Rrugës drejt Evropës

Sport April 21, 2018 - 11:04

Drita dhe Vëllaznimi janë shumë seriozisht në garë për t’i fituar trofetë në Kosovë që dërgojnë në gara evropiane. Mirëpo, këto dy klube në edicionin e kaluar nuk i kishin përmbushur kriteret e UEFA-s, pa të cilat nuk mund të dalin në Evropë. Gjakovarët kanë arritur në finale të Kupës. Por, edhe nëse e fitojnë këtë trofe kuqezinjtë nuk do të mundë të dalin në Evropë pasi janë dorëzuar në procesin e licencimit. Në anën tjetër, Drita shpreson ta fitojë titullin dhe t’ia mësyjë Ligës së Kampionëve sepse është e bindur se sivjet do ta kalojë procesin e licencimit, në të cilin kishte ngelur vitin e kaluar. Më së afërti Evropës sot për sot shihet Prishtina, e cila përveçqë pritet ta kalojë pa problem procesin e licencimit, aktualisht i ka tri rrugë të hapura drejt Evropës – përmes titullit, përmes Kupës apo edhe përmes vendit të dytë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

FC Prishtina aktualisht është më së afërti garave evropiane. Momentalisht bardhekaltrit i kanë në dispozicion tri opsione për të shkuar në Evropë. Bardhekaltrit janë shumë seriozisht në luftë për titullin e kampionit, trofe i cili çon në garat për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Por, në rast se nuk arrin ta fitojë titullin e kampionit prishtinasit do ta kenë shansin e dytë për të shkuar në Evropë. Kjo pasi bardhekaltrit do të luajnë me Vëllaznimin në finale të Kupës së Kosovës, i cili trofe dërgon në garat kualifikuese për Europa League. Prishtina vlerësohet favorite pak më e madhe sesa skuadra gjakovare. Por në rast se kuqezinjtë e fitojnë këtë trofe, ata nuk do të mundnin të shkojnë në Evropë për shkak të mospërmbushjes së kritereve të licencimit për gara evropiane. Në fakt, Vëllaznimi ka aplikuar për licencim në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Mirëpo, janë dorëzuar në këtë proces pasi Agim Cana shumë vonë e ka marrë në dorë klubin kuqezi dhe koha është e shkurtër për t’i përmbushur kriteret shkaku i problemeve të trashëguara të Vëllaznimit nga e kaluara. Kështu, kuqezinjtë tani synojnë ta fitojnë këtë trofe veç sa për ta pasuruar historinë e tyre dhe për ta nisur një të ardhme të re e të trofeshme me presidentin e ri. Në rast të fitores së Vëllaznimit në finalen e Kupës dhe mospërmbushjes së kritereve për pjesëmarrje në gara evropiane, sipas rregullit, në kualifikimet e Europa Leagues do të shkojë nënkampioni i Kosovës, natyrisht nëse i plotëson kriteret. Kjo do të thotë shans i tretë për Prishtinën, e cila është e dyta në tabelë. Tashmë thuajse është i sigurt licencimi i Prishtinës, e cila edhe në vitin e kaluar ishte licencuar, ndërsa sivjet e ka shumë më të lehtë kalimin nëpër këtë proces. Përpos Prishtinës, në edicionin e kaluar ishin licencuar edhe Trepça ’89, Feronikeli dhe Llapi. Por jo edhe Drita. Kjo ka bërë që vëmendja të përqendrohet te Drita në krejt këtë proces. Gjilanasit konsiderohen si favoritë kryesorë për ta fituar titullin e kampionit. Ata aktualisht e mbajnë vendin e parë në Superligë. Ata janë të bindur se sivjet do të shkojnë në garat për Ligën e Kampionëve, natyrisht nëse e ruajnë deri në fund vendin e parë dhe se procesi i licencimit nuk do t’u paraqesë problem. Drita është e bindur se sivjet do ta kalojë me sukses procesin e licencimit për Evropë, të cilin nuk kishte arritur ta kalojë në edicionin e kaluar. “Jemi të bindur se prej 5 kritereve për licencim, klubi ynë Drita, i përmbushim 99,9 për qind të tyre. 0,01-përqindëshin eventual të papërmbushur ne do të mundnin ta përmirësojmë sepse në këso rastesh na jepet një afat kohor prej një jave për t’i përmirësuar mangësinë eventuale”, thotë për “Zërin” drejtori i klubit bardhekaltër, Fisnik Kërçeli. “Ne nuk u kemi borxhe lojtarëve, nuk kemi borxh në tatim ndaj shtetit e këso gjërash. Kështu që na mbetet vetëm të shpallemi kampionë të Kosovës dhe të shkojmë në Evropë”, theksoi ai.

