Fetahu konfirmon kandidaturën për kryetar të FBK-së

Sport March 23, 2018 - 16:47

Arben Fetahu e ka konfirmuar sot kandidaturën e tij për kryetar të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), pas dorëheqjes së papritur të kryetarit Erolld Belegu, shkruan zeri.info.

Fetahu do ta ketë për kundërkandidat Artan Rugovën, me të cilin do të përballet në zgjedhjet që do të mbahen në fillim të prillit.

“FALËNDERIM PUBLIK

Të nderuar miq,

Besoj se shumica prej jush ditëve të kaluara e keni kuptuar nga mediat se unë jam kandiduar për postin e Kryetarit të Federatës së Kosovës. Përderisa Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, anëtar i cilit jam nga viti 2013, me vota unanime ka përkrahur nominimin tim si kandidat i Bordit në këtë garë, për çka i falënderoj nga zemra, unë nominimin e tyre nuk e kam pranuar. Besimin e tyre e kam konsideruar nder të madh dhe vlerësim të punës dhe kontributit që e kam dhënë në FBK dhe për mua personalisht. Megjithatë, për të garuar për këtë pozitë kam kërkuar përkrahjen e atyre të cilëve u shërben ky institucion – klubeve dhe shoqatave të basketbollit.

Tani, kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në zgjedhje, me kënaqësi të madhe ju njoftoj se mbi 2/3 e të gjithë anëtarëve dhe së paku 2/3 e çdo kategorie të anëtarëve të FBK-së i kanë deponuar kandidaturat me emrin tim.

Po e shfrytëzoj këtë medium për t’i falënderuar nga zemra 7 nga 10 ekipet e Ligës së Femrave, 6 nga 8 ekipet e Superligës, 6 nga 8 ekipet e Ligës së parë dhe 4 nga 6 Shoqatat e FBK-së për besimin e dhënë. Shpresoj se oferta ime e sinqertë për bashkëpunim në avancimin e sportit të zemrës sonë do t’i nxisë edhe klubet dhe shoqatat e mbetura që t’i bashkëngjiten kësaj përkrahjeje. I juaji, Arben Fetahu”, ka shkruar Fetahu në Facebook. /Zëri/