Shqiptarët, në fushë për ta përqafuar Ronaldon (FOTO & VIDEO)

Sport April 30, 2018 - 10:53
Në fushë, për Ronaldon

Një takim me Cristiano Ronaldon, qoftë ai për pak sekonda, është ëndërr e thuajse çdo tifozi të futbollit. Këtë ëndërr e realizoi javën që shkoi i riu kosovar Admir Rramanaj, i cili bashkë me vëllain dhe një mik të tij zbritën në fushë në fund të ndeshjes së Championsit, Bayern – Real e përqafuan dhe u munduan të bënin fotografi me yllin portugez. 16-vjeçari nga Prizreni thotë se u ndie si në parajsë kur e përqafoi Ronaldon. Takimi me këtë të fundit u kushtoi me keqtrajtim nga sigurimi dhe mbyllje të përhershme të dyerve të “Allianz Arena” për ta. Sidoqoftë Admiri, futbollist i ri në Gjermani, nuk është pishman për asgjë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

I shohim çdo ditë përmes ekranit televiziv ose nga tribunat në stadiume, por nuk mund t’i prekim asnjëherë. Një takim me yjet e futbollit është ëndërr e çdo të riu. Në pamundësi për t’i takuar në qytet, tifozët zgjedhin mënyra të ndryshme për t’iu afruar atyre, për t’i prekur, përqafuar apo edhe për të bërë fotografi me ta, qoftë edhe nëse i thyejnë rregullat.

Një veprim të tillë e bëri edhe i riu kosovar Admir Rramanaj. Në fund të ndeshjes ndërmjet Bayern Munichut dhe Real Madridit, së bashku me vëllain e tij Almir Rramanaj dhe një shok të tyre, Luan Rexhepi, i kaluan rrethojat e tribunave dhe përfunduan në fushë për ta takuar më nga afër yllin e futbollit botëror, Cristiano Ronaldo, shkruan më tutje "Zëri".

Treshja e kishte bërë planin më herët, edhe pse fillimisht ideja ishte që të përfundonin në fushë gjatë lojës.

“Unë dhe vëllai im deshëm ta shikonim Ronaldon më nga afër dhe ideja ishte që të futemi në fushë kah minuta e 70-të. Mirëpo, problemi ishte se dëshironim ta shikonim lojën deri në fund dhe ne dolëm në fushë në minutën e 90-të, pasi mbaroi loja. Vëllai im Almiri më tha a po shkojmë dhe ashtu vepruam. Ai shkoi i pari dhe unë pas tij e më pas edhe shoku im nga Presheva, Luan Rexhepi. Të tre u nisëm duke vrapuar në drejtim të Ronaldos”, tregon fillimisht “Adi” për Zërin.

Image

Rramanaj megjithatë zbulon se lojtari i tij i preferuar është Lionel Messi, por që Ronaldon e sheh si njërin prej lojtarëve më të mirë në botë dhe nuk dëshironte ta lëshonte këtë mundësi jetësore.

“Messi dhe Ronaldo janë jashtë kësaj toke, janë alienë. Messi është lojtari im i preferuar dhe për të e lë jetën, por pasi edhe Ronaldo është yll thashë të hyj në fushë dhe ta përqafoj. E kam pasur ndjenjën si të isha në parajsë. Nuk u besova syve të mi që një lojtar si Ronaldo ishte para syve të mi”, vazhdon Rramanaj, i cili edhe vetë është futbollist në Gjermani dhe thotë se dëshiron të bëhet një lojtar i madh si Messi ose Ronaldo.

Image

Ndërkaq vëllai i tij Almiri është portier dhe shoku i tyre, Luan Rexhepi, me të cilën zbritën në fushë, është futbollist po ashtu.

Rramanaj: Doja t’i bëja krenarë krejt shqiptarët

Admir Rramanaj e përqafoi Ronaldon, por nuk ia doli të bënte fotografi me yllin portugez, edhe pse telefonin e drejtoi kah ai dhe vetja. Në fakt, nga emocionet dhe frika nga sigurimi i riu kosovar nuk e kishte kthyer kamerën kah vetja.

Sidoqoftë, atij nuk i ka mbetur merak pasi tashmë është bërë lajm botëror.

“Nuk më ka mbetur merak, sepse krejt mediet e kanë postuar foton. Unë kam dashur t’i bëj krenarë krejt shqiptarët kudo që janë”, tregon Admiri.

I keqtrajtoi sigurimi

Jo gjithçka shkoi mirë për treshen që përfundoi në fushë mesjavën që shkoi. Ata nuk shpëtuan lehtë pasi u larguan me dhunë nga sigurimi i stadiumit dhe si rezultat u kanë mbetur disa shenja në trup për shkak të keqtrajtimit që ua bëri sigurimi.

Image

Image

 

“Sigurimi e ka tepruar shumë dhe na kanë rrahur. Vëllain tim e kanë ndalur me shqelm. Pra, nuk shkoi kjo punë ashtu siç duhet. Megjithatë, nuk jemi pishman për asgjë”, shprehet Rramanaj, i cili zbulon se atyre u është thënë se nuk do të mundë të futen më kurrë në stadiumin “Allianz Arena”.

“Ishalla e sheh Ronaldo intervistën time dhe e shfuqizojnë vendimin për të na ndalur hyrjen në Allianz Arena. Ronaldo, siç shihet në video, ka buzëqeshur pasi e përqafuam, edhe pse është normale që fillimisht u frikësua pasi ishim të panjohur për të. Ndërsa Ribery nuk ka qenë i dashur me ne”, nënvizoi ai.

Ëndërron të bëhet si Messi e Ronaldo

Admir Rramanaj është një djalosh nga fshati Kobaj i Prizrenit, ndërsa është lindur në Kosovë. Ai ka jetuar me familje 13 vjet në Itali, derisa qe tre vjet është zhvendosur në Gjermani. Pas takimit me Ronaldon ai ka ëndrra të tjera edhe më të mëdha.

“Unë dua të bëhem lojtar i madh, por këtu në Gjermani mundësitë janë më të vogla, pra është e vështirë. I lutem Zotit të bëhem si Jordi Alba dhe kam dëshirë të luaj për Skënderbeun. Do të doja që ta bëj një provë tek ekipi nga Korça”, përfundoi Rramanaj. /ZËRI/

Image

Image