Do ta bëj Kosovën krenare në Olimpiadën Dimërore

Sport January 15, 2018 - 12:48

Albin Tahiri është i gatshëm ta shkruajë historinë, duke u bërë garuesi i parë që e përfaqëson Kosovën në Olimpiadën Dimërore. Skitari kosovar, i cili e ka siguruar pjesëmarrjen me normë olimpike në pesë disiplina, thotë se do ta japë maksimumin nga vetja në Korenë e Jugut për t’i bërë krenarë krejt kosovarët. Përkundër konkurrencës së fuqishme, 28 vjeçari thotë se këtij sporti nuk i dihet. Nëse gjithçka shkon si duhet, ai beson se do të dalë mirë nga evenimenti më prestigjioz i sporteve dimërore

Albin Tahiri do ta thyejë akullin duke u bërë sportisti i parë që e përfaqëson Kosovën në Olimpiadën Dimërore, në debutimin e kësaj të fundit në këtë eveniment prestigjioz.

Skitari kosovar është duke u përgatitur muajt e fundit në vende të ndryshme evropiane dhe mori pjesë edhe në Botërorin e Skijimit. Mirëpo, fokusi i tij kryesor është Olimpiada Dimërore “PyeongChang2018”, e cila do të mbahet në Korenë e Jugut.

Image

Krenar që do ta përfaqësoj Kosovën

28 vjeçari ndihet krenar që ju dha mundësia ta përfaqësojë vendin e tij. Skitari, i cili është rritur në Slloveni, ndihet i lumtur që më në fund iu realizuar ëndrra: ta përfaqësojë Kosovën në një eveniment aq prestigjioz si Olimpiada Dimërore.

“Ndihem shkëlqyeshëm, kjo është ajo për të cilën kam ushtruar gjatë tërë jetës. Unë jetoj për këtë sport, ëndrra ime po bëhet realitet. Për mua, pjesëmarrja në Olimpiadën Dimërore është po ashtu një shpërblim për çdo minutë që kam investuar në këtë sport dhe kjo po shpërblehet në fund”, theksoi fillimisht Tahiri për “Zërin”.

Ai ndihet i gatshëm për sfidën më të rëndësishme të jetës, e cila e pret muajin e ardhshëm.

“Përgatitjet po shkojnë çdo ditë e më mirë. Nuk e kam nisur sesionin tonë aq mirë, pasi kisha disa probleme teknike, të cilët janë zgjidhur tashmë, prandaj tash mund të fokusohem totalisht në ushtrimet e mia. Gjithashtu, i kam tejkaluar ato vështirësitë që të marr sa më shumë eksperiencë, e cila më nevojitet në Olimpiadë”, vazhdoi ai.

Image

Do ta jap më të mirën në Kore

Tahiri i ka treguar edhe objektivat që ia ka vënë vetes në pjesëmarrjen e tij të parë në Olimpiadë. Natyrisht, do të ishte e tepërt të pritet medalje nga ai, por garuesi kosovar premton se do ta bëjë më të mirën për vendin e tij.

“Sa u përket objektivave, do të përgjigjem kështu: ky është një sport ku mund të ndodhë gjithçka. Faktorë të ndryshëm varen në fund të rezultateve, që nga kushtet e motit, skitë e shpejta dhe në fund garimi pa gabime. Unë vetëm dua ta bëj më të mirën nga vetja, që t’i bëj njerëzit krenarë dhe shpresoj për më të mirën në fund”, nënvizoi ai.

Image

Armët e forta

Tahiri e ka fituar normën olimpike në pesë disiplina. Prej tyre, ai i ka veçuar armët e tij të forta për evenimentin që do të mbahet nga 9 deri më 25 shkurt të këtij viti.

“Disiplina ime më e mirë është ajo e lëshimit (downhill). Gjithashtu, mund të llogaris në rezultate të mira edhe në kombinimin alpinik, i cili është garimi i parë i disiplinës së lëshimit dhe garimi i dytë në sllallom”, përfundoi Tahiri, i cili do të jetë bartës i flamurit të Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore.

Tahiri është rritur në Slloveni, ndërsa e ka babanë shqiptar dhe nënën sllovene. Më parë e kishte përfaqësuar Slloveninë në gara të ndryshme, por në fund vendosi ta përfaqësojë Kosovën. Me profesion është dentist.

Image

Krahas Albin Tahirit, në Olimpiadën Dimërore mund të marrë pjesë edhe një garuese femër, me më shumë gjasa Lyra Hoxha, me normë olimpike ose ftesë.

Duhet cekur se Komiteti Olimpik i Kosovës e ka mbështetur Albin Tahirin me nga 1 mijë euro për çdo muaj, për t’u përgatitur sa më mirë për Lojërat Olimpike Dimërore, si mbështetje që KOK-u e kishte marrë nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. /Zëri/