“Raketa” e Dortmundit

Sport January 06, 2018 - 10:51

Jadon Sancho, i njohur ndryshe si “raketa”, ishte larguar nga Manchester City në verën e kaluar për t’u transferuar te Borussia Dortmundi. Ai kishte shkëlqyer në fazën e parë të Kupës së Botës U-17 me Anglinë në vitin 2017 dhe kishte tërhequr vëmendjen e klubit gjerman. Sancho, i cili shihet si një talent i madh, ka krijuar një miqësi të afërt me yllin e Dortmundit, Pierre-Emerick Aubameyang.

Jadon Sancho është vetëm 17-vjeçar dhe tashmë një yll i futbollit ia pastron atij këpucët. Sulmuesi i Borussia Dortmundit dhe i përfaqësueses anglez U-17 kishte postuar një video në rrjetin social “Instagram” para disa muajve, ku shihet bashkëlojtari i tij Pierre-Emerick Aubameyang duke ia pastruar këpucët, teksa të qeshurat nga personat e tjerë pjesëmarrës nuk ndalen.

Që prej arritjes së tij në verën e kaluar Sancho ka arritur ta krijojë një marrëdhënie të afërt me Aubameynagun. Përveç videos duke ia pastruar këpucët, ata të dy kanë publikuar edhe një video duke kënduar në zhanrin e repit. Sancho duket se është ambientuar mjaft shpejt. Në Gjermani dimri ndoshta është më i ftohë sesa e priste dhe minutat e tij kanë qenë të limituara, por shenjat tregojnë se ai mund t’ia dalë në Gjermani, shkruan "Zëri".

“Ai është një djalë i mirë, një djalosh qesharak. Më pëlqen që kam një tjetër anglishtfolës këtu”, ka thënë bashkëlojtari Christian Pulisic.  

Ishte njëri nga lajmet e verës kur Dortmundi rrëmbeu Sanchon nga Manchester City në gusht. Duke refuzuar një kontratë më të majme në “Etihad”, ai vendosi që të transferohej në drejtim të Bundesligës. “Ishte një vendim i vështirë, por është koha e duhur për një sfidë të re, ku mund të filloj ta përmbush potencialin tim të plotë”, kishte shkruar ai në rrjetin social “Facebook” atëkohë.

Pyetja e madhe qëndronte nëse ai do të mundë t’ia dilte me presionin e madh. Sancho trashëgoi numrin shtatë në fanellë nga Ousmane Dembele, i cili ishte larguar në drejtim të Barcelonës dhe shtypi gjerman parashikoi gjëra të mëdha. E përditshmja “Bild” e përshkruante atë si një “raketë”.

Deri më tani “raketa” ende nuk ka eksploduar plotësisht. Sancho ka luajtur vetëm 16 minuta në Bundesligë, por ka shkëlqye në ekipin U-19 të Borussia Dortmundit në Ligën e të Rinjve të UEFA-s dhe me ekipin e dytë të klubit gjerman, përcjell "Zeri.info".

Me dy gola dhe me një asistim Sancho ka luajtur minutat e plota në ndeshjet e Ligës së të Rinjve të UEFA-s. Suksesi i tij në kompeticion sidoqoftë i ka pasur të mirat dhe të këqijat e saja sepse atij i ishte mohuar mundësia për të luajtur në fazën e fundit të Kupës së Botës U-17 me Anglinë. Një lojtar kyç i “tre luanëve” ishte thirrur nga Dortmundi në kohën kur turneu ishte duke vazhduar, gjë që kishte shtangur trajnerin e tij Steve Cooper.

“Unë vetëm mund të imagjinoj se Dortmundi kërkoi nga ai që të kthehet në ekipin e parë në fundjavë për të luajtur si titullar, sepse nuk mendoj se ka ndonjë arsye tjetër që të merret një lojtar nga Kupa e Botës”, kishte deklaruar Cooper pasi Sancho ishte kthyer te klubi gjerman pas ndeshjes kundër Indisë në fazën e grupeve.

Sancho nuk luajti për ekipin e parë atë fundjavë, por shënoi në Ligën e të Rinjve kundër APOEL-it. Mungesa e minutave mund të jetë acaruese, por është pjesë e mënyrës së trajtimit të të rinjve në një klub si Dormundi. Për dallim nga ajo që thonë shumica, të jesh pjesë e një klubi gjerman nuk garanton minuta për një lojtar të ri. Ata ua japin atyre kujdesin e nevojshëm dhe kohën e nevojshme për t’u rritur.

Situatë e njëjtë me Sanchon i ka ndodhur edhe Pulisicit, i cili tani është një pjesë e rëndësishme e ekipit.

“Jam i lumtur për të, gjithmonë e uroj kur luan”, është shprehur Pulisic pas debutimit të Sanchos në shtëpi kundër Bayern Munichut. “Kam ndjekur rrugën e njëjtë, kështu që shpresoj që ai të vazhdojë të bëjë mirë”, ka përfunduar ai. /ZËRI/