Kryetari i klubit kosovar: Edhe po të ishte Maradona, ky lojtar nuk luan më tek ne!

Sport December 19, 2017 - 17:31

Krerët e klubeve të futbollit në Kosovë po mbesin të zhgënjyer dhe të mllefosur me futbollistët, të cilët po i shprehin mendimet e tyre përmes rrjeteve sociale, shkruan sot Gazeta Zëri.

Një gjë të tillë e ka bërë edhe një futbollist i Superligës ditë më parë.

Bëhet fjalë për Samir Sahitin, i cili ka paralajmëruar se do ta presë kryesinë e Vëllaznimit vetëm deri më 25 dhjetor dhe më pas do të largohet, nëse nuk i shlyhet borxhi dhe nëse nuk lëvizin gjërat në klubin gjakovar.

Duket se ky postim, por edhe deklaratat tjera, e kanë mllefosur shumë kryetarin e klubit, Shkëlzen Gashi.

Image

“Samir Sahiti i ka marrë në fillim kur ka ardhur 2,500 euro të kontratës, ndërsa rrogën e ka të majme. Neve nuk na duhen futbollistë që ankohen në Facebook, pasi Vëllaznimi është mbi lojtarët dhe mbi ne. Është klub i madh, i cili nuk lejon të bëhen hajgare”, thekson Gashi për “Zërin”.

“Andaj, Samiri është i suspenduar. Ai ka kontratë me ne dhe nuk do ta marrë librezën”, shton kreu i klubit gjakovar, i cili e ka ndërmend ta bllokojë futbollistin, në mënyrë që ai të mos luajë fare në pranverë.

“Edhe po të ishte Maradona, Sahiti nuk do të luajë për ne në pranverë”, përfundoi Gashi. /Zëri/

Image