Ekipi i Vitit

Sport January 01, 2018 - 22:25

Si çdo vit FIFA e ka përzgjedhur formacionin më të mirë për vitin që lamë pas. Nga portieri Gianluigi Buffon e deri te Cristiano Ronaldo në sulm këta janë futbollistët më të dalluar të vitit 2017

Real Madridi ishte dominues në futbollin evropian gjatë vitit 2017 dhe ka më së shumti përfaqësues në formacionin e këtij viti, shkruan zeri.info.

Ekipi i drejtuar nga Zinedine Zidane triumfoi në garat më të rëndësishme, si liga spanjolle dhe Liga e Kampionëve.

Gianluigi Buffon (Juventus/Itali)

Buffon udhëhoqi Juventusin drejt titullit të gjashtë radhazi në ligën italiane, triumfit në Kupën e Italisë dhe rrugën drejt finales së Ligës së Kampionëve, të cilën klubi torinez e humbi nga Real Madridi. Reprezentuesi italian nuk arriti që të kualifikohet në Kupën e Botës me përfaqësuesen e tij, por kjo pa dyshim që nuk i prish punë për të qenë në njëmbëdhjetëshin më të mirë të vitit.

Dani Alves (Juventus, PSG/Brazil)

Pas një periudhe të suksesshme me Barcelonën, Alves vendosi që gjatë verës së vitit 2016 të largohet nga klubi katalonjas dhe t'i bashkohet Juventusit. Braziliani luajti rol kyç në sukseset e gjigandit italian gjatë vitit 2017. Alves realizoi 6 gola dhe 7 asistime në 33 paraqitje me juventinët.

Leonardo Bonucci (Juventus, Milan/Itali)

Një tjetër futbollist i Juventusit që ka zënë vend në formacionin e vitit 2017 është edhe Bonucci. Ishte një prej lojtarëve vendimtarë të gjigandit torinez drejt rrugëtimit në finalen e Ligës së Kampionëve pas triumfit në çerekfinalen e këtij kompeticioni kundër Barcelonës pa pësuar asnjë gol nga dy ndeshjet. Bonucci me shokët e tij arritën që të ndalin treshen e rrezikshme të sulmit Messi-Suarez-Neymar.

Sergio Ramos (Real Madrid/Spanja)

Kapiteni i klubit mbretëror ndihmoi ekipin e tij drejt triumfit të dytë radhazi në Ligën e Kampionëve dhe po ashtu udhëhoqi klubin drejt titullit në ligën spanjolle, për herë të parë pas vitit 2012. 

Marcelo (Real Madrid/Brazil)

Nuk kishte si të mungonte në këtë listë motori i krahut të majtë në ekipin madrilen. Marcelo realizoi plot 14 asistime dhe 3 gola në 43 paraqitje për Real Madridin në edicionin 2016/2017.

Andres Iniesta (Barcelona/Spanja)

Pavarësisht prej moshës së tij prej 33-vjeçare, Iniesta mbetet njëri prej mesfushorëve më elegantë në futboll. Edhe pse Barcelona fitoi vetëm Kupën e Mbretit gjatë edicionit të fundit, Iniesta me paraqitjet e tij arriti që të sigurojë një vend në formacionin e vitit.

Toni Kroos (Real Madrid/Gjermani)

Pasimet e  tij të shpejta dhe të sakta ishin thelbësore për triumfin e Real Madridit në ligën spanjolle dhe në Ligën e Kampionëve në vitin 2017. Reprezentuesi gjerman realizoi gjithsej 17 asistime në 48 paraqitjeje për Real Madridin, kurse arriti të shënojë edhe 4 gola.