë as për Prishtinën, as për klubin e tij amë Llapin”, thuhet në reagimin e “Plisave” që aludojnë fillimisht në Vokrrin.

“Kemi dëgjuar që kur ka ardhur si drejtor në Prishtinë e ka pasur rrogën mbi 3.000 euro, kur presidenti Rugova nuk e kishte as 1.000 dhe kur këta shokë të vet të artë që sot i mban me lëmoshë e kanë sharë (ekzistojnë dëshmitë në gazeta)”, theksojnë “Plisat”, të cilët pastaj kthehen me “sulm” nga ata që e “goditën” FC Prishtinën për ta mbrojtur Vokrrin. “Përderisa kjo kryesi e Prishtinës vazhdon të derdhë para – ju gjithmonë veç keni marrë para. Ju kurrë një cent nuk e keni dhuruar për futbollin. More ju as biletë s’keni paguar në jetën tuaj. Ju vazhdoni të merrni para nga futbolli”, kanë potencuar “Plisat”.

Ata thanë se e njohin veç një legjendë nga historia e lavdishme e klubit më me nam të futbollit e ai është i ndjeri Burim Hatipi.

“Gjenerata jonë e ‘Plisave’ ka një legjendë nëse veç flitet për legjenda, ai është basketbollisti Edmond Azemi që nuk e ka ndërruar kurrë klubin. Po, është edhe një, nuk e kemi parë kurrë duke luajtur, kemi dëgjuar legjenda për të se si tërë jetën ka qenë vetëm në Prishtinë dhe kur ka ndërruar jetë ka ndërruar në bankinën e Prishtinës – BURIM HATIPI”, thuhet në fund të reagimit të “Plisave”.

FC Prishtina i injoron 

FC Prishtina nuk ka reaguar fare ndaj sulmeve që ia bëri një grup i ish-futbollistëve të famshëm të saj që i doli në përkrahje Fadil Vokrrit.

Në klubin bardhekaltër i thanë “Zërit” se nuk ia vlen t’u kundërvihet atyre njerëzve pasi thuajse të gjithë ata janë punësuar në FFK nga Vokrri ekskluzivisht për të kryer punë serviliteti, sepse rezultatet e tyre profesionale në postet që mbajnë janë krejtësisht dështuese. /Zëri/

Image
Image
Image