Sport

Krejt Prishtina në këmbë!

Krejt Prishtina në këmbë!
13 janar 2018 • 12 : 01 Foto: Laura Hasani
Valon Konushevci

Vizita e ministrit Kujtim Gashi në Federatën e Futbollit të Kosovës ka ngjallur zemërim në kryeqytet. Takimin e Gashit me Fadil Vokrrin prishtinasit e kanë nënkuptuar si përpjekje të tyre për t’ua marrë nga duart stadiumin e Prishtinës. Kryeqytetasit u bashkuan me zotimin se asnjëherë nuk do të lejojnë që stadiumi t’u merret sikurse Pallati i Sporteve dhe i Rinisë. Kjo vendosmëri u pa prej kryetarit të Komunës Shpend Ahmeti e deri te tifozeria “Plisat”. Mirëpo, ministri Gashi dhe FFK-ja thonë se u keqkuptuan.  

Vizita e ministrit të Sportit, Kujtim Gashi, që e bëri të enjten në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ka shkaktuar polemika të shumta sidomos në kryeqytet. Dhe, polemikat kanë të bëjnë me stadiumin e Prishtinës, e të cilat tashmë duket të kenë marrë edhe kahe politike.

Gjatë vizitës në FFK, ndër të tjera ministri e kishte paralajmëruar nismën për hartimin e Ligjit për Menaxhimin e Objekteve Sportive. Ky deklarim i Gashit në kryeqytet është nënkuptuar si përpjekje e tij për t’ua marrë prishtinasve stadiumin dhe për ta lënë në duart e Fadil Vokrrit.

Mirëpo reagimet e prishtinasve kanë qenë të menjëhershme, të cilët janë zotuar se nuk do të lejojnë që historia e dhimbshme e Pallatit të Sporteve dhe të Rinisë të përsëritet në stadiumin e kryeqytetit, me të cilin prishtinasit janë të lidhur shpirtërisht me dekada të tëra.

Reagimi më i madh ka ardhur nga tifozët e njohur nga Prishtina “Plisat”, të cilët janë betuar se nuk do të lejojnë që ky objekt i krenarisë të politizohet dhe t’i merret nga duart Prishtinës për t’ia dhënë FFK-së apo dikujt tjetër, shkruan "Zëri".

“Stadiumi i Prishtinës, i cili tashmë po rinovohet, është pronë e Komunës së Prishtinës dhe i tillë duhet të mbetet. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve, duke përfshirë Federatën, Ministrinë dhe klubin se stadiumi duhet të mbetet pronë e qytetit të Prishtinës”, kanë deklaruar “Plisat”.

“Qytetarët e Prishtinës janë të lidhur ngushtë me objektet sportive të qytetit, prandaj nuk do të lejojnë që pronësia e stadiumit të kalojë në asnjë prej institucioneve tjera sepse dihet që klubi dhe qyteti i Prishtinës shihen nga ta vetëm si kundërshtar. ‘Plisat’ zotohen se do të jenë gjithmonë në mbrojtje të krenarisë, traditave dhe sportit të Prishtinës”, thuhet në reagimin e tyre.

Stadiumi “bashkon” pozitën dhe opozitën e Komunës së Prishtinës

Pas vizitës së ministrit Kujtim Gashi në FFK, e cila i shqetësoi qytetarët e Prishtinës, ka ardhur edhe reagimi i kryetarit të kësaj Komune Shpend Ahmeti. Ky ka bërë me dije se e ardhmja e stadiumit është vetëm në kryeqytet.

“Ministri Gashi duhet ta dijë që stadiumi i Prishtinës është pronë e Komunës së Prishtinës dhe që nuk ka nevojë ta heqë prej procesit të privatizimit sepse nuk është ndërmarrje shoqërore. Kjo pronë komunale do të jetë në dispozicion të reprezentacionit tonë dhe të klubit ‘Prishtina’ duke u bazuar në modelet e avancuara të menaxhimit të stadiumeve komunale. Këtë e kemi diskutuar edhe me Federatën”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”, e me të cilin gazeta “Zëri” nuk ka arritur të bisedojë më gjerësisht rreth kësaj situate.

Mirëpo, kur bëhet fjalë për stadiumin e Prishtinës, Ahmeti mund të llogarisë edhe në mbështetjen e opozitës komunale.

“Stadiumi i qytetit të Prishtinës është vetëm i qytetarëve të Prishtinës. Me gjithë respektin për drejtuesit e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës dhe drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës, qytetarët e Prishtinës dhe klubi i futbollit ‘Prishtina’ janë zot shtëpie në stadiumin e qytetit. (Nga viti 1951)”, ka shkruar në “Facebook” asamblisti nga radhët e LDK-së, Kushtrim Sopa, i cili megjithatë e ka kritikuar qasjen e deritanishme të Komunës karshi FC Prishtinës dhe infrastrukturës sportive në Prishtinë.

Gashi dhe FFK: U keqkuptuam

Gazeta “Zëri” ka marrë sqarim nga ministri Kujtim Gashi. Ai tha se prishtinasit pa kurrfarë nevoje bënë zhurmë.

“Nuk i kuptoj reagimet, duke përfshirë reagimin e kryetarit Shpend Ahmeti. Unë kam thënë se Qeveria do ta shqyrtojë mundësinë që objekti në të cilin është e vendosur FFK-ja të kalojë nën menaxhimin e Federatës. Po ashtu kam folur për Ligjin e Menaxhimit të Objekteve Sportive, i cili do të mundësojë që ndonjë stadium i cili ka vështirësi për t’u menaxhuar të mund të kalojë nën menaxhimin e Federatës”, tha Gashi.

“Stadiumet janë të komunave dhe komunat vendosin se kujt t’ua lënë stadiumet nën menaxhim. Askush nuk synon t’ua marrë. Stadiumet janë nën juridiksionin e plotë të komunave. Por, me ligjin që pritet të bëhet komunave që e kanë problem t’i menaxhojnë stadiumet u lehtësohet puna. Po ashtu, është në interes të infrastrukturës”, deklaroi Gashi.

Njëjtë thotë edhe FFK-ja.

“Deklaratat e dala pas vizitës së ministrit në FFK janë keqkuptuar. Në takim është diskutuar avancimi i procesit të bërjes së Ligjit për Menaxhimin e Objekteve Sportive, i cili ligj mundëson mirëmbajtjen e stadiumeve. Vetëm pas bërjes së ligjit mund të diskutohet dhe të vendoset se kujt duhet t’i mbesin nën menaxhim terrenet e futbollit - Federatës, klubeve apo dikujt tjetër. Me rëndësi është se ligji do të sigurojë mirëmbajtje të stadiumeve”, ka deklaruar FFK-ja.

Kurse FC Prishtina nuk ka komentuar duke thënë se nuk e ka marrë me shqetësim situatën e krijuar sepse nuk e sheh si diçka serioze. /ZËRI/ 

Image

 

© zëri.info