Sipas rregullave, kampioni i Kosovës duhet të shkojë në garat për Ligën e Kampionëve. Kurse fituesi i Kupës shkon në ato të Europa Leagues. Në rast se kampioni nuk i plotëson kriteret e UEFA-s, atëherë mundësia e tij kalon te nënkampioni. Por, në rast se as ekipi i vendit të dytë nuk i përmbush kushtet mundësia i ofrohet ekipit të vendit të tretë. Sa i përket Kupës, nëse fituesi i saj nuk i përmbush kriteret në garat e Europa Leagues shkon ekipi i ranguar më mirë në kampionat dhe që i plotëson ato kritere. Me këtë nënkuptohet se në lojë mbetet edhe Llapi, i cili vjet ishte licencuar dhe pritet të licencohet edhe sivjet, ndërsa aktualisht është i treti në Superligë dhe matematikisht mbetet në garë edhe për titull të kampionit.

 

Sivjet pritet të licencohen më shumë klube

 

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se emrat e klubeve të licencuara për gara evropiane do të mësohen më 11 maj. Në vitin e kaluar ishin licencuar katër klube: Trepça ’89, Prishtina, Llapi dhe Feronikeli. Përgjegjësi i këtij sektori në FFK, Bajram Shala, paralajmëron se sivjet pritet të licencohen më shumë klube. Kjo për shkak se klubet tashmë e kanë bërë një përvojë në këtë proces, nëpër të cilin Prishtina e Feronikeli kalojnë qe tri herë, kurse klubet tjera qe dy herë. Klubet e licencuara në vitin e kaluar sivjet po kalojnë shumë më lehtë nëpër krejt këtë proces, kurse ato që nuk ishin licencuar janë përmirësuar dukshëm. “Kjo është diçka shumë e mirë për klubet dhe për futbollin e Kosovës”, thotë Shala, i cili jep informata të rëndësishme për krejt këtë punë.

“Klubet kanë aplikuar për licencim, duke përfshirë këtu edhe Dritën e Vëllaznimin. Më 18 prill ne ua kemi dërguar klubeve një raport, përmes së cilit i kemi njoftuar se çka u mungon. Ua kemi dhënë një afat kohor prej një jave, pra deri më 25 prill që t’i plotësojnë mangësitë. Pastaj, ne do t’i marrim prej klubeve ato që i kemi kërkuar për t’u plotësuar dhe do t’i përcjellim te Komisioni i Shkallës së Parë, i cili më 11 maj do të tregojë se cilat klube i kanë përmbushur kriteret e cilat jo. Pas kësaj klubeve të pakënaqura do t’u jepet edhe një tjetër afat prej pesë ditësh për ankesa eventuale”, ka deklaruar Shala për “Zërin”.

Sivjet në FFK për licencim kanë aplikuar dhjetë klube të Superligës. Besa dhe Vllaznia ishin të vetmet që nuk u janë nënshtruar këtij procesi, klube këto që po luftojnë për mbijetesë në Superligë. Në FFK kishte aplikuar edhe Vushtrria e Ligës së Parë, e cila është eliminuar në gjysmëfinale të Kupës nga Prishtina./ZËRI

Image