EVROPIANI I NOTIT: Melisa Zhdrella, një sekondë larg rekordit të Kosovës

Sport December 13, 2017 - 18:24

Reprezentacioni i Kosovës në not po merr pjesë në Kampionatin Evropian të notit, i cili po zhvillohet në Kopenhagë të Danimarkës, shkruan zeri.info.

Ky kompeticion i rëndësishëm i notit ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 17 dhjetor, respektivisht deri të dielën.

Në këtë eveniment Kosova po përfaqësohet me dy garues, notaren Melisa Zhdrella dhe notarin Dren Ukimeraj, të cilët po udhëhiqen nga trajneri Kujtim Kito.

Hapja zyrtare e Evropianit është bërë dje në orën 16:30.

Dhe menjëherë në ditën e parë të Evropianit në pishinë ka zbritur Melisa Zhdrella.

Notarja më e mirë që e ka Kosova për momentin ka garuar në disiplinën 50 metra, stili Bretkosë.

Ajo e mbylli garën për kohën 00:35:01 dhe Federata e Notit të Kosovës e vlerëson këtë si një paraqitje të mirë të saj.

Madje Melisa ishte shumë afër rekordit shtetëror, të cilin e mban vetë ajo.

“Melisa pati paraqitje të mirë dhe ishte 1 sekondë larg rekordit personal dhe rekordit të Kosovës, që mbahet po nga kjo sportiste”, njofton FNK-ja. /Zëri